Kodi Zgjedhor, KLD i zgjat me 2 vjet mandatin Sashenka Jonuzit
TIRANE Mbushja e moshës së pensionit nuk do ta largojë nga pozicioni i anëtares së Kolegjit Zgjedhor, Sashenka Jonuzin. Ka qenë kjo vendimmarrja e Këshillit të Lartë të Drejtësisë dy ditë më parë në lidhje me rrezikimin apo jo të largimit nga Kolegji Zgjedhor të anëtares Jonuzi për shkak të moshës. Burime pranë KLD-së sqaruan se ka qenë vetë Jonuzi ajo që ka kërkuar të dijë fatin e anëtarësisë së saj në Kolegj. Mësohet se rreth dy javë më parë ajo i ka dërguar një letër Këshillit të Lartë të Drejtësisë, si edhe ministrit të Drejtësisë. Nëpërmjet letrës, gjyqtarja Jonuzi sqaronte se në javën e parë të tetorit kishte mbërritur moshën e pensionit dhe se donte të dinte nëse do të vijonte apo jo pjesëmarrja e saj në Kolegj. Kjo kërkesë e Jonuzit ka qenë një nga pikat e diskutuara në mbledhjet e zhvilluara të premten e të shtunën nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Burime pranë këtij institucioni bënë të ditur se debati është rrahur në dy pika, nëse për të vendosur do ti referoheshin ligjit Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë, apo neneve përkatëse të Kodit Zgjedhor. Në rastin e parë, në nenin 20 përcaktohet mosha 65 vjeç si moshë e daljes në pension dhe kohë kur gjyqtari mund të lëvizë nga detyra. Ndërsa neni 147 i Kodit Zgjedhor përcakton se Kolegji Zgjedhor i Gjykatës së Apelit, Tiranë, i ushtron funksionet e veta gjatë gjithë kohëzgjatjes së legjislaturës së Kuvendit të dalë nga zgjedhjet, për të cilat është hedhur shorti dhe funksionon për të gjitha llojet e zgjedhjeve. Duke u bazuar në këtë dispozitë, pas debatesh të forta, me shumicë votash Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka vendosur që Sashenka Jonuzi do të qëndrojë në detyrë deri në përfundim të legjislaturës së Kuvendit aktual. Mësohet se nënkryetari i KLD-së ka abstenuar, ndërsa tri vota kanë qenë kundër. Në lidhje me këtë vendim të KLD, reagoi dje me anë të rrjetit social Twitter edhe kreu i PS, Edi Rama. U shpërblye edhe në natyrë Sashenka! Dy vjet zgjatje mandati në kundërshtim me ligjin për të vazhduar rrjepjen e lëkurëve, shkroi Rama në Twitter. ar.ba