E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpërthimet në Rrëshen-Kalimash, dhjetëra të pabanueshme

Autori i Lajmit: Redaksia

Duket se shpërthimet e fuqishme që janë kryer gjatë punimeve në autostradë, segmentin Rrëshen-Kalimash, po e japin efektin e tyre në disa fshatra të Mirditës përgjatë të cilës kalon ajo. Por më të theksuara problemet me rrëshqitjet e disa vendeve, vihen re aty ku ka pasur gurore, të cilat janë përdorur për të bërë mure e mbushje,si dhe për shtresat dhe nënshtresat e tabanit të autostradës ku janë përdorur bazalte të rajonit të përmendura për fortësinë e tyre. Problemi është ndeshur në fshatin Konaj të komunës Fan, ku prej disa muajve për herë të parë ka filluar fenomeni i rrëshqitjeve, i panjohur më parë për këtë zonë. Janë jo pak shtëpi, trualli i të cilëve ka marrë plasaritje ndërsa në disa vende janë përftuar rrëshqitje të mëdha e të frikshme, duke i bërë banesat të pabanueshme dhe qëndrimin më tej në zonë tejet të frikshëm. Këtë shqetësim e kanë ngritur jo pak familje, ndërsa këto ditë janë bërë të pabanueshme tre shtëpi në Konaj; ajo e Ndue Kecit, Ndue P. Shkurtit dhe Ndue Shyti, banorët e të cilave janë evakuar nga komisioni i emergjencave civile. Shtëpitë e këtyre banorëve janë tërësisht të pabanueshme gjë që është konkluduar dhe nga komisionet përkatëse që kanë verifikuar por zgjidhje nuk është dhënë ende, ashtu si për shumë familje të tjera në Mirditë, kryefamiljarët e të cilave detyrohen të lëvizin me dosje nën sqetull për dëmshpërblimin.

Ky lajm është publikuar: 07/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›