E Shtunë, 31 Tetor 2026

Itali/ Viçenca rihidhet në sulm për Bogdanin

Klubi i Kievos është i gatshëm ta largojë Erjon Bogdanin nga skuadra, por për t’u realizuar kjo krerët e skuadrës verdheblu duhet të kalojnë shumë pengesa. 

Viçenca gjatë ditëve të fundit ka shprehur hapur interesimin e saj për qendërsulmuesin e Kombëtares shqiptare, por transferimi drejt skuadrës që militon në Serinë B duket shumë i vështirë. Problemi i parë është që Bogdani nuk dëshiron të privohet nga Seria A, pasi dëshiron që të tregojë vlerat e tij pas dy sezoneve jo fort bindëse me Kievon dhe Livornon. Problemi tjetër, që është gjithashtu po kaq serioz, është çmimi i lartë i kartonit të futbollistit (3.8 milionë euro) si edhe paga e tij e lartë prej 950 mijë eurosh në sezon. Ndërkaq lojtari ka thënë se dëshiron të qëndrojë te Kievo, por nëse do t’i duhet që të shkojë të largohet nga klubi veronez, atëherë do të jetë ai që do ta zgjedhë skuadrën dhe jo klubi. Lojtari ka paralajmëruar drejtuesit e verdhebluve se nuk do të shkojë askund në formë huazimi, pasi eksperienca e tij te Livorno sezonin e kaluar, tregoi se nuk ishte një zgjedhje e mirë. Ndërkaq, drejtuesit e Kievos megjithëse në deklaratat e tyre janë shprehur se dëshirojnë që Bogdani të qëndrojë në ekip, duket qartë që ata janë të hapur për çdo ofertë që vjen për sulmuesin shqiptar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›