E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dossier- Falja e kufijve detarë Greqisë

TIRANE- 
19/11/2009-Urdhri i Berishës për kufijtë detarë, zbulohet vendimi

Ngritja e grupit negociator për përcaktimin e kufirit detar me vendet fqinje është bërë me urdhër direkt të kryeministrit Sali Berisha. “Gazeta Shqiptare” ka siguruar ekskluzivisht kopjen e këtij urdhri të lëshuar në datën 23 gusht 2007, dhe që për dy vjet me radhë është mbajtur sekret nga qeveria. Direktiva e Berishës që i hapi rrugën fillimit të negociatave me palën greke për përcaktimin e kufirit ujor në detin Jon, është bërë së fundmi publike nga Ministria e Punëve të Jashtme.

Referuar këtij dokumenti, kryeministri Berisha urdhëron konkretisht “ngritjen e grupit ndërinstitucional të punës, për përcaktimin e shelfit kontinental me vendet fqinje. Grupi i punës ka për detyrë të përgatisë marrëveshjet për përcaktimin e shelfit kontinental me vendet fqinje. Ai kryesohet nga sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe në përbërje të ketë përfaqësues nga Ministria e Mbrojtjes, Drejtësisë, e Brendshme, e Transportit, e Ekonomisë, e Mjedisit, e Punëve të Jashtme, Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore dhe Instituti i Gjeografisë Ushtarake”. Mandej, kryeministri Berisha ka përcaktuar që në mbledhjet që do të zhvillohen me ekspertët e vendeve fqinje që kanë dalje në det, respektivisht Greqinë dhe Malin e Zi, të marrin pjesë edhe përfaqësues të Akademisë së Shkencave në përputhje me problematikën. “Titullarët e ministrive dhe të institucioneve të përcaktuara të paraqesin te kryetari i grupit të punës, brenda 5 ditëve nga hyrja në fuqi të këtij urdhri, emrat e përfaqësuesve të tyre”, - shprehet Berisha në fund të direktivës së tij. Të gjitha ministritë e ngarkuara për zbatimin e këtij urdhri brenda afatit pesëditor kanë përcaktuar përfaqësuesit e tyre në grupin ndërinstitucional të punës për përcaktimin e shelfit kontinental. Gazeta publikon sot emrat e ekseperteve e ngarkuar me kete ceshtje.

Nje dite me pare kjo e perditshme beri te ditur se marrëveshja e përcaktimit të kufirit detar me palën greke është negociuar nga 11 zyrtarë të lartë të shtetit shqiptar. Por, pjesë e këtij grupi kanë qenë ekspertë të cilët nuk ishin ngarkuar më parë nga ministritë përkatëse. Konkretisht nga Ministria e Jashtme kanë marrë pjesë Gazmend Turdiu, Drejtor i Çështjeve Juridike Ndërkombëtare dhe Konsullore, si edhe Ilir Tepelena, Drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme Rajonale. Gjithashtu nga Ministria e Mbrojtjes kanë marrë pjesë përgjegjësi i sektorit të hartave dixhitale, Anduel Cauli dhe ai i sektorit të fotogrametrisë, Ferdinand Berberi. Ndërkohë në grupin që negocioi me palën greke për ndarjen e kufirit ujor, rezulton se nuk u ftuan përfaqësuesit e Akademisë së Shkencave si dhe Agjencisë së Burimeve Natyrore, Ministrisë së Ekonomisë, Mjedisit dhe të Transporteve.

Marrëveshja për ujrat detare me Greqinë që u firmos mes qeverive shqiptare dhe asaj greke në prill të këtij viti dhe u bë e njohur pas publikimit të fakteve tronditëse nga Gazeta Shqiptare dhe TVNews24. Sipas zbulimit, mësohet me fakte se Marrëveshja cënon ujërat kombëtare në detin Jon me rreth 354.4 km2, të cilat i “dhurohen” fqinjit tonë jugor, Greqisë.

Dy muaj më parë edhe ushtarëkët shqiptarë dhe disa shoqata në vend i kërkuan kuvendit mosratifikimin e marrëveshjes shqiptaro-greke për delimitimin e kufijve detarë.
Marrëveshja u miratua nga komisioni parlamentar i ligjeve me 25 shtator, ndërsa pritej të kalonte për miratim ne kuvend me 19 tetor. Ratifikimi eshte shtyre per nje date te pacaktuar.

