E Diel, 1 Nëntor 2026

Karamanlis i shtrin dorën e bashkëpunimit Enver Hoxhës

Autori i Lajmit: Androkli Dralo
Beograd, 8 shtator 1975 – Politika e koklavitur e Ballkanit ka marrë një kthesë të re interesante me propozimin e kryeministrit grek, Kostandin Karamanlis, për një sistem të ri bashkëpunimi ballkanik, i projektuar për tu dhënë fund shekujve grindje dhe armiqësi mes gjashtë vendeve të rajonit. Muajin e shkuar kryeministri grek u dërgoi një letër udhëheqësve të Jugosllavisë, Turqisë, Rumanisë, Bullgarisë dhe Shqipërisë, ku u propozonte një takim të nivelit ministror për të përcaktuar fushat direkte të bashkëpunimit. Karamanlis sugjeroi marrëveshje energjetike, transporti tregtar, dhe kulturore. Sipas kryeministrit grek, këto ishin disa fusha të hapura për të pasur një lidhje shumë frytdhënëse. Ky propozimi i fundit i liderit grek reflekton frikën e tij për paqëndrueshmërinë e vazhdueshme politike që ka mbërthyer rajonin e Ballkanit dhe ai kërkon të ndjekë një rrugë më të pavarur të politikës së jashtme greke pas pothuajse tre dekadash aleancë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Unë nuk besoj se do të ketë një luftë botërore. Por ka një vend jashtë Lindjes së Mesme ku mund të ketë luftë rajonale, dhe ky është Ballkani”, - citohet Karamanlis nga gazeta londineze “The Times of London”. “Këtu jetojnë pesë raca, fe dhe sisteme të ndryshme politike që takohen dhe bashkëjetojnë me njëri-tjetrin. Ekuilibrat e pushtetit janë shumë delikate. Ajo çfarë ne kemi nevojë është ta forcojmë këtë ekuilibër”, - tha më tej kryeministri grek. Në mënyrë të veçantë, grekët i frikësohen një konflikti të mundshëm greko-turk për problemin e Qipros, detit Egje dhe një tentative të mundshme nga ana e sovjetikëve për të ndikuar zhvillimet në Jugosllavi pasi presidenti Tito të vdesë. Duke nënvizuar propozimin grek me besimin se një epokë e re marrëdhëniesh mes vendeve të Ballkanit do të krijonte interesa të pafund në bashkëpunimin mes këtyre gjashtë vendeve, dhe do ti çlironte kështu fqinjët nga presionet dhe armiqësitë tradicionale që i kanë shoqëruar këto vitet e fundit. Propozimi, të paktën teorikisht, është në interes të të gjitha shteteve të rajonit. Sipas diplomatëve grekë, ata kishin marrë një përgjigje pozitive nga Rumania, Bullgaria dhe Jugosllavia, gjatë turit ballkanik që kryeministri Karamanlis pati këtë verë në këto vende. Megjithatë, propozimi zyrtar ka marrë shumë pak vëmendje publike deri tani në kryeqytetet e Ballkanit. Rajoni duket i ndarë në mënyrë të pashpresë, politikisht dhe ideologjikisht. Shqipëria, udhëheqja e së cilës ndjek një linjë të politikave staliniste, është në aleancë me Kinën e Kuqe dhe nuk gëzon marrëdhënie fort të shëndosha me pesë vendet e tjera të rajonit. Rumania dhe Bullgaria, të dyja anëtare të Traktatit të Varshavës kanë pasur debate për çështjen e kufijve mes tyre. Ndërsa Bullgaria është një aleate e palëkundur e Bashkimit Sovjetik, Rumania ka treguar një farë pavarësie ndaj politikës së Kremlinit. Krejt ndryshe paraqitet rasti i Jugosllavisë, e cila vazhdon me politikën e saj komuniste të mosrreshtimit. Titoja ka pasur probleme të vazhdueshme me Bullgarinë lidhur me Maqedoninë dhe Greqinë deri pak kohë më parë. Të gjitha qeverive komuniste përveç asaj të Beogradit dhe Turqisë, e cila për shekuj me radhë ka sunduar të gjithë rajonin e Ballkanit gjatë periudhës së Perandorisë Osmane, nuk u beson askush. Debatet për kufijtë dhe akuzat e shpeshta për keqtrajtimin e minoriteteve të ndryshme etnike e kanë torturuar rajonin përgjatë gjithë këtij shekulli. Pothuajse të gjitha shtetet janë përfshirë në konflikte të hapura apo të fshehura me njëra-tjetrën. Të gjashta këto vende kanë qenë në konflikt. Jugosllavët u kanë dhënë një ndihmë të jashtëzakonshme komunistëve grekë gjatë Luftës Civile Greke pas Luftës së Dytë Botërore. Konflikti përfundoi vetëm pas ndarjes jugosllave-sovjetike dhe fundit të mbështetjes së Beogradit për komunistët përtej kufirit jugosllavo-grek. Kundër këtij sfondi shumë kompleks, çdo propozim për një bashkëpunim rajonal përballet me vështirësi të panumërta. Në të vërtetë, ka një problem nëse Shqipëria, e cila deri tani ka refuzuar çdo lloj pjesëmarrjeje në çdo negociatë evropiane, dhe dyshohet nëse do ti përgjigjet pozitivisht propozimit të Karamanlisit. Kritikët diplomatikë të kryeministrit grek thonë se numri 1 i qeverisë së tyre po përpiqet të bëjë miq të rinj në një rajon që tradicionalisht e kanë rrethuar armiq, si për shembull Turqia. Këta të fundit, duke iu frikuar një izolimi të mundshëm ndërkombëtar në problemet e tyre me Greqinë për Qipron dhe Detin Egje, kanë ndërmarrë vetë një nismë si ajo e grekëve për tiu ardhur rrotull fqinjëve në Ballkan. Kryeministri turk, Sulejman Demirel, i cili së fundmi ka qenë një vizitë zyrtare treditore në Bukuresht, firmosi një deklaratë të përbashkët me presidentin rumun Nikolae Çaushesku, e cila parashikonte promovimin e marrëdhënieve bilaterale dhe një bashkëpunim më të ngushtë në të gjitha fushat në Ballkan. Mbështetësit e këtij plani të fundit të Karamanlisit nënvizojnë përfitimet praktike që do të sjellë një bashkëpunim ndërballkanik dhe thonë se realizimi me sukses i tij do të rriste shanset e zbatimit konkret të parimeve të Konferencës së Helsinkit.

Ky lajm është publikuar: 07/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›