E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata e Lartë zbardh vendimin e Lulzim Bashës

 

TIRANE - Gjykata e Lartë zbardhi dje vendimin e 30 prillit 2009, në ngarkim të Ministrit të Jashtëm Lulzim Basha, ish i pandehur në dosjen "Durrës-Kukës". Bëhet fjalë për vendimin e Kolegjit Penal që prishi dy verdikte të shkallëve më të ulëta të gjyqësorit, që deklaruan të pavlefshme fletë-thirrjen e Bashës në Prokurori (datë 24.11.2008) dhe akt-njoftimin e akuzës për të (datë 27.11.2008). Zbardhja e këtij vendimi i "hap rrugë" Prokurorisë së Përgjithshme të kërkojë rishikimin e vendimit të 10 prillit të Gjykatës së Lartë, që pushoi dosjen dhe "zhveshi" ministrin nga akuzat. Vendimi i 30 prillit, i quajtur si "fitore" e Prokurorisë në këtë dosje, i dha të drejtë pretendimit të prokurorëve që gjykata e shkallë së parë dhe të dytë nuk ishin kompetentë për gjykimin e kërkesave në lidhje me ministrin. "Kolegji penal i Gjykatës së Lartë çmon se gjykatat më të ulëta nuk kishin kompetencë lëndore për të shqyrtuar çështjen, prandaj vendimet e dhëna si nga Gjykata e Apelit Tiranë, ashtu edhe nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë janë të cenueshme dhe duke u konstatuar absolutisht të pavlefshme, duhet të prishen dhe të vendoset pushimi i çështjes në Gjykatën e Lartë", thuhej në arsyetimin e vendimit të Kolegjit Penal. Sipas këtij vendimi, Gjykata e Tiranës dhe ajo e Apelit, në vendimet e tyre, kishin interpretuar dhe zbatuar gabim ligjin dhe shkelur rëndë Kushtetutën. Në përfundim Gjykata vendosi prishjen e dy vendimeve të Apelit dhe Faktit si vendime absolutisht të pavlefshme dhe pushimin e gjykimit të çështjes në Gjykatën e Lartë. ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›