E Diel, 1 Nëntor 2026

Dividenti, biznesi amerikan kundërshton variatin e ri

27/11/2004  Biznesi amerikan nuk ka mbetur i kënaqur me riformulimin e ligjit për taksën e dividentit.

“Varianti i dytë i qeverisë mund të qëndrojë, por ne duhet të jemi të sigurtë për aplikimin e kësaj takse”, është shprehur Floreta Luli Faber, drejtoreshë e Dhomës Amerikane të Tregtisë. Biznesi amerikan do të vazhdojë të ushtrojë presionin e vet në parlament, pas festave të nëntorit, ku Komisioni i Ekonomisë do të rimblidhet për të vazhduar diskutimin e paketës fiskale. Lidhur me taksën e dividentit, zv.ministrja Berberi, pranoi se do të bëhet një ridiskutim në nivel ekspertësh për të riformuluar ndryshe ligjin.

“Ne nuk jemi për të hequr tatimin 10 për qind të dividentit, që ka qenë përherë në paketën fiskale”, ka deklaruar Berberi.

Ndryshe nga çdo vit tjetër, biznesi ka dalë fitimtar në debatin me qeverinë, në diskutimin e paketës fiskale në Komisionin e Ekonomisë. Nga diskutimi nen për nen është bërë e mundur heqja deri tani e tri taksave të rëndësishme, që kontestoheshin me forcë nga biznesi. TVSH-ja mbi biznesin e vogël dhe tatimi në burim, janë taksat shtesë që nuk u pranuan nga deputetët e Komisionit të Ekonomisë. Ndërkohë, TVSH-ja mbi ndërtimin është quajtur e nxituar, por akoma nuk është specifikuar nëse do të hyjë në zbatim më 1 janar 2006, apo më 1 janar 2007.

“Kemi rënë dakord në parim se, kjo taksë është e nxituar dhe duhet të paktën një vit përgatitur për të aplikuar TVSH-në mbi banesat, por nuk kemi përcaktuar akoma kohën se kur do të fillojë zbatimi”, ka deklaruar Ylli Bufi.

Kështu duket se të mërkurën Komisioni do të diskutojë dhe çështjen e fundit të debatueshme, taksën e dividentit mbi fitimin e kapitalizuar. Mospranimi i kësaj takse do të thotë që qeveria ka humbur luftën me biznesin për të gjitha detyrimet shtesë, që i caktoi në hartimin e Paketës Fiskale.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›