Divorci Lario-Berluskoni, ndër më të kushtueshmit në historinë italiane
ITALI- Gruaja e kryeministrit italian, Veronika Lario kërkon 43 milionë euro në vit nga divorci me Berluskonin. Lajmi është publikuar nga mediat italiane. Lario kërkoi divorcin nga Berluskoni në muajin maj, e zemëruar nga zërat se Berluskoni kishte lidhje me një modele 18 vjecare. Avokati i saj nuk e konfirmon këtë shifër, por gazeta “Corriere dela Sera” thotë se paratë tashmë janë marrë. Sipas gazetës, Berluskoni i ka ofruar zonjës Lario me të cilën ka tre fëmijë, 200 mijë euro në muaj. Gazeta shkruan se oferta mujore e Berkuskonit është e negociueshme. Gjithashtu zonjës Lario i është ofruar edhe vila ku ajo jeton me fëmijët, të gjithë mbi të 20-at. Rreth 60-70 milionë euro tashmë i janë paguar Veronikës, shkruan gazeta. Avokati i Berluskonit Ipolita Gedini, nuk e konfirmon këtë shifër. Lario 62 vjecare, ish aktore u martua me Berluskonin në 1990, 10 vjet pasi e njohu. Marrëdhënia e tyre ka qënë shpesh në krizë, për shkak të skandaleve seksuale të Berluskonit. Lario ndërkohë është kthyer në zërin mbrojtës të të gjitha grave kundër aferave seksuale të bashkëshortit të saj. Ajo ka kritikuar dhe propozimet e tij për te emëruar gra të reja dhe pa përvojë si eurodeputete. Divorci Lario-Berluskoni është një nga më të kushtueshmit në historinë italiane. Pasuria e Berluskonit llogaritet në 9 miliardë euro.
(m.a/News24/BalkanWeb)
(m.a/News24/BalkanWeb)