E Shtunë, 31 Tetor 2026

Olldashi, letër Ramës: Na dorëzo projektin e Unazës së Madhe

Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit i ka kërkuar zyrtarisht përmes një letre kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, që t‘i dorëzojë projektin e Unazës së Madhe. Kjo me pretendimin që të financohet nga ana e qeverisë dhe të nisë nga ndërtimi sa më shpejt. "Siç jeni në dijeni, Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit në datën 06.06.2008 ka pranuar kërkesën tuaj për shpronësimin e aksit të Unazës së Madhe, Tiranë dhe Ju ka dërguar për bashkëfirmosje aktmarrëveshjen në fjalë", shkruan në letrën e tij ministri Olldashi. Ndërsa më pas ai shton se "me shqetësim vërejmë se prej asaj dite nuk ka asnjë zhvillim pozitiv për sa i përket garantimit të fondit, i cili do të mundësonte ndërtimin e kësaj Unaze".

Ndërkohë që ka theksuar më tej se kërkon që t‘i dorëzohet projekti i Unazës së Madhe për shkak se Bashkia e Tiranës nuk ka mundësi që ta financojë këtë objekt të rëndësishëm infrastrukturor për kryeqytetin. "Duke vlerësuar rëndësinë e jashtëzakonshme që ka për kryeqytetin ndërtimi i këtij aksi, duke vlerësuar edhe se pamundësia juaj për të realizuar këtë projekt nuk është arsye e mjaftueshme për të mbajtur peng qytetarët e Tiranës, ju kërkojmë të na vini në dispozicion projektin e Unazës së Madhe në mënyrë që MPPTT me fonde të buxhetit të shtetit, të fillojë menjëherë ndërtimin e saj", përfundon letrën e tij Olldashi për kryebashkiakun Rama. Unaza e Madhe e Tiranës është një objekt infrastrukture që është programuar të ndërtohet nga ana e Bashkisë së Tiranës brenda një harku kohor prej 3 vitesh. Ajo është përfshirë edhe në draftin e buxhetit bashkiak për vitin 2009, ndërkohë që drejtuesit e bashkisë konfirmojnë faktin se "është marrë miratimi paraprak i kredisë nga Banka Evropiane për Rindërtim e Zhvillim; është marrë edhe miratimi i Këshillit Bashkiak dhe qysh në prillin e shkuar, janë në pritje të qeverisë që të bëjë detyrën e saj ligjore për garantimin e fondit të shpronësimeve". Sipas përfaqësuesve të Bashkisë së Tiranës, Kryeministri Berisha me Unazën e Madhe po tenton që të bëjë të njëjtën politikë sikundër ndoqi edhe me Zogun e Zi, një objekt publik ky që u shkatërrua nga qeveria në gjysmën e ndërtimit të tij nga bashkia. Nga ana tjetër, vetëm pak ditë më parë kreu i Ekzekutivit, Sali Berisha, tha se, "fondet e bashkisë për të marrë kredi janë minimale, pasi performanca e saj fiskale është e mjerueshme". Sipas Berishës, nuk ka asnjë institucion bankar dhe financiar që mund të ofrojë kredi me një afat mbi një shekullor, ndaj nuk ka shanse që Bashkia e Tiranës të përfitojë një kredi. Ai ka theksuar se qeveria do të bëjë menjëherë disponibël fondin e shpronësimit dhe Ministria e Punëve Publike do të marrë përsipër tenderimin sa më të shpejtë dhe fillimin e punimeve për ndërtimin e saj, në rast se bashkia nuk është e përshtatshme për t‘u kredituar, sepse nuk jep garanci. Projekti i Unazës së Madhe mund të kushtojë rreth 300 milionë euro, ka deklaruar Berisha.

Ndërtimi i Unazës së Madhe do të shpronësojë 180 banesa private plotësisht ose pjesërisht. Ndërkohë që sipërfaqja e tokës që duhet të shpronësohet prej saj është rreth 35 hektarë, përfshirë këtu edhe tokë buke. Ky është parashikimi i bërë nga ekspertët e Bashkisë së Tiranës pas hartimit të projektit për segmentin jugor të kësaj rruge. Projekti i segmentit jugor të saj vazhdon të shtrihet nga kryqëzimi me rrugën e Kavajës deri në atë me rrugën e Elbasanit. Kjo pjesë e Unazës së Madhe ka një gjatësi prej 5.5 km dhe është projektuar të kalojë në zonën e Selitës, pranë Kopshtit Botanik dhe Zoologjik, në kodrat prapa Parkut të Madh të Tiranës, në kodrat e Saukut për t‘u lidhur me Rrugën e Elbasanit pranë Akademisë së Rendit Publik. Projekti i ndërtimit të një Unaze të Madhe për Tiranën është ideuar që me planin rregullues të 1989-ës. Në vitin 1999 është përfunduar ndërtimi i një pjese të saj, segmenti prej 2.2 km që lidh Rrugën e Durrësit me atë të Kavajës. Por në këtë investim u la pa përfunduar sistemi i kullimit të ujërave, trotuaret, ndriçimi dhe gjelbërimi rrugor.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›