E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për kontrabandë, pranga biznesmenit

Arrestohet për kontrabandë dhe falsifikim dokumentesh biznesmeni Fatmir Merkaj. 

GJIROKASTER / PIRO NASE

Një urdhër-arresti i lëshuar nga policia e Gjirokastrës, çoi dje në pranga sipërmarrësin në disa veprimtari private. Merkaj, i njohur si biznesmen ndërtimi, pronari i linjës së perdeve me emrin e tij dhe pijeve, u arrestua mesditën e djeshme nga forcat e komisariatit numër 2 në Tiranë, pasi ishte shpallur në kërkim prej rreth 2 muajsh. Menjëherë pas ndalimit, 39-vjeçari është transportuar drejt Komisariatit të Gjirokastrës, i cili, bashkë me Prokurorinë e Rrethit kishte kërkuar arrestimin e tij. Mësohet se prej 6 muajsh kishte nisur hetimi ndaj Merkajt nga specialistët e sektorit të antikrimit ekonomik. Ata u bazuan në padinë e Drejtorisë së Përgjithshme e Doganave, e cila e akuzoi biznesmenin Fatmir Merkaj për kontrabandë mallrash dhe falsifikim të dokumenteve shoqëruese të mallrave, që kanë mundur të hyjnë përmes pikës doganore të Kakavijës në Gjirokastër. Gjatë muajve të fundit, ndaj tij janë kryer hetime intensive si person nën hetim për akuzat e ngritura, madje mësohet se ka dhënë dhe shpjegimet për to. Por, së fundi, ndaj tij Prokuroria ka provuar se kishte prova të mjaftueshme për të firmosur urdhër-arrestin. Merkaj sipas burimeve të mirinformuara nga Prokuroria dhe policia e Gjirokastrës ka konsumuar veprën penale të kontrabandës së mallrave si dhe falsifikim të dokumenteve. Aksioni për kapjen e Merkajt është zhvilluar dje nën një konspiracion të plotë në kryeqytet ku uniformat blu të Tiranës, kanë pasur mbështetjen edhe dy oficerëve të policisë kriminale të Gjirokastrës. Kapja e Merkajt është kryer në banesën e tij në Tiranë dhe më pas është shoqëruar për në ambientet e Komisariatit të Policisë nr.2 në pritje për t'u përcjellë drejt Gjirokastrës, në orët e vona të ditës së djeshme. Që prej 10 vitesh, Fatmir Merkaj ka nisur aktivitetet private, fillimisht në Poliçan e më pas u vendos në Tiranë. Pas hapjes së firmës së perdeve "Merkaj", ai ka zhvilluar një linjë import-eksporti me Greqinë, më pas për t'u zgjeruar me fabrikë pijesh në Tiranë dhe së fundi në aktivitetin e ndërtimit. Biznesi i tij është vendosur nën hetim, pasi Drejtoria e Doganave konstatoi abuzime me kalimin e mallrave, që përdoreshin si lëndë e parë në veprimtarinë në kryeqytet. Pritet që pas arrestimit të biznesmenit të merret nën verifikim i gjithë dokumentacioni i aktivitetit të tij disavjeçar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›