I dënuari i bandës së Lushnjës kërkon liri me kusht
Lirimi i njërit prej të pandehurve të bandës së Lushnjës, i shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda, është pasuar dje me një tjetër kërkesë për lirim. Arjan Aliço, i dënuar me vendim të formës së prerë, ka depozituar në Gjykatën e Tiranës një kërkesë me objekt lirimin e tij me kusht. Kërkesa është bërë pasi vendimi që e dënon atë mori formë të prerë në Apel. Duke qenë se Aliço është akuzuar dhe shpallur fajtor për vepër të lehtë penale, sipas kërkesës i lind e drejta të kërkojë lirimin me kusht, duke u vënë në provë për pjesën e mbetur të dënimit. Arjan Aliço, i akuzuar si një nga pjesëmarrësit e bandës së Lushnjës, u arrestua nga policia në shkurt të vitit 2009. Vetëm pak ditë më parë Apeli i Krimeve të Rënda e dënoi atë me 5 vjet heqje lirie, çka i dha të drejtën Aliços t’i drejtohet gjykatës për të kërkuar lirimin me kusht. Duke llogaritur kohën e paraburgimit, rezulton se Aliço ka qëndruar për më shumë se katër vjet në qeli, ndërsa pjesën tjetër të dënimit prej më pak se një vit kërkon ta shlyejë duke u vënë në provë nga drejtësia. Kërkesa e Arjan Aliços është hedhur në short, ku është përzgjedhur edhe gjyqtarja që do ta shqyrtojë atë, ndërsa tashmë pritet nisja e procesit gjyqësor. L.Bakillari