Divjakë, zjarri djeg 150 ha ullishte
Flakët e zjarrit djegin 150 ha ullishta ne Divjakë. Zjarri që ka nisur pasditen e djeshme në fshatin Shënapremte është favorizuar nga erërat dhe temperaturat e larta dhe ka përfshirë ullishtat në kodrat e fshatit duke alarmuar banorët e zonës. Ata janë përpjekur që me mjete rrethanore të shuajnë flakët por zjarri është përhapur dhe ka rrezikuar dhe jetët e tyre. Menjëherë janë lajmëruar policia dhe zjarfikëset të cilat kanë mbërritur në vendngjarje. Ka qenë shumë e vështirë vënia nën kontroll e zjarrit për shkak të terrenit të thyer ku zjarrfikësit e kanë të pamundur të ndërhyjnë me mjetet e tyre. Dyshohet se zjarri ka qenë i qëllimshëm dhe është vënë nga një banor i zonës. Ndërsa flakët kanë përpirë 150 ha ullishte, policia ka avancuar me hetimet e saj dhe ka shoqëruar si shkaktar të vënies së zjarrit një fshatar nga Shënapremte. Efektivët dyshojnë se fshatari e ka ndezur zjarrin që të hapë kullota të reja
Elbasan, zjarret djegin ullishta dhe drufrutorë
Vatra të reja zjarri janë regjistruar në zonën e Elbasanit 24 orët e fundit. Zjarri i parë shpërtheu gjatë orëve të paradites në afërsi të fshatit Gjolenë, 50 km larg Elbasanit. Në fillim flakët janë shfaqur në tokat hamullore të banorëve të fshatit. Më pas zjarri ka dalë jashtë kontrollit dhe ka përfshirë pyjet dhe kodrat përreth duke shkrumbuar ferra, shkurre, ullinj, pemë frutore dhe vreshta me rrush.Për shkak të përmasave, zjarri ka alarmuar banorët e fshatit të cilët janë angazhuar për fikjen e tij me mjete rrethanore. Më pas janë lajmëruar edhe zjarrfikëset të cilat janë afruar pranë vatrës edhe pse terreni ka qenë tepër i vështirë.Lufta me flakët ka vazhduar deri në orët e vona të pasdites. Dëme në njerëz dhe në banesa nuk ka patur, ndërsa dëmet financiare përllogariten në miliona lekë për shkak të djegies së ullishtave, pemëve frutore dhe vreshtave me rrush. Në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor i cili po punon për të gjetur shkaqet e rënies së zjarrit. Sipas të dhënave të para, dyshohet që zjarri të jetë shkaktuar nga pakujdesia ose si pasojë e vënies së flakës sipërfaqeve me hamullore. Policia ka shoqëruar disa persona.
Një orë më vonë, një vatër zjarri u shfaq edhe në fshatin Thanë në afërsi të qytetit të Cërrikut. Në këtë vend flakët kanë përfshirë ferra, shkurre dhe pemë frutore. Për shkak të terrenit të vështirë në fikjen e flakëve zjarrfikësit kanë përdorur mjete rrethanore dhe në aksion janë përfshirë vetë banorët e zonës.