Divorci, Boikeni refuzon në gjykatë pajtimin me ish-gruan
Kantautori i njohur dhe ish-bashkëshortja e tij Olesia, nisin procesin e divorcit në Gjykatën e Tiranës. Të dy palët refuzojnë pajtimin në seancën e parë
Tiranë Kantautori dhe regjisori i njohur, Boiken Lako dhe bashkëshortja e tij kanë vendosur t’i japin fund zyrtarisht lidhjes së tyre disavjeçare. Olesia dhe Boikeni janë paraqitur dje në Gjykatën e Tiranës, në seancën e parë që u zhvillua për procesin e tyre të divorcit. Proceduralisht, seanca e parë zhvillohet për të arritur një pajtim të mundshëm mes palëve, por dy ish-bashkëshortët nuk kanë pranuar të pajtohen mes tyre. Madje, të dy kanë qenë dakord që çështja të kalojë në seancë gjyqësore, duke konfirmuar kështu divorcin përfundimtar. Lajmi për ndarjen e çiftit Boiken dhe Olesia Lako u publikua pak ditë më parë në mediat rozë, të cilat thanë se çifti Lako po kalon një krizë, madje prej kohësh ata nuk jetojnë më bashkë. Ky lajm u zyrtarizua nga vetë çifti, i cili vendosi t’i drejtohet Gjykatës së Tiranës për të zgjidhur zyrtarisht martesën mes tyre. Shorti elektronik përzgjodhi gjyqtarin Arian Kalia për gjykimin e kësaj çështjeje, i cili ditën e djeshme caktoi seancën e parë të procesit gjyqësor. Ish-bashkëshortët u paraqitën në gjykatë rreth mesditës dhe gjatë seancës që zgjati disa minuta pranuan respektivisht të divorcohen. Pas pohimit për divorc me procedurë gjyqësore, gjykatësi i çështjes vendosi të zhvillojë seancën e radhës më datën 9 nëntor. Duke qenë se palët nuk kanë pretendime për pasuri të vënë gjatë lidhjes së tyre martesore, procesi i divorcit në dukje është i thjeshtë dhe mund të përfundojë brenda pak seancash. Lidhja mes Boiken Lakos dhe Olesias nisi rastësisht me njohjen e tyre në një festë ditëlindjeje në vitin 2006. Vetëm pas dy vitesh, Boikeni dhe Olesia vendosën të finalizojnë dashurinë e tyre, kur në datën 27 shtator të vitit 2008, në një ceremoni të thjeshtë artisti i njohur lidhi martesë me të dashurën e tij. Sipas miqve të afërt të çiftit, që prej muajit qershor të këtij viti Boikeni dhe Olesia nuk jetonin më bashkë. Vetëm pak muaj më vonë ata vendosën t’i japin fund zyrtarisht lidhjes së tyre duke iu drejtuar Gjykatës së Tiranës për të ndjekur procedurat e divorcit, të cilat pritet të përfundojnë brenda muajt të ardhshëm. L.Bakillari