Droga në autobusin drejt Athinës, kapen dy transportuesit
Në Shkodër kanë rënë në pranga dy vëllezër, të cilët kishin fshehur në shtëpinë e tyre 24 kg drogë
Tepelenë Policia identifikon dy transportuesit e drogës së sekuestruar në autobus
Pas hetimeve intensive, policia e Gjirokastrës ka arritur të identifikojë dhe më pas të ndalojë dy persona të dyshuar si transportues të ngarkesës me 25 kilogramë marijuanë, e cila u sekuestrua mbrëmjen e së hënës në autobusin e udhëtarëve Gjirokastër-Tiranë. Sipas burimeve zyrtare në Drejtorinë e Policisë në Gjirokastër, ata janë dy koreografë nga qyteti i Tiranës, 25 vjeçari Nertil Xhani dhe Almenda Hoxha 22 vjeç, që janë ndaluar nga specialistët e Sektorit kundër Narkotikëve për veprën penale të “prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, në bashkëpunim”. Të dy të ndaluarit udhëtonin si pasagjerë në autobus. Ngarkesën prej 25 kilogramësh marijuanë, ata e kishin blerë në fshatin Lazarat dhe do ta shisnin në doza të vogla në Tiranë. Sasia e drogës u zbulua gjatë një kontrolli të ushtruar nga policia në autobusin që udhëtonte nga Gjirokastra për në Tiranë, në vendin e quajtur Luftinjë, 7 km larg qytetit të Memaliajt. Gjatë kontrollit në bagazhet e autobusit policia gjeti dy valixhe, në të cilat ndodheshin 44 pako me lëndë narkotike. Ndërsa policia e Shkodrës ka mundur të sekuestrojë 24 kg lëndë narkotike marijuanë dhe të vërë në pranga dy autorët. Strukturat e antidrogës në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Shkodrës kanë arrestuar në flagrancë dy vëllezërit Petrit dhe Aleks Frroku, përkatësisht 30 dhe 23 vjeç, të dy këta shtetas banues në fshatin Bonjet, Gomsiqe, Bashkia Vau i Dejës, Shkodër. Arrestimi i tyre u bë pasi në sajë të informacioneve të marra nga Seksioni kundër Narkotikëve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut dhe gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tyre pasdrekën e së hënës, në fshatin Bonjet, pikërisht në një ambient që përdorej si stallë bagëtish, pranë banesës se tyre u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale disa thasë plastmasi të mbushur me bimë narkotike marijuanë, në gjendje të tharë, me peshë gjithsej 24 kg.