“Divorci me Rexhinën ishte ngjarje befasuese”
AFRIM IMAJ
“Ka mjaft legjenda që qarkullojnë për Nanon, por nuk qëndrojnë. Është e vërtetë që aventura në jetën e tij nuk ka qenë e huaj, por shumë nga ato që thonë, ia adresojnë nga pozita denigruese e dashakeqësie”.Pavarësisht se Agolli mundohet të fshehë ndonjë rezervë të vetën për njeriun që i ka shërbyer për 15 vite me radhë, është i bindur se shumica e veseve të atribuara për të, janë produkt i konfliktit politik dhe i kostos që Nano do të paguante për të.
Ai pohon në vazhdim të intervistës për gazetën “Panorama”, se e ka përjetuar me dhimbje të madhe lajmin për divorcin me Rexhinën dhe lidhjen me Xhoanën, ndërkohë që hedh poshtë zërat se shefi i tij ka qenë një maniak i pijeve alkoolike. “Vetëm një herë e kam parë shefin të turbulluar nga pija”, këmbëngul Agolli duke iu referuar gjendjes së Nanos në përfundim të dasmës me nusen e dytë Xhoanën te “Mak Albania”. Më tej, njeriu besnik i liderit historik të së majtës, që i ka qëndruar për 15 vjet në krahë, kujton hobin e tij për makinën, futbollin, e notin, duke mos harruar edhe pijet e preferuara “Xhinin” dhe verën franceze. Rrëfimi i Agollit nga fillimi në fund preokupohet nga meraku për të përmendur emrat e shokëve të tij, me të cilët ka ndarë ditët e netët më të vështira në mbrojtje të liderit historik. “U kërkoj falje, shton ai, që nuk kam mundësi t’i përmend me emra të gjithë...”
Çfarë mbani mend nga ngjarjet e ‘96 e ‘97 kur represioni ndaj PS-së dhe liderëve të saj arriti kulmin? ...
Në vitin 1996 unë vazhdoja të isha pjesë e grupit të njerëzve, që merrnin në mbrojtje liderët e të majtës. Kam qenë gjatë gjithë fushatës elektorale të majit të atij viti i angazhuar në veprimtaritë e shumta, që bënte PS-ja në të gjithë vendin. Ndërkaq, jam një nga dëshmitarët okularë të dhunës e represionit të pashembullt që ushtruan organet e policisë ndaj anëtarëve dhe simpatizantëve të së majtës. Kulmi i tërë këtij represioni të dhunshëm arriti në ditën e zgjedhjeve të majit ‘96, të cilat i manipuluan madje forcërisht forcat e rendit, të SHIK-ut, ato të organeve tatimore e doganiere etj. Reagimi i opozitës në atë kohë ndaj këtij manipulimi e përshkallëzoi më tej dhunën e terrorin e shtetit ndaj saj. Shqiptarët, por edhe të huajt që ishin në atë periudhë në Shqipëri patën rastin më 28 maj të ’96, të shikonin spektaklin e një barbarie të vërtetë me protagonist forcat e Sigurimit së Shtetit, të cilat u sulën me tërë urrejtjen dhe tërbimin e papërmbajtshëm mbi liderët opozitarë, që demonstruan në sheshin “Skënderbej”. Gjendja e terrorit ndaj opozitës vazhdoi deri në pranverën e ’97, kur filloi mosbindja qytetare dhe situata precipitoi në kaos total...
Kaq të armiqësuara ishin strukturat e shtetit me liderët dhe simpatizantët e të majtës?
Këtu nuk dua ta përgjithësoj tërë korpusin e njerëzve të rendit, por desha të nënvizoj vetëm atë pjesë, që u përdor në mënyrën më të keqe në mbrojtje të interesave meskine e antidemokratike të autoriteteve, që donin ta mbanin pushtetin me forcë. Roli i kobures që ata bënin, mbeti turpi i tyre për tërë jetën. Megjithatë, pati ndër ata që mbajtën qëndrim të ndershëm e objektiv, madje kishte të tillë që edhe u distancuar nga sjelljet agresive të kolegëve të tyre. Me këtë rast, desha të vë në vëmendje të opinionit një lloj qëndrimi parimor të ish-ministrit të Rendit të asaj periudhe, Agron Musaraj. Ai ndoshta ka qenë nga të vetmit zyrtarët të lartë të PD-së, që ishte kundra veprimeve të tilla. Bile, me sa më kujtohet nuk hezitonte të takohej edhe me shokët tanë e t’i dëgjonte për çfarë i ankoheshin lidhur me veprimet e vartësve të tij...
Kur u kthyet në detyrën e truprojës së Fatos Nanos?
Menjëherë sapo shefi doli nga burgu. Më pas kam përjetuar me të, të gjitha incidentet që na ndodhën në atë periudhë shumë të vështirë...