18/11/2009- Kufiri detar, zbulohen 11 negociatorët

Marrëveshja e përcaktimit të kufirit detar me palën greke është negociuar nga 11 zyrtarë të lartë të shtetit shqiptar. “Gazeta Shqiptare” ka siguruar ekskluzivisht listën e bisedimeve të palës sonë, që për muaj me radhë është mbajtur sekret nga qeveria. Informacioni është servirur dje zyrtarisht nga Ministria e Punëve të Jashtme. Në bazë të të dhënave bëhet e ditur se grupi negociator i palës shqiptare është ngritur me urdhër direkt të kryeministrit Sali Berisha. Në përbërje të tij ka pasur përfaqësues nga vetëm tre ministri, respektivisht ajo e Jashtme, e Mbrojtjes dhe e Brendshme. Kryenegociator ka qenë Ferit Hoxha, aso kohe sekretar i përgjithshëm i MPJ-së dhe tanimë ambasadori i Shqipërisë në OKB. Ekspertët që përfaqësuan Ministrinë e Jashtme në këtë grup kanë qenë konkretisht Gazmend Turdiu, drejtor i Çështjeve Juridike Ndërkombëtare dhe Konsullore; Ilir Tepelena, drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme Rajonale; Ledia Hysi, drejtore e Çështjeve Juridike dhe të Drejtës Ndërkombëtare; si edhe dy specialiste në çështjet juridike dhe rajonale, Suela Ibrahimi dhe Enkeleda Mërkuri. Ministria e Mbrojtjes është përfaqësuar në negociata me palën greke me 4 ekspertë të saj, Kristaq Gërvenin, aso kohe komandat i Flotës Detare, i emëruar së fundmi zv/shef i Shtabit të Përgjithshëm; Miranda Zekën, drejtoresha e Institutit Gjeografik të Ushtrisë; si edhe nga përgjegjësi i sektorit të hartave dixhitale, Anduel Cauli dhe ai i sektorit të fotogrametrisë, Ferdinand Berberi. Sa i përket Ministrisë së Brendshme ajo është përfaqësuar në këtë grup negociator vetëm me një ekspert, drejtorin e Shërbimeve Operacionale në Departamentin për Kufirin dhe Migracionin, kryekomisarin Krenar Muço.

Ekspertët e fushës, juristët, diplomatët, historianët, politikanët, përfaqësuesit e 72 shoqatave atdhetare-kulturore si edhe ish-ushtarakët e lartë të shtetit shqiptar i kanë cilësuar “të paaftë” negociatorët e palës shqiptare që morën pjesë në bisedimet me palën greke për përcaktimin e kufirit detar mes dy shteteve. Në rezultatet e studimit prej 117 faqesh të kolonelit Myslim Pashaj, ku pretendohet fakti se nga kjo marrëveshje cenohet rëndë sovraniteti territorial i Republikës së Shqipërisë me 354.4 km2 sipërfaqe ujore në detin Jon, që i dhurohej kësisoj Greqisë thuhet mes të tjerash se, “pala shqiptare duket nuk ka qenë fare në bisedime, nuk ka shtruar asnjë argument dhe nuk ka kundërshtuar ndonjë tjetër. Kjo situatë duket absurde. Indiferenca shkencore është fatale”.

Marrëveshja për ujrat detare me Greqinë që u firmos mes qeverive shqiptare dhe asaj greke në prill të këtij viti dhe u bë e njohur pas publikimit të fakteve tronditëse nga Gazeta Shqiptare dhe TVNews24. Sipas zbulimit, mësohet me fakte se Marrëveshja cënon ujërat kombëtare në detin Jon me rreth 354.4 km2, të cilat i “dhurohen” fqinjit tonë jugor, Greqisë.
Dy muaj më parë edhe ushtarëkët shqiptarë dhe disa shoqata në vend i kërkuan kuvendit mosratifikimin e marrëveshjes shqiptaro-greke për delimitimin e kufijve detarë.
Marrëveshja u miratua nga komisioni parlamentar i ligjeve me 25 shtator, ndërsa pritej të kalonte për miratim ne kuvend me 19 tetor. Ratifikimi eshte shtyre per nje date te pacaktuar.

10/11/2009-Kuvendi shfuqizoi kufijtë, i hapet rruga faljes së Jonit 

Baza ligjore që përcaktonte kufirin shtetëror të Republikës së Shqipërisë është shfuqizuar pak muaj para se të fillonin negociatat me palën greke për përcaktimin e kufirit detar mes dy shteteve.

"Gazeta Shqiptare" shkruan sot se në 24 janar 2008, qeveria Berisha i paraqiti për miratim Kuvendit projektligjin “Për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit shtetëror”. Drafti që ka hyrë në fuqi në datën 1 mars 2008, shfuqizon ligjet ku sqarohej më së miri se ku shtrihen ujërat territoriale të shtetit shqiptar.

Konkretisht në ligjin Nr. 8771, dt. 19.4.2001 sqarohet se Ujërat territoriale të Republikës së Shqipërisë shtrihen gjatë gjithë bregut të saj, në një gjerësi prej 12 miljesh detare, duke filluar nga vija e drejtë bazë që shkon nga Kepi i Rodonit , Kepi i Pallës, i Lagjit , derdhja e Semanit, derdhja e Vjosës, bregu perëndimor i Ishullit të Sazanit, Kepi i Gjuhëzës dhe i Gjirit të Gramës, dhe mandej midis bregdetit shqiptar dhe ishujve të Republikës Greke deri përmes Kanalit të Korfuzit. Gjerësia e ujërave territoriale nga derdhja e Bunës në det deri te Kepi i Rodonit shtrihet deri në vijën e kufirit shqiptaro-jugosllav. Po në këtë ligj shprehimisht thuhet se janë ujëra të brendshme të Republikës së Shqipërisë ujërat e Detit Adriatik dhe të Detit Jon që shtrihen brenda vijës së drejtë bazë që përshkon derdhjen e Lumit të Bunës, kepat e përmendur me lart dhe vijës së drejtë bazë që përshkon Kepin e Gjirit të Gramës, Kepin e Gjirit të Palermos, Kepin e Qefalit, Kepin e Sarandës, si dhe ujërat këtej vijës kufitare të liqeneve dhe lumenjve kufitarë”, në mbështetje të plotë me Konventën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtën e Detit.

