E Diel, 1 Nëntor 2026

Dollari, një tjetër hap negativ. Dje u këmbye me 95.5 lekë

27/11/2004  Dollari arriti një tjetër rekord në Evropë. Dje, në bursat evropiane, monedha një euro kushtonte 1.333 dollarë, duke shënuar një nivel minimal historik. Dollari ka ulur kokën njëherësh edhe ndaj jenit japonez. Kursi i rgjistruar dje, prej 102.5 jen për dollar, është më i ulëti që nga marsi i vitit 2000. Dollari amerikan, monedha më e besueshme në botë, ka humbur vetëm për dy muaj rreth 9 pikë përqindjeje në krahasim me euron, duke e shndërruar situatën ekonomike në Evropë në një kaos të vërtetë. Ekonomistët evropianë, ata japonezë dhe së fundi edhe ata kinezë, kanë ngritur zërin për një prishje të ekuilibrave tregtarë. Një dollar i dobët dhe një euro apo jen i fortë, sigurisht që nuk i bën mirë eksporteve të Evropës dhe Azisë. Kjo situatë, në fund do të ketë fitues vetëm Amerikën”, shprehen disa nga ekonomistët. Për pjesën tjetër, ndërhyrja e bankës qendrore evropiane është zgjidhja e vetme, megjithëse duket shumë e vonuar.

E kundërta ndodh në Shqipëri. Dollari amerikan dje arriti rekordin e radhës për vitet e fundit, duke u shkëmbyer me vetëm 95.5 lekë. Rritja e vlerës së lekut, në të kundërt të ekonomive botërore në Shqipëri, nuk ka asnjë efekt. Guvernatori tha një ditë më parë se forcimi i lekut nuk ka ndikuar në uljen e eksporteve. Banka e Shqipërisë, megjithëse thekson se forcimi i lekut ka ndikuar në uljen e inflacionit, do të ndjekë politika për rritjen e vlerës së valutave dhe zhvlerësimin e lekut. Politika këto që deri tani nuk kanë rezultuar fort efikase. Sidoqoftë, Shqipëria përbën sipas të gjitha treguesve, rastin unik të teorive ekonomike. Kështu ndryshe nga të gjithë teoritë dhe praktiat ekonomike, rritja e vlerës së lekut në Shqipëri nuk ka ndikuar në uljen e eksporteve. Kjo të paktën me shifrat që japin Banka e Shqipërisë dhe Qeveria. Nga ana tjetër, për të vërtetuar edhe më shumë se politika e bankës për rritjen e vlerës së valutave do të vazhdojë të mos japë efekt, vetë banka paralajmëron se rritja e vlerës së lekut, ose më saktë zhvlerësimi i valutave, do të vazhdojë edhe gjatë fundvitit, për shkak të dërgesave të emigrantëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›