A u kujtohen disa nga këto incidente?
Me fillimin e aktivitetit të shefit pas daljes nga burgu, incidentet u shtuan. Fushata elektorale për zgjedhjet parlamentare të qershorit ‘97 e bëri situatën më kritike e shpërthyese. Ndër përplasjet e asaj periudhe do të veçoja pritën e njerëzve të Berishës në hyrje të Mamurrasit dhe atë tek Ura Vajgurore, ku u vranë edhe katër policë pas mitingut në qytetin e Beratit. Tanimë nuk bëhej fjalë për incidente të zakonshme, po për përplasje të përgjakshme, që sollën tragjedi njerëzore...
Ngjarja e Urës Vajgurore është rikthyer disa herë në vëmendjen e opinionit, ju jeni një nga dëshmitarët okularë të saj...
Ishim duke shkuar në qytetin e Beratit për të marrë pjesë në një miting të paralajmëruar të PS-së. Kundërshtarët kishin marrë masa për të penguar futjen e Nanos në qytet dhe kishin bërë pritë tek hyrja e urës mbi lumin Osum. Njerëz të armatosur ishin grumbulluar te shkolla, që ishte në krahë të majtë të urës. Një pjesë tjetër edhe më e madhe nga kjo ishte vendosur te pallatet përreth. Të gjithë të armatosur, madje edhe me armë të rënda e pushkë snajperë. Urdhri që kishin marrë kishte të bënte me pengimin e Nanos për t’u futur në Berat. Kur mbërritëm aty u detyruam të ndalojmë tek hyrja e urës. Shefi, shoferi dhe unë qëndruam në makinë. Shoqëruesit e tjerë filluan ta kontrollojnë rrugën dhe të negocionin me ata që na kishin bërë pritën. Nga sa mësuam aty, po atë ditë në fshatin Poshnjë, pranë Beratit kishte qenë lideri i PD-së Genc Pollo, me të ndjerin Azem Hajdari, të cilët shoqëroheshin nga një grup njerëzish. Ata kishin qëndruar edhe te Ura Vajgurore. Aty kam parë një turmë njerëzish të armatosur, që qëndronin te vila e Bardha Protoduarit dhe shanin e bërtisnin në gegërisht. Kur mbaroi mitingu u nisëm të dilnim nga qyteti nën vëzhgimin e forcave të rendit. Gjatë rrugës kemi marrë vesh se, njerëzit që qëndronin në vilën te Ura Vajgurore kishin qëlluar me anti tank autoblindën e policisë që na shoqëronte. Më vonë morëm vesh edhe për të vrarët e kësaj masakre...
Po ngjarje të tjera të vështira keni përjetuar gjatë kohës që shoqëronit Nanon?
Ka pasur mjaft ngjarje e situata kërcënuese gjatë periudhës së vitit 1997. Nga më të rrezikshmet do të veçoja hyrjen e Nanos për herë të parë në Vlorë pas rënies së firmave piramidale, në kushtet e një kaosi të jashtëzakonshëm, me banda të armatosura e grupe banditësh, që përlesheshin e vrisnin njerëz për asgjë. Megjithatë, ne u futëm dhe bëmë një miting madhështor...
Gjatë asaj periudhe është folur për një përplasje të bodigardëve të Nanos e Berishës...
Asnjëherë dhe në asnjë rrethanë nuk ka ndodhur që ne shoqëruesit e Nanos të përplaseshim me ata të Berishës. As që bëhej fjalë në atë periudhë as nga ne, as nga shoqëruesit e Berishës për t’u përplasur. Madje, ka ndodhur kur u bënë shpërthyese ngjarjet e ’97, që ne të takoheshim me ta e të bisedonim bashkërisht. Ka qenë një takim konstruktiv diku afër Bankës Kombëtare. Ideja e tij kishte të bënte me korrektesën e marrëdhënieve në detyrat respektive si truproje të dy liderëve kundërshtarë. E vërteta është se kemi gjetur gjuhën e përbashkët dhe pastaj kemi vazhduar secili në pozicionin e vet...
Çfarë mbani mënd nga tensioni në ditën e varrimit të Azem Hajdarit në Tiranë dhe rrethanat në të cilat Nano braktisi zyrën për t’u larguar në Maqedoni?