“Ndryshe nga ligjet e shfuqizuara, ligji Nr. 9861, datë 24.1.2008 “Për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit shtetëror”, i propozuar nga qeveria Berisha dhe i miratuar me konsensus në Kuvend, nuk trajton në përmbajtjen e tij të paktën pesë elementë thelbësorë që përcaktojnë saktësisht kufirin shtetëror të Republikës së Shqipërisë. Në të nuk përfshihet asnjë dispozitë për tregimin e kufirit shtetëror, e veçanërisht për ujërat territoriale dhe ujërat e brendshme, për ushtrimin e sovranitetit si edhe për paprekshmërinë e kufirit.”- shkruhet sot në GSH.

Në të tilla kushte duke mos patur asnjë përcaktim se ku shtrihen ujërat territoriale, vetëm 3 muaj para se të nisnin negociatat me Greqinë për përcaktimin e kufijve detare, Shqipëria nuk kishte më bazën e saj ligjore për të mbrojtur ujërat territoriale dhe ato të brendshme. Në Gjykatën Kushtetuese ka filluar shqyrtimi i kërkesës ankimore të 6 partive politike, të majta e të djathta, lidhur me marrëveshjen e përcaktimit të kufirit detar mes Shqipërisë dhe Greqisë.

03/11/2009- Kufiri detar, ja testi që vërteton “dhurimin”

Në një analizë ekskluzive sot për “Gazeta Shqiptare”, Prof.Asc.Dr Myslim Pashaj sjell argumente të reja që përforcojnë konkluzionin se marrëveshja shqiptaro-greke për përcaktimin e kufirit detar cënon rëndë sovranitetin tonë territorial. Argumenti ku Pashaj kapet fort për të përforcuar konkluzionin në fjalë, është pikërisht koncepti i proporcionalitetit që përdoret si test për barazinë e brigjeve të dy shteteve nga vija kufitare.
"Si test për BARAZINË përdoret koncepti i PROPORCIONALITETIT = PËRPJESTUESHMËRISË. Ky test trajton raportin e ujërave të përfituara nga përcaktimi i kufijve të shtrat-detit kontinental (sipërfaqes ujore detare) krahasuar me raportin e vijës bregdetare relevante të të dy shteteve", citon profesori.
Ky test trajton, raportin e ujërave të përfituara nga përcaktimi i kufijve të shtrat-detit kontinental (sipërfaqes ujore detare) krahasuar me raportin e vijës bregdetare relevante të të dy shteteve. Duke e aplikuar këtë test, në rastin e marrëveshjes shqiptaro-greke për përcaktimin e kufirit detar, Pashaj arrin në konkluzionin se Shqipëria për 1 km bregdet përfiton 10.2 km2 shtrat-det dhe ujëra detarë, ndërkohë që Greqia për 1 km bregdet përfiton 17.9 km2 shtrat-det dhe ujëra detarë. Pra sikundër shihet nga kjo marrëveshje, Shqipëria del e humbur. Në hapje të analizës së tij, Prof.Asc.Dr. Myslim Pashaj i referohet një sërë rastesh të praktikës botërore në procesin e ndarjes së kufirit detar mes shteteve të ndryshme, të cilat përdorin testin e barazisë për të verifikuar nëse nga përcaktimi i vijës ndarëse në det, raporti i ujërave të përfituara nga përcaktimi i kufijve të shtrat-detit kontinental krahasuar me raportin e vijës bregdetare relevante të të dy shteteve, është apo jo i barabartë.
Ne fund te analizes qe Gazeta ka paraqitur sot me detaje, Pashaj thekson se "ky test është përdorur gjerësisht nga Gjykata Ndërkombëtare për gjykime të çështjeve të Ndarjes së Kufijve Detarë".
Pakti
Marrëveshja për ujrat detare me Greqinë që u firmos mes dy qeverive në prill të këtij viti u bë e njohur që pas publikimit të fakteve tronditëse nga Gazeta Shqiptare dhe TVNews24. Gazeta Shqiptare" ka qenë e para e përditshme në vendin tonë që arriti të zbardhë qysh në 26 prill 2009, faktin tronditës që fshihet në marrëveshjen shqiptaro-greke "Për delimitimin e zonave përkatëse të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që i përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare". Sipas zbulimit, mësohet me fakte se Marrëveshja cënon ujërat kombëtare në detin Jon me rreth 354.4 km2, të cilat i “dhurohen” fqinjit tonë jugor, Greqisë.
Nje muaj më parë edhe ushtarëkët shqiptarë dhe disa shoqata në vend i kërkuan kuvendit mosratifikimin e marrëveshjes shqiptaro-greke për delimitimin e kufijve detarë.
ë datën 25 shtator, Komisioni Parlamentar i Ligjeve e miratoi këtë marrëveshje. Por, në datën 15 tetor 2009, Parlamenti shtyu pa afat ratifikimin e marrëveshjes për përcaktimin e kufirit detar mes Shqipërisë dhe Greqisë pas presionit mediatik në rritje të "Gazeta Shqiptare". E parashikuar për të kaluar në seancën plenare të së hënës në datën 19 tetor, marrëveshja tanimë nuk ekziston në axhendën parlamentare.

