E Diel, 1 Nëntor 2026

Divorcet, 630 padi në gjykatë për dy muaj

Autori i Lajmit: Redaksia

Gjykata e Tiranës ka pritur fluksin më të madh të kërkesave për divorc, këto vitet e fundit. Viti 2010, vetëm në dy muajt e parë të tij ka shënuar 630 kërkesa të tilla, në sekretarinë e kësaj gjykate.
Një fenomen që po haset shpesh është që përveç rritjes së kërkesë-padive për divorc, gjyqtarët po konstatojnë dita-ditës se çiftet që ndahen detyrohen të jetojnë në të njëjtën banesë për shkak të kushteve të vështira ekonomike. Po ashtu po zbehet shpresa se midis çiftit ekziston mundësia e pajtimit.
Zhgënjimi
Gjyqtarët tregojnë se pala që ka marrë iniciativën për tu divorcuar është aq i zhgënjyer nga martesa, sa nuk i duhet shumë kohë për ta menduar nëse do ti shkojë procesit deri në fund. Problemi thellohet edhe më tej për të gjithë ata që kanë fëmijë dhe duhet vendosur mbi kujdestarinë e tyre. Jo pak raste kthehen problematike për shkak se baballarët nuk paguajnë pensionin ushqimor të vendosur nga Gjykata. Madje gjyqtarët shkojnë edhe më tej, duke thënë se një pjesë e mirë e grave të ndara, që denoncojnë për dhunë jetojnë në të njëjtën çati me ish-bashkëshortët. Kjo situatë tregon më së miri se për to nuk ka qenë zgjidhje as divorci. Shifrat e frikshme për divorcet mes çifteve sa vijnë dhe rriten në kryeqytet. Një vit më parë, në të njëjtën periudhë, nuk ishin regjistruar as gjysma e këtyre padive, të cilat tashmë janë shpërndarë të gjitha nëpër zyrat e gjyqtarëve civilë. Një vit më parë shifrat tregonin se në një ditë ndahen dy çifte. Kjo nuk vlen më për muajt e parë të vitit 2010; kjo shifër gati është pesëfishuar më shumë. Avokatët që merren me këto çështje civile tregojnë se pasojat e para bien mbi fëmijët, të cilët shpeshherë janë dëshmitarë të grindjeve të prindërve edhe në sallat e gjykatës. Sipas tyre, duke qenë se faktori ekonomik është një ndër arsyet që i çon çiftet shqiptare drejt ndarjes së ligjshme, për të vendimi i gjykatës vetëm sa shton konfliktet.
Ndarja e pasurisë
Ndarja e pasurisë konsiderohet si një ndër pikat më të nxehta të çifteve që spara gjejnë gjuhën e përbashkët. Për këtë arsye, në lidhje me pasurinë shpeshherë duhet të vendosë gjyqtari që gjykon çështjen. Duke qenë se rezulton se çifti ka vetëm shtëpinë, atëherë iu lihet nga një dhomë dhe banjë me përdorim të përbashkët. Për momentin gjykata i lan duart me konfliktin e ish- bashkëshortëve, por pasojat ndihen në ditët në vazhdim. Kryesisht janë këto gra të cilat duke qenë se nuk i shpëtojnë dot dhunës së ish-bashkëshortit, u drejtohen autoriteteve përkatëse për ti mbrojtur. Me gjithë këtë dhunë, sërish ato nuk kanë guximin ti shkojnë deri në fund kërkesës së tyre për shkak se jetojnë në të njëjtën shtëpi. Shumica e padive të tilla pushohen nga gjyqtarët për shkak se asnjë nga gratë që pretendojnë se janë dhunuar nuk paraqiten në seancën e parë. Zbatimin e vendimit Gjykata ua beson përmbaruesve. Me dhjetëra dosje për vite me radhë rezultojnë si të pazbatueshme nga Përmbarimi pikërisht për shkak të konflikteve mes çifteve të ndarë.

Ky lajm është publikuar: 07/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›