E Shtunë, 31 Tetor 2026

Divjakë, merr tokë babai i vdekur i kreut të bashkisë

Prokuroria e Lushnjës fillon hetimet për abuzimin me ndarjen e tokave në Divjakë. Prokurori Petrit Çano konfirmoi se pas denoncimit në "Fiks Fare" të abuzimit me ndarjen e tokave personave që kanë vdekur shumë vite më parë, tashmë po verifikohet nga prokuroria i gjithë procesi i ndarjes së tokës.

Sipas Çanos, tashmë ka filluar një hetim. "Janë duke u kryer me shumë seriozitet të gjitha veprimet e nevojshme për zbardhjen e çështjes dhe rezultatet e hetimit do të bëhen të ditura", deklaroi prokurori i Lushnjës. Tetë muaj më parë në emisionin "Fiks Fare" është denoncuar ngjarja e rrallë që kishte ndodhur në Bashkinë e Divjakës, ku 40 të vdekur ishin ngjallur dhe kishin marrë tokë. Firmat e dyzet personave të vdekur figurojnë se kanë/////////// firmosur në kontratat që ka lidhur Bashkia e Divjakës.

Ky fenomen ka ndodhur në këtë bashki tre vjet më parë.

Gjithçka ndodhi pas miratimit të një Vendimi të Këshillit të Ministrave në vitin 2004 që mban firmën e ish-zëvendëskryeministrit Namik Dokle. Kjo VKM transferoi në pronësi të Bashkisë së Divjakës një sipërfaqe toke. Këto toka kaluan në pronësi të Bashkisë së Divjakës për t‘i përdorur për menaxhimin e parkut kombëtar dhe të zonës së mbrojtur të ekosistemit të Divjakës. Por ky vendim i Këshillit të Ministrave kishte një klauzolë. Bashkisë së Divjakës i ndalohej kategorikisht që të ndryshonte destinacionin e këtyre pronave, t‘i tjetërsonte apo t‘i jepte në përdorim. Bashkia e Divjakës jo vetëm që nuk e respektoi këtë klauzolë të VKM-së, por ua dha këtë tokë edhe banorëve të vdekur. Nga kjo ndarje toke ka përfituar 12 mijë ha edhe vjehrra e kryetarit të Bashkisë së Divjakës, Ana Llambi Hiçi. Në këto dokumente janë pikërisht firmat e personave që nuk kanë qenë gjallë në kohën e ndarjes së tokës. Megjithëse kishin vdekur, ata kanë firmosur për marrjen e tokës. Midis personave që janë ndarë nga jeta dhe kanë marrë tokë, madje edhe kanë firmosur për tokën që kanë marrë, është edhe babai i kryetarit të Bashkisë së Divjakës, i ndjeri Kroni Gorea, i cili ka marrë 3 100 m2.

Të afërmit e personave të vdekur kanë firmosur për ta, edhe pse kanë vite që janë ndarë nga jeta.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›