23/10/2009- Kufijtë, Moisiu: Negociatorët vepruan me moskompetencë 

Ish- presidenti, Alfred Moisiu reagon për herë të parë publikisht për skandalin e marrëveshjes së kufijve detare me Greqinë. I pranishëm në një konferencë mbi integritetin e drejtuesve, ish-kreu i shtetit kritikoi dhe bëri përgjegjës autoritetet dhe negociatorët se kanë trajtuar në mënyre jokompetente këtë cështje delikate gjatë hartimit të marrëveshjes me palën greke.

“Mendoj se nuk ështe e vështirë të konkludohet se në këtë mes ke të bësh me një veprim që duket qartë që është trajtuar me një mënyrë jo komptetente, nga ata që ishin ngarkuar për të menaxhuar hartimin e saj.”- tha Moisiu

Ish presidenti i vendit vlerësoi rolin e medias si një faktor pozitiv që realizoi transparencën e marrëveshjes. “Fakti që një pjesë e mirë e medias së pavarur u angazhua me të drejtë dhe me forcë në bërjen sa më transparente të problemit mendoj se ishte një faktor tepër ndihmues për të qartësuar se cfarë ishte e drejtë dhe cfarë jo. Gjithashtu fakti që miratimi i marrëveshjes u shty më tej tregon se forca e opinionit publik dhe e medias kur tregohet integritet në trajtimin e problemeve dhe mbahet qëndrim i tillë, jep rezultate positive. “- tha Moisiu

Marrëveshja për kufijtë detarë është firmosur në prill të 2009 dhe Gazeta Shqiptare denoncoi se me këtë marrëveshje vendi ynë i falte Greqisë 354 km katror sipërfaqe ujore në detin Jon.

Koloneli në lirim, dhe një ndër ekspertët më të njohur Myslim Pashaj ishte nga të parët që bëri opononcen e hapur ndaj paktit detar me Greqinë . Marrëveshja është ankimuar nga gjashtë parti të majta dhe të djathta në Gjykatën Kushtetuese, e cila do të shqyrtojë kushtetutshmërinë e kësaj cështjeje.
Sensibilimizi i bujshëm detyroi Kuvendin të shtyjë ratifikimin e marrëveshjes që ishte caktuar në fillim më 19 tetor.

16.10.2009-Shtabi: Nuk e kemi hartën e kufirit

Pas nënshkrimit të marrëveshjes detare mes Shqipërisë dhe Greqisë dhe debateve e akuzave që ka ngjallur kjo marrëveshje, Ministria e Mbrojtjes është përpjekur sërish dje të hedhë poshtë pretendimet e ngritura në “Gazeta Shqiptare”, si edhe nga ekspertët e fushës. Ish-komandanti i Flotës Detare, Kristaq Gërveni, aktualisht zv/shef i Shtabit të Përgjithshëm dhe një nga negociatorët e kësaj marrëveshjeje për palën shqiptare, i pyetur dje nga “G.SH” gjatë një konference të improvizuar për shtyp lidhur me paqartësitë e kësaj marrëveshjeje, refuzoi sërish të japë përgjigje. Ai përsëri nuk ka sqaruar distancat konkrete mes brigjeve të të dy shteteve, mungesën e hartës së kufirit etj. Gërveni u mjaftua të argumentojë qëndrimin e tij se marrëveshja nuk cënon sovranitetin territorial të Shqipërisë, duke servirur në një monitor disa skema të paqarta.

Z.Gërveni, po ju bëj të njëjtën pyetje që ju kam drejtuar këto 7 muaj qysh nga publikimi i marrëveshjes. Më thoni ju lutem, distancat konkrete nga të 150 pikat e vijës kufitare që ndan brigjet e të dy shteteve? Nëse nuk mundeni për të gjitha, dua të di distancën nga Saranda deri tek vija e kufirit. Sa ka qenë para nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje dhe sa është tani? Nëse as kjo nuk ju kujtohet, atëherë më thoni sa është distanca më e afërt e brigjeve shqiptare me kufirin detar me Greqinë?
Distanca më e afërt është 1049 metra.
Ku është kjo distancë?
A ka pyetje të tjera?
Ju pyeta edhe për të 150 pikat e vijës kufitare...
I keni distancat nga çdo pikë, meqenëse na i keni kërkuar.
M’i thoni ju lutem, pasi nuk keni publikuar gjë deri tani?
I kemi të nxjerra.
Përse nuk e keni konsideruar Korfuzin si arkipelag gjatë punës për përcaktimin e vijës kufitare, sikundër përcaktohet në UNCLOS?
Kur bëhet marrëveshja me Greqinë, nuk mund ta copëtosh Greqinë dhe të thuash se Korfuzi është arkipelag dhe unë s’mund ta konsideroj këtë shtet si arkipelag. Ne kemi marrëveshje me Greqinë, dhe jo me Korfuzin. Ky është argumenti ynë, nëse nuk jeni të bindur kjo është puna juaj.
Pse nuk keni hartë?
Janë hartat.
Po ju citoj drejtoreshën e IGJU-së, Miranda Zeka: Hartë nuk kemi
Në nenin 16 të konventës thuhet se në përfundim të marrëveshjes dorëzohen në OKB ose hartat, ose koordinatat. Ne kemi zgjedhur variantin e koordinatave dhe ato janë të hedhura në marrëveshje. Koordinatat janë më komode, pasi ato mund të hidhen në hartat e të gjithë botës, jo thjesht shqiptare apo greke. Në këtë hapësirë nuk do të kalojnë vetëm shqiptarë dhe grekë, por nga e gjithë bota.
Pra s’keni hartë?
Hartat ja u treguam.
Ju treguat skema dhe jo hartë zyrtare. Pra ca skema ku hiqen disa vija me kompas, me atë kompas që ju keni shumë dëshirë ta demonstroni. Por matjet me kompas kanë marzh gabimi në terren. Madje më thoni, sa është ky marzh i gabimit?
Nuk e kam për turp të bëj matje me kompas sepse ai kompas sa të jetë jeta do të përdoret. Atëherë po ju them se gabimi i sistemit WGC është deri në 2 cm. Hape në sajt, mund ta shikoni dhe lexojeni. Këtu janë përdorur edhe fotografime ajrore që marzhi i gabimit shkon maksimumi në 1 m. Këto janë.