Në ditën e varrimit së të ndjerit Azem Hajdari, ishte duke u zhvilluar mbledhja e qeverisë. Unë dhe truprojat e tjerë ishim rreth e qark godinës së Kryeministrisë. Një natë më parë në Tiranë kishte pasur trazira, të iniciuara nga vrasja e Azemit. Të gjitha turmat e PD atë ditë nuk kërkonin gjë tjetër vetëm kokën e Fatos Nanos, me emrin e të cilit lidhnin urdhërdhënësin e atentatit. Janë bërë tentativa për të marrë Kryeministrinë dhe ata janë futur në ndërtesë, duke thyer e shkatërruar çdo gjë që gjenin përpara. Përplasja e forcave të Gardës me turmat e armatosura shkaktoi disa të plagosur. Sa për largimin e Nanos për në Maqedoni, detajet e këtij evakuimi unë nuk i di me saktësi, pasi në grupin e shoqërimit të asaj dite unë nuk kam qenë i pranishëm. Po di të them se, në ato situata Nano mund të shpëtonte vetëm duke u evakuuar, siç ndodh kudo në vendet demokratike, kur kërcënohet jeta e personaliteteve shtetërore...
Nano është parë mjaft herë në Tiranë në timonin e makinës së kryeministrit duke e drejtuar vetë. A sillte vështirësi kjo për juve...
Tashmë e dinë të gjithë hobin e Nanos për makinën. Me sa e njoh unë këto 15 vjet ai di të drejtojë të gjitha llojet e automjeteve, duke filluar nga traktorët, veturat e deri te kamionët e mëdhenj. Kjo mani me sa më ka treguar është e trashëguar që nga rinia e tij. Sa ka mbaruar universitetin shefi ka shkuar për të punuar ekonomist në një kooperativë bujqësore. Aty ka mësuar për herë të parë të drejtojë motorin “Java”, që e kishte ndërkaq pjesë të detyrës së tij. Më pas, me sa di unë ka mësuar edhe makinën. Shefin e kam parë për herë të parë në timonin e një “Land Roveri” pak muaj para se të burgosej. Ishin makinat e para, që PS-së ia dhuroi Kraksi në shenjë të miqësisë midis të majtëve të dy shteteve. Ai ishte i pari që i provoi. Pastaj përditë ngiste vetë makinën...
A lejohej sipas rregullores tuaj ky veprim që bënte Nano?
Me rregulloren tonë kjo nuk lejohet. Po kështu, e njëjta rregullore nuk të lejon të kundërshtosh urdhrin e shefit. Ca më tepër të një shefi si puna e Nanos, që nuk para merakoset për barrierat e rregulloreve në të tilla raste. Mbi të gjitha dua të sqaroj se, shefi ka marrë prej vitesh patentën për drejtim automjeti...
Gjithsesi, po të zbatohej rregullorja nuk do të ndodhte aksidenti, që i kushtoi shefit gishtërinjtë e njërës dorë...
Ka qenë një ngjarje që unë e mora vesh në Athinë, ku kurohesha në një spital. E pashë në ekranin e televizorit, që kisha në dhomë emrin e shefit në një fjali me titra greqisht dhe menjëherë thirra motrën time që dinte gjuhën. Ajo më tha se bëhej fjalë për një aksident me makinë të Fatos Nanos në afërsi të Tepelenës dhe se në të ishte dëmtuar rëndë në njërën dorë...
Në opinion flitet për një situatë të rëndë të Nanos në një miting në Kavajë. Cila është e vërteta?
E vërteta nuk është ajo që kanë hapur simpatizantët e PD-së së Kavajës, sipas të cilëve Nano mbeti rob në duart e tyre për disa minuta dhe shprehu pendesën, që nuk ishte rreshtuar nga krahu i djathë. Kam qenë dëshmitar i atij mitingu. Gjithçka ka të bëjë me përpjekjet e dështuara të mitingaçëve të PD-së për të prishur mitingun e socialistëve në qendër të qytetit. Ishin zgjedhjet e vitit 2003. Shefi kishte shkuar aty për të mbështetur kandidaturën e Sali Voglit që konkurronte me Saliun e madh të PD-së. Mitingu u bë, madje me pjesëmarrje të kënaqshme. Kjo vlerësohej si humbje për PD-në e qytetit, prandaj veprimtarët e saj bënë ç’është e mundur për ta prishur rrjedhën e tij. Arritën madje të angazhojnë edhe hoxhën e qytetit, që të këndonte në momentin kur Nano fliste para simpatizantëve të së majtës në qendër të Kavajës...
Zoti Agolli, ka një opinion sipas të cilit, Nano bën jetën e sheikut...
E kam dëgjuar dhe e dëgjoj përditë këtë opinion të pavërtetë. Unë di të them, që ai bën mënyrën e tij të jetesës, kuptohet diçka përtej jetesës së njerëzve të zakonshëm, por kurrsesi atë të sheikut. Frekuenton gjatë javës lokalet e Tiranës “Sky Toëer”, “Xibraku”, “Taivani”, “Piazza” “Princ Parku”, në të cilat sipas rastit kalon drekën e darkën me familjarët e miqtë. Gjithnjë ka qenë jashtë preferencave të tij “Rogneri” e “Sheratoni”. Konsumon një meny përgjithësisht të thjeshtë, me preferencën për zarzavate të pjekura dhe verë të prodhimit italian e francez. Nuk është maniak për mish, por sa herë ia servirin kërkon pjesë të veçanta të shpatullës. Përgjithësisht, ka dëshirë të kalojë orë të tëra në tavolinë. Për mëngjes zakonisht përdor vezë, domate e tranguj shoqëruar me një gotë qumësht...
