E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Pakt për miratimin e ligjeve me 3/5

Partia Socialiste do ti propozojë Komisionit të Ligjeve një axhendë specifike për ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar. Këtë e bëri të ditur dje kreu i selisë rozë, Edi Rama, në takimin e përjavshëm me deputetët. Sipas tij, në kuadër edhe të paktit prej 10 pikash Për Shqipërinë si gjithë Europa, do të përcaktohen afate për të gjitha çështjet që janë futur në rendin e ditës. Për javën parlamentare që fillon dua ti propozoj Komisionit tonë të Ligjeve, sipas pikës përkatëse të paktit tonë me dhjetë pika, një hap të ri për nxitjen e procesit legjislativ lidhur me projektet që kërkojnë tre të pestat e votave. Të dorëzojmë pa humbur asnjë minutë, në Kuvend, një axhendë të specifikuar pune për Komisionin Parlamentar të Ligjeve me një rend çështjesh e afatesh, ashtu siç e kemi propozuar në parim, por këtë herë në detaj. Për të mos i lënë më as edhe një mundësi palës tjetër që tu ikë përgjegjësive të veta, për këtë aspekt të rëndësishëm të procesit të integrimit dhe ti bishtnojë paktit që ne kemi ofruar Për Shqipërinë si gjithë Europa, dhe jo për një pazar me ta, u shpreh dje Rama.
Burime nga Partia Socialiste bënë të ditur për gazetën se në pjesën me dyer të mbyllura të mbledhjes së Grupit, deputeti i PS, nënkryetar i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj ka kërkuar një koordinim të të gjithë deputetëve socialistë në komisionet parlamentare lidhur me ligjet me tre të pestat. Në të njëjtën kohë, burimet bëjnë të ditur se Xhafaj dhe kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, janë duke punuar për planin e punës mbi të cilin do të diskutohen edhe ligjet me shumicë të cilësuar.
Reagimi i PD
Pas deklaratës së Ramës ka reaguar Partia Demokratike, sipas së cilës, kreu i opozitës pranoi faktin se po vazhdon të bllokojë votimin në Parlament të ligjeve me tre të pestat. Sipas zëdhënëses së PD-së, Albana Mustafaraj, Rama nuk dha asnjë shpjegim përse nuk i ka votuar gjithë këtë periudhë këto ligje. Ai, në fjalën e tij sot në Grupin Parlamentar nuk ofroi asnjë arsye të vetme që e shtyn atë të përdorë mosvotimin e ligjeve që kërkojnë 84 vota në Parlament për të bllokuar statusin e kandidatit. Këto ligje të standardeve më të mira, sipas ekspertëve ndërkombëtarë, kanë mbi dy vjet që nuk votohen nga opozita në Parlament, duke mos paraqitur asnjë argument ligjor kundër tyre, tha zëdhënësja e PD-së. Sipas demo-kratëve, shqiptarët e dinë se bllokimi i amendamenteve të Kodit Rrugor që imponojnë teknologji te re për drejtuesit e automjeteve dhe uljen e aksidenteve vdekjeprurëse rrugore, bllokimin e rekomandimeve ndërkombëtare për luftën e korrupsionit ndaj zyrtarëve, apo bllokimi i ligjeve që vijnë si detyrim nga anëtarësia e Shqipërisë në Organizatën Botërore të Tregtisë, bëhet me qëllimin e vetëm për të mos lejuar që Shqipëria të marrë statusin e kandidatit. Në fund demokratët kanë ftuar sërish Ramën të lërë mënjanë axhendën e tij personale politike, të mos vazhdojë bllokimin e Grupit të tij Parlamentar dhe ti lejojë deputetët e PS të votojë për këto ligje që përbëjnë edhe kushtin më kryesor për integrimin e vendit.

Ligjet me 84 vota
Komisioni Parlamentar i Ligjeve miratoi dje kalendarin e punës për tri javët e ardhshme. Pas vendimit të Konferencës së Kryetarëve, në rendin e ditës janë futur të gjitha ligjet që kërkojnë 84 vota dhe që nga opozita u kërkua të diskutoheshin përpara se të kalonin për votim në Kuvend. Nuk është caktuar datë për asnjërin prej këtyre ligjeve sepse ne kemi nevojë për një reagim nga kolegët e opozitës, por gjithsesi, ne biem dakord në parim që këto projektligje që janë këtë kalendar të punës së Komisionit dhe pastaj, sipas rastit, do ti caktojmë ditët në vazhdim, tha kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, në mbledhjen e djeshme. Sipas kalendarit të miratuar dje, është vendosur që propozimi i Partisë Socialiste për ndryshimin e Rregullores së Kuvendit të diskutohet të hënën e ardhshme. Në mbledhjen e djeshme të Komisionit u miratua një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, falë së cilës Shqipëria fiton 75 milionë USD për 5 vite.

ARISTIR LUMEZI

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›