15.10.2009-Shtyhet ratifikimi ne Parlament

TIRANE-Parlamenti ka shtyre ratifkimin e Marrëveshjes për përcaktimin e kufirit detar mes Shqipërisë dhe Greqisë. E parashikuar që të ratifikohej në seancën parlamentare të datës 19 Tetor, Marrëveshja realisht nuk ekziston në axhendën e Parlamentit. Burime nga Kuvendi bënë të ditur për TVNews24 se në axhendën 3 javore nuk shkruhet asnjë datë dhe asnjë rresht për ratifikimin e Marrëveshjes së shumë diskutuar. Po kështu nuk bëhet e ditur asnjë datë tjeter për ratifikimin e mundshëm të saj.

Marrëveshja për ujrat detare me Greqinë që u firmos mes dy qeverive në prill të këtij viti u bë e njohur që pas publikimit të fakteve tronditëse nga Gazeta Shqiptare dhe TVNews24. Sipas zbulimit, mësohet me fakte se Marrëveshja cënon ujërat kombëtare në detin Jon me rreth 354.4 km2, të cilat i “dhurohen” fqinjit tonë jugor, Greqisë.

Pak ditë më parë edhe ushtarëkët shqiptarë dhe disa shoqata në vend i kërkuan kuvendit mosratifikimin e marrëveshjes shqiptaro-greke për delimitimin e kufijve detarë.

Marrëveshja u miratua nga komisioni parlamentar i ligjeve me 25 shtator, ndërsa pritej të kalonte për miratim ne kuvend me 19 tetor.
Dyshohet se shtyrja e ratifikimit ka ndodhur për shkak të presionit mediatik.

14.10.2009/"Falja e kufijve", Meta- Ramës: Hiq dorë nga qëndrimet ekstremiste

Zv kryeministri dhe njëkohësisht ministri i Jashtëm i Shqipërisë reagoi sot për marrëveshjen për kufijtë detarë me Greqinë.

Ilir Meta, i cili do të mbrojë këtë marrëveshje para deputeteve në seancën e 19 tetorit, fton krytarin e PS-së të jetë në Parlamet për të njohur më mirë dhe më saktë marrëveshjen.

Mbrëmë, pas mbledhjes së kryesisë PS-së Rama deklaroi se kishte vendosur të ngrinte një grup ekspertësh për shqyrtimin në themel të cështjes.

Ky vendim është cilësuar si “qëndrim ksenofob” nga Ministri i Jashtëm Ilir Meta, njëkohësisht dhe kryetar i LSI-së.
Meta i bëri thirrje Ramës të heqë dorë nga qëndrimet ekstremiste, pasi dëmtojnë imazhin e vendit dhe nuk ndihmojnë PS-në.

"Ftoj në mënyrë të vecantë kryetarin e PS por edhe përfaqësues të tjerë të opozitës të heqin dore nga frymezimet ksenofobe apo ekstremiste."
Në cilësinë e “mbrojtësit” të kësaj marrëveshjeje të firmosur nga ish- minsitri i Jashtëm, Lulzim Basha dhe ministrja e Jashtme greke Dora Bakojanis në prill të 2009, Meta u shpreh i bindur se cdo shqetësim do të marrë përgjigje para ratifikimit të marrëevshjes

"Unë dua të siguroj që të gjithë se ekspertët kanë punuar me përgjegjësi maksimale në respekt të Kushtetutës dhe të konventave ndërkombetare ku Shqipëria është palë. Jam i bindur se të gjitha këto spekulli, dhe falsifikime, apo dhe shqetesime do të marrin përgjigjet e tyre në mënyrë transparente në Kuvendin e Shqipërisë, para se marrëveshja të ratifikohet. "- deklaroi Meta në një prononcim për shtyp jashtë godinës së ministrisë së Jashtme.

Zoti Meta përsëriti kërkesën që opozita të kthehet në Parlament, dhe të kontribuojë në transparencën e cështjes.

Kuvendi është vendi i duhur ku zgjidhet cdo cështje” theksoi Meta në një prononcim për shtyp jashtë godinës së ministrisë së Jashtme duke shtuar "Është e drejta e cilitdo që ka ikur nga puna të thotë cfare të dojë, sepse ne jemi vend demokratik, por opozita i ka të gjitha mundësitë institucionale për të ngritur shqetësimet e saj dhe për të kontribuar në transparencën e cështjes"

Në bazë të kësaj marrëevshjeje Shqipëria i dhuron 354. 4 km 2 sipërfaqe ujore në detin Jon, konkretisht në kanaline Otrantos.

