E Diel, 1 Nëntor 2026

“Perandori”, në fushë që nga fillimi

12/06/2005  Ndonëse ka ardhur nga Brazili vetëm të premten pasdite, Adriano do të jetë në fushë që nga minuta e parë kundër Romës. Pavarësisht nga tensionet e ditëve të fundit, trajneri Mançini ka vendosur t’i japë një bluzë titullari, në krah të argjentinasit Kruz. “Perandori” ka qenë i impenjuar ditët e fundit me Kombëtaren braziliane dhe dëshironte të kthehej në Itali vetëm ditën e djeshme, por këtë radhë Interi nuk e ka toleruar. Ka qenë vetë presidenti Xhiaçinto Faketi ai që i ka urdhëruar të enjten të kthehet sa më shpejt në Itali. Nuk është hera e parë që Adriano krijon probleme me vonesat e tij për kthimin nga Brazili dhe këtë radhë do të ishte me të vërtetë një problem serioz, duke qenë se sot në mbrëmje është ndeshja me Romën, për Kupën e Italisë. Vetë Adriano e ka kuptuar situatën dhe pas stërvitjes së djeshme ka dashur të sqarojë gjithçka: “Për mua është shumë e rëndësishme të jem në këtë finale, sepse është e para e karrierës sime me Interin. Për këtë arsye, kur kam shkuar në Brazil kam biseduar me trajnerin Parreira që të më lejonte të kthehesha në Itali, të paktën për finalen e parë. Në Romë, shpresoj që të luaj mirë dhe të ndihmoj skuadrën të arrijë fitoren. Ditët e fundit kam dëgjuar disa gjëra që më kanë mërzitur. Për këtë arsye, dua të përsëris që jam mirë tek Interi dhe nëse kam thënë gjë, e kam bërë për të stimuluar skuadrën, për të marrë disa përgjegjësi më të mëdha dhe jo sepse dua të iki, ose sepse nuk ndihem mirë këtu. Dëshira ime e vetme është të fitoj me Interin”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›