Diçka për hobin Nanos...
Hobi i Nanos ka qënë makina, futbolli e sidomos noti. Megjithëse loja me të është disi e vështirë, pasi nuk të lë të mbyllet ndeshja pa fituar ekipi i tij. Po kështu preferon verën dhe xhinin..
Thonë se Nano pi shumë e shpesh dehet...
I kam dëgjuar edhe këto zëra, po me aq sa e njoh unë Nanon këto 15 vjet di të them se, asnjëherë nuk e kam parë të dehur. Kur ulet për të drekuar apo për të kaluar darkën pi deri afër një shishe verë, të cilën qëllon që nuk e mbaron. Në periudhë pushimi kur shkon në bar me të njohurit e miqtë konsumon deri një dopjo xhin, gjithnjë të përzier me një sasi të konsiderueshme sprait. Kam vënë re se atij më shumë se pija i shijon biseda me shokët,me të cilët ulet në tavolinë. Biseda dihet që nuk të deh.
Asnjëherë nuk e ke parë Nanon të dehur?
Të them të drejtën asnjëherë. Kur e them në mënyrë kategorike këtë, dua të përjashtoj një rast. E kam parë një herë shefin disi të shpërfytyruar e të turbullt, po gjithsesi të vetëpërmbajtur. Kishte ardhur në këtë gjendje në mbyllje të dasmës me Xhoanën. Pikërisht kur do të iknim nga ajo mbrëmje e madhe, me rreth 200 të ftuar te Mak Albania në Golem të Kavajës, shefi pati një moment të vështirë. Më shumë se avujt e alkoolit, një çast reflektimi rreth asaj, që pagëzohej në atë ceremoni të veçantë, e kishte bërë ta humbiste drejtpeshimin. Një ngërç psikologjik më shumë se një gjendje dehjeje...
Diçka tjetër, si jeni ndjerë kur keni marrë vesh se Nano do të divorcohej me Rexhinën dhe do të lidhte kurorë me Xhoanën?
Më ka therur thellë në shpirt ky lajm i trishtuar. E kam përjetuar njëlloj, sikur të më thoshin se janë divorcuar prindërit e mi. Megjithatë, mu desh të pajtohesha me këtë zgjedhje që kishte bërë...
A shkëmbeni mesazhe me Nanon tani, që nuk jeni në krahë të tij?
Për herë të fundit jam takuar para disa kohësh në ceremoninë mortore të të atit, Thanasit. E kam ngushëlluar dhe kaq. Më tej nuk jam takuar me të. Ai ka kohë, që rri larg familjes së tij. Nuk e di për çfarë po e vërteta është se ka muaj e vite që dëshiron të rrijë larg vëmëndjes së opinionit.
Dëshironi t’i çoni ndonjë mesazh me këtë rast?
Do t’i thosha të kthehet në familjen e tij politike. Unë jam nga ata njerëz që nuk e fsheh mungesën e tij të gjatë pavarësisht arsyeve. Do t’i kujtoja atë që më ka thënë dikur se, politika është si puna e sportit. Ka nevojë për lojtarë e trajner, për të rinj e të vjetër, për energjikë e të talentuar. Ka nevojë për harmonizimin e të gjithë talenteve. Ndryshe gjërat nuk ecin mirë. E tregoi këtë më së miri rezultati i zgjedhjeve në Kashar...
E bija, dobësia e Nanos
“Fatos Nano ka pasur një familje të mrekullueshme. Dy prindër intelektualë, dy motra fisnike, dy fëmijë të dashur”. Teksa anashkalon veçorinë e familjes së re, Agolli flet me nostalgji për strehën e vjetër, ku ish-shefi i tij ka kaluar pjesën më të madhe të jetës. Veçanërisht e bija, shprehet ai, ka qenë dobësi e shefit. Pastaj shton se Nano përgjërohej për të dhe shqetësohej jashtë mase, kur merrte vesh se diçka nuk shkonte mirë në shëndetin e saj. Për Agollin kanë qenë mbresëlënëse lidhjet me të atin, Thanasin, sidomos pas vdekjes së Maries. Pavarësisht se ishte shumë i zënë me pune, thekson truproja e Nanos, do të gjente kohë dhe një herë në javë do të darkonte me të patjetër.