Nëpërmet një studimi prej 117 faqesh të kolonel Pashaj, e publikuar eksklzivisht ne GSH, vërtetohej se nga kjo marrëveshje cenohej rëndë sovraniteti territorial i Republikës së Shqipërisë.

Një ditë më parë “Gazeta Shqiptare” zbardhi faktin se synimi strategjik i Greqisë për të hyrë në Kanalin e Otrantos në bazë të marrëveshjes për përcaktimin e kufirit detar me Shqipërinë, lidhej pikërisht me ndërtimin e gazsjellësit “South Stream”

Nga kjo marrëveshje Shqipëria nuk përfshihet në projektin e gazsjellësit që financohet nga gjiganti rus “Gazprom”, rreth 2.5 miliardë kilovat orë gaz në vit.

Në një prononcim të djeshëm deputeti i PS-së, Pandeli Majko i bëri thirrje Presidentit të thërrasë Këshillin e Sigurimit, të kërkojë informacione, “pasi kjo çështje nuk mund të qëndrojë vetëm në nivelin mediatik. Kufijtë e shtetit shqiptar nuk janë as të Partisë Socialiste, dhe as të Partisë Demokratike”

"Gazeta Shqiptare" ka qenë e para media në vendin tonë që arriti të zbardhë qysh në 26 prill 2009 faktin tronditës që fshihet në marrëveshjen shqiptaro-greke “Për delimitimin e zonave përkatëse të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që i përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”.

13. 10. 2009 Kufijtë detarë, Otranto u fal për gazjellësin rus

Synimi strategjik i Greqisë për të hyrë në Kanalin e Otrantos në bazë të marrëveshjes për përcaktimin e kufirit detar me Shqipërinë, lidhet pikërisht me ndërtimin e gazsjellësit “South Stream” (Shtegu i Jugut). Gazeta Shqiptare ben te ditur ne numrin e sotem se nga ketu nis zanafilla e faljes se detit Jon nga pala shqiptare per palen greke. Sipas Gazetes ky është një projekt i financuar nga Moska dhe i planifikuar të ndërtohet nga gjiganti rus i gazit “Gasprom” dhe koncerni energjetik italian, “ENI”. Gazsjellësi “South Stream” fillon në Kaspik, kalon nën detin me të njëjtin emër, hyn në territorin bullgar dhe degëzohet në dy drejtime. Njëra degë e tij do të kalojë në Bullgari, mandej në Serbi, Hungari dhe për të përfunduar në Austri. Dega tjetër kalon nga Bullgaria, në veriun e Greqisë, mandej fundi i kufirit tokësor do të jetë Igumenica. Nga këtej ky tubacion është vendosur të kalojë nën det përgjatë gjithë Kanalit të Korfuzit me drejtim veri-perëndimin, për të vijuar në Kanalin e Otrantos e për të përfunduar tek “taka” e gadishullit italian, e konkretisht në Brindisi. Referuar faqes zyrtare në internet të projektit gazsjellës “South Stream”, citojmë se, “ky është shtegu më i shkurtër dhe me kosto financiare shumë më të vogël sesa alternativat e tjera”.

Gazeta Shqiptare ka zbardhur se per kete qellim jane zhvilluar edhe takimet e ish-kreut te qeverise greke Karamanlis.
Në 25 prill 2009, kryeministri grek, Kostas Karamanlis viziton Sofjen me qëllim arritjen e një marrëveshjeje të përbashkët për ndërtimin e tubacioneve për transitin e gazit nëpër territoret e Bullgarisë dhe Greqisë të gazsjellësit “South Stream”. Dy ditë pas kësaj vizite, Karamanlis vjen në Tiranë për të nënshkruar marrëveshjen e përcaktimit detar me Shqipërinë. Sikundër rezulton nga kjo marrëveshje, Greqia fiton 354.4 km2 sipërfaqe ujore në detin Jon. Nga të cilat, vetëm 335 km2 ia janë marrë Shqipërisë në Kanalin e Otrantos. Po të njëjtën ditë, ministrja e Jashtme greke, Dora Bakojanis e cilëson si “arritje strategjike” këtë marrëveshje, ndërkohë që qeveria shqiptare nuk bën asgjë transparente, madje as sot e kësaj dite. Pikëpyetja e madhe e opinionit publik shqiptar: “Çfarë synon Greqia me këtë marrëveshje, të cilësuar prej saj si strategjike?”, nuk merr përgjigje nga Tirana zyrtare. Por, për Greqinë rëndësi kishte që Shqipëria e pranoi kërkesën e saj. Ndaj, me të arritur këtë marrëveshje në Tiranë, Karamanlisi niset drejt Moskës. Në datën 29 prill në Soçi të Rusisë, kryeministri Vladimir Putin firmos marrëveshje të veçanta me të gjitha vendet në të cilat do të kalojnë tubacionet e gazsjellësit “South Stream”, mes të cilave edhe Greqia. Marrëveshja do të zgjatë 30 vjet, ndërsa sasia e gazit të transportuar llogaritet të jetë 10 miliardë metër/kub në vit. Sipas ministrit grek të Energjisë, Kristos Folias, kjo është një ndër kontratat më fitimprurëse që janë nënshkruar ndonjëherë ku per palen greke do te kapin shumen e miliarda eurove.
Shqipëria ka mbetur jashtë projektit “South Stream”, të gjigantit rus të gazit “Gazprom”. Përjashtimi i saj në parim është bërë pikërisht nga marrëveshja e përcaktimit të kufirit detar me Greqinë, që nuk është ratifikuar ende nga Parlamenti shqiptar. Në bazë të kësaj marrëveshjeje, qeveria ‘Berisha’ i ka dhuruar Greqisë 354.4 km2 sipërfaqe ujore në detin Jon. E më konkretisht në Kanalin e Otrantos, ku pritet të kalojnë tubacionet e gazit të këtij projekti, palës greke i është dhënë një sipërfaqe prej 335 km2.
Gazeta Shqiptare ne numrin e sotshem ben te ditur edhe kompanite qe do te vihen ne dispozicionin e kesaj vepre.

13. 10. 2009 Rama: Grup ekspertesh per marreveshjen me Greqine
Partia Socialiste reagoi dje zyrtarisht në lidhje me marrëveshjen e përcaktimit të kufirit detar mes Shqipërisë dhe Greqisë. Në një prononcim për mediat, kryesocialisti Edi Rama bëri të ditur vendimin e kryesisë së PS-së për të ngritur një grup pune me ekspertë që do të shqyrtojnë në themel problemin e çështjes. Ai sqaroi se vetëm në përfundim të kësaj analize, forca më e madhe e opozitës do të publikonte rrugët që do ndjekë për të penguar ratifikimin e marrëveshjes. “Kam kërkuar që një ekip i ngushtë ekspertësh të së drejtës kushtetuese dhe të së drejtës ndërkombëtare të ndjekin me shumë vëmendje këtë çështje, e cila mesa duket ka në brendinë e saj një tjetër ngarkesë të rëndë për qeverinë shqiptare, një pushtet njerëzish që janë shumë të paaftë dhe njëkohësisht mjaftueshmërisht të papërgjegjshëm për të ndërmarrë hapa që bien ndesh me interesa shumë më të mëdha. Megjithatë, në çastin kur ekipi do të japë një opinion përfundimtar, pa asnjë dyshim ne do të reagojmë në rrugën e duhur dhe do të bëjmë atë që na takon”, - sqaroi Rama. Ai tha mandej se për çështje të kësaj natyre, politika duhet të dëgjojë argumentet që japin palët pro dhe kundër për marrëveshjen dhe pastaj të flasë. Në mënyrë të posaçme, kreu i Partisë Socialiste falenderoi “Gazeta Shqiptare” për argumentet bindëse që ka servirur, sipas tij për mosratifikimin e marrëveshjes në Parlament. “Është shumë e rëndësishme që në çështje të tilla ku ka shumë ekspertizë dhe ku kërkohet në radhë të parë mendimi i specialistëve të mirëfilltë, politika të qëndrojë një hap më mbrapa dhe zëri zyrtar i opozitës të ngrihet vetëm atëherë kur faktet flasin qartë dhe kur shqetësimi është i mbështetur jo mbi emocione negative, dhe as mbi normën e përditshme të opozitarizmit, por mbi argumente bindëse, që mesa duket në rastin konkret nuk mungojnë dhe në këtë rast unë dua ta falënderoj posaçërisht ‘Gazetën Shqiptare’”, - përfundoi Rama.

11. 10. 2009 Falja e kufijve, peticion online kundër marrëveshjes
Është publikuar në internet peticioni kundër ratifikimit të marrëveshjes së ujrave mes qeverisë shqiptare dhe shtetit fqinj Greqisë. Peticioni i publikuar në sitin www.gopetition.com/online/31143.html është aktiv në 75 vende të botës dhe kërkon firmat e shqiptarëve kudo që jetojnë kundër ratifikimit në parlament të marrëveshjes detare me Greqinë.
Peticioni që i drejtohet krerëve më të lartë të shtetit shqiptar, si presidentit të Republikës Bamir Topi, kryeministrit Sali Berisha, kryetares së kuvendit dhe kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, mbështetet bazuar në nenet 48 të Kushtetutës dhe nenin 11 të Konventës Europiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut.

Përmes këtij peticioni cdo qytetar i Republikës së Shqipërisë mund ti thotë jo marrëveshjes aq të kundërshtuar nga specialistë dhe ish ushtarakë nën pretendimin se cënohet sovraniteti i vendit.

“Duke patur parasysh, kritikat e mëdha që i janë bërë kësaj marrëveshjeje nga ekspertë të mirënjohur; mungesën e theksuar të transparencës përgjatë negocimit të kësaj marrëveshjeje dypalëshe; shpejtësinë e pashpjegueshme të procedurave administrative dhe parlamentare nëpër të cilën ka kaluar ky projektligj; mungesën e debatit në komisionin e ligjeve dhe kalimin e saj menjëherë për votim dhe për në seancë plenare; afrimin e frikshëm të datës së diskutimit dhe miratimit në seancë plenare; nenin 131 të Kushtetutës ku shprehet se kushtetutshmëria e marrëveshjeve ndërkombëtare mund të shikohet vetëm para ratifikimit të saj nga Kuvendi, e vlerësojmë tepër të rëndësishme përfshirjen e sa më shumë institucioneve kushtetuese në këtë lloj vendimmarrjeje në mënyrë që të respektohet integriteti territorial i Republikës sonë, sovratiteti i shtetit dhe Kushtetuta e tij” thuhet në peticionin ku theksohet se marrëveshja cënon ujërat kombëtare në detin Jon me rreth 354.4 km2, të cilat i “dhurohen” fqinjit tonë jugor, Greqisë.

Pak ditë më parë edhe ushtarëkët shqiptarë dhe disa shoqata në vend i kërkuan kuvendit mosratifikimin e marrëveshjes shqiptaro-greke për delimitimin e kufijve detarë.

Marrëveshja u miratua nga komisioni parlamentar i ligjeve me 25 shtator, ndërsa pritet të kaloje për miratim ne kuvend me 19 tetor. Ai që do të mbrojë këtë marrëveshje para deputeteve është ministri i ri i Jashtëm, Ilir Meta.

10.10.2009-Ku çalon marrëveshja për kufijtë detarë

Nga Prof. Dr. Agim Shehu

Hartografi është si një sy për atë që kryen një vepër studimore, që fi rmon një ligj, që hap një udhë, që vëzhgon një
hapësirë detare Kështu dua që t’iu flas. Që ditën e parë që lexova në “Gazeta Shqiptare” mbi Marrëveshjen Detare dhe dyshimet për një skandal të madh të ndarjes së atij kufiri, kam qenë i shqetësuar. Dhe, vijoj që të jem. Gjithnjë si një hartograf. Sepse, ato vija që hiqen në harta, ato koordinata që projektohen, janë pjesë e shpirtit dhe trupit të kombit. Prandaj, dua të prononcohem, jo thjesht për të vlerësuar studimin e Prof. Pashës, por për të mbështetur idenë se kjo marrëveshje në pikëpamje ligjore dhe hartografike, të trondit prej fakteve që po publikohen nga “Gazeta Shqiptare”. Ne duhet t’i bëjmë apel Kuvendit të Shqipërisë, se nuk është fjala për t’i krijuar shqetësime të mbarëvajtjes së punëve që bëhen në klimën e marrëdhënieve të mira me shtetin fqinj, Greqinë, por jemi për drejtësinë dhe barazinë në këtë përcaktim kufijsh historikë, për shqyrtimin shkencor, bindjen e përbashkët para se ta çojmë në ratifikim. E ndiej si një obligim kombëtar shqetësimin e ngritur, prandaj, sa më shpejt të gjendet një instrument ritrajtimi i argumenteve që jepen, nëpërmjet një grupi pune, i cili duhet të bëjë një punë të pavarur, të hedhë dritë dhe të saktësojë këto argumente. Pse duhet të nxitohemi? I kemi të gjitha mundësitë shkencore për të dritësuar në mënyrë hartografike këtë marrëveshje, sepse vetëm në mënyrë vizuale nga harta që janë publikuar, të lindin dyshime të mëdha. Dëshmia që na u soll këto ditë nga “Gazeta Shqiptare” se mungon Harta e Marrëveshjes është një nga faktet më të dyshimtë, mbasi për mua, fjala kthehet në shenjë, simbol, hartë, mandej duhet t’u jepet ligjvënësve për ta njohur dhe miratuar. Marrëveshja është kryer nga të dyja palët dhe ne s’kemi hartë. Të vjen çudi se si mund të pranohet argumenti se, “duhet të miratohet Marrëveshje pastaj bëhet harta”, kur në të vërtetë është e kundërta… Unë si hartograf nuk mund të pranoj vendosjen me koordinata të një pike me numrin 150 vetëm nga dy shtete, pa praninë e Italisë, ku të jetë një hartë e përbashkët e së njëjtës saktësi dhe në Sistemin Ndërkombëtar. Nuk dua të vijoj me argumente të tjera, sepse nuk është këtu vendi, por t’i përcjell znj. Jozefina Topalli respektin tim të thellë, që me maturinë e saj të gjejë mënyrën më të mirë që të shtyjë deri në një kohë të përshtatshme ratifikimin e kësaj marrëveshjeje dhe të ngrejë një grup studimor të posaçëm me juristë të së Drejtës Ndërkombëtare, ushtarakë, diplomatë, historianë dhe gjeografë, gjeodetë dhe hartografë për të parë në hollësi argumentet e sjellë nga Prof. Pasha.

10.10.2009-Berisha: Marrëveshja nuk cënon sovranitetin e Shqipërisë

Kryeministri Sali Berisha reagoi dje lidhur me marrëveshjen e përcaktimit të kufirit detar mes Shqipërisë dhe Greqisë. Në një intervistë televizive, shefi i qeverisë tha mes të tjerash se “ato janë matje të thjeshta dhe të dalë dikush të provojë se qoftë edhe një metër i vetëm është lënë bazuar në këtë marrëveshje. I teket x apo y për të bërë politikë, unë mendoj se përcaktimi i kufirit është interesi më i mirë i Republikës së Shqipërisë. Të bësh politikë me marrëveshjen ndërkombëtare nuk shërben asgjë”, - u shpreh ai. Kryeministri shtoi mandej se “përcaktimi i kufijve ujorë nuk zgjidhet me debate publike por me debate profesionistësh. Nëse historianët marrin përsipër për të përcaktuar kufirin ujor pa bërë matjet, unë mendoj se dalin jashtë materies së tyre”, - u shpreh Berisha. Duke iu përgjigjur shqetësimit të historianëve, Berisha tha se “historiani mund të ketë të drejtë të shqyrtojë marrëveