Nafta, ëndrra miliarda dollarëshe
Të ardhurat janë dyfishuar, fitimet janë trefishuar në krahasim me vitin 2006. Por në të ardhmen, të ardhurat e kompanisë "Bankers Petroleum" mund të arrijnë në shifra me të vërtetë marramendëse.
Nëntoka e Patos-Marinzës vlerësohet se mbart 200 milionë fuçi naftë, me vlerë tregtare 7 miliardë dollarë
Sot për sot, flitet për shifra jo shumë marramendëse. Nafta shqiptare e Patos-Marinzës solli të ardhura prej 62 milionë dollarësh gjatë vitit 2007 dhe fitime neto prej 32.5 milionë dollarësh. Të ardhurat janë dyfishuar, fitimet janë trefishuar në krahasim me vitin 2006. Por në të ardhmen, të ardhurat e kompanisë "Bankers Petroleum" mund të arrijnë në shifra me të vërtetë marramendëse. Kontributet e saj në Buxhetin e Shtetit mund të bëhen një zë i respektueshëm dhe i krahasueshëm me të ardhurat buxhetore nga tatim-fitimi p.sh.
Bilanci
Kompania "Bankers Petroleum" njoftoi dje se ka rritur të ardhurat, fitimet, si dhe performancën ekonomike, në mënyrë të ndjeshme gjatë vitit 2007, duke shënuar rigjallërim të gjithanshëm të industrisë nxjerrëse të naftës në vendin tonë.
"Prodhimi është rritur me 39% duke arritur në 5.400 fuçi në ditë, ndërkohë që çmimet e larta të naftës në tregun ndërkombëtar kanë rritur fitimet neto",,- u tha në prezantimin e rezultateve vjetore të kompanisë në Kaljari të Kanadasë. Gjatë vitit të kaluar, kompania hapi një linjë të dytë të eksportit të naftës përmes portit të Vlorës në drejtim të Italisë.
"Bankers Petroleum" vepron në Shqipëri nën një Marrëveshje Koncesionare. Sipas marrëveshjes, rreth 63% të fitimeve neto të kompanisë i takojnë Qeverisë së Republikës së Shqipërisë. Kompania është kanadeze dhe ka veprimtari në Shqipëri, ku merret me nxjerrjen e naftës së rëndë dhe që gjendet në situatë tektonike të vështirë, si dhe në SHBA, ku ka fituar të drejtën të shfrytëzojë rezerva gazi.
"Bankers" ka investuar deri tani rreth 70 milionë dollarë përgjatë tre viteve të fundit, për të riaktivizuar 160 puse ekzistuese. Kontrata e saj është 24-vjeçare. Kompania thotë se dëshiron të investojë deri në 300 milionë dollarë, për të riaktivizuar më shumë puse dhe për të ndërtuar puse të reja. Një investim i tillë mund ta bëjë këtë kompani, investitorin më të madh të huaj në Shqipëri. Qeveria merr si të drejta nga aksionet, si dhe në formë tatim-fitimi, rreth 65% të fitimeve neto të krijuara nga aktiviteti. "Bankers" ka shprehur gjithashtu interes për të blerë rafinerinë e Ballshit, e cila është hedhur për privatizim nga qeveria disa herë deri më sot.
Abby Badwi, drejtori Ekzekutiv i kompanisë, deklaroi pak ditë më parë në një intervistë me FT se kompania synon të rrisë prodhimin deri në 10 mijë fuçi në ditë rreth vitit 2010, ndërsa synimi final është të arrihet prodhimi prej 25 mijë fuçish në ditë. Falë faktit se në kontratën koncesionare nuk ka kufizime në eksport, "Bankers" arriti të eksportojë gjysmën e sasisë së prodhuar gjatë vitit të kaluar me një çmim shumë më të lartë sesa çmimi i shitjes te ARMO.
Patos-Marinza konsiderohet si burimi më i madh i naftës në Europën kontinentale. Aty gjenden rreth 2 miliardë fuçi. Ekspertët thonë se rreth 10% e kësaj rezerve, 200 milionë fuçi me vlerë tregtare të sotme 7.1 miliardë dollarë, janë të rekuperueshme. Por "Bankers Petroleum" thotë se falë teknologjisë së re që po përdoret në Patos-Marinzë, përqindja e nxjerrjes mund të rritet deri në 40%.
"Nxjerrja e naftës është gjithmonë problem në rastin e naftës së rëndë. Investimet duhet të jenë shumë të larta për shkak se duhet të hapen më shumë puse",- thotë Badwi.
Sytë nga Kuçova
Për ekspertët shqiptarë, baseni naftëmbajtës i Kuçovës konsiderohej si i shteruar dhe i pavlerë, kryesisht për shkak të teknologjisë së prapambetur dhe prodhimit të ulët. Kuçova ka filluar të shfrytëzohet që në vitet '20. Aty janë hapur rreth 1700 puse, që nga ajo kohë, ndërsa prodhimi ekzistues është rreth 400 fuçi në ditë. Kuçova është e ngjashme si burim me Patos-Marinzën. Nafta e saj është e rëndë, me normë të lartë sulfuri dhe në thellësi të ndryshme.
"Bankers Petroleum" bleu në janar të këtij viti 50% të kompanisë "Privateco", e cila ka një kontratë koncesionare për rikuperimin e burimeve me Agjencinë Kombëtare të Hidrokarbureve. Edhe në këtë rast, marrëveshja thotë se 51% e fitimeve i takojnë shtetit shqiptar pas rikuperimit të investimit fillestar.
Sipas vlerësimeve, në Kuçovë gjenden 490 milionë fuçi, nga të cilat, rreth 7% ose 34 milionë janë të rikuperueshme.
Deri më sot prej Kuçovës janë nxjerrë 23.2 milionë fuçi. Rezervuarët e naftës gjenden në 150 dhe 1500 metra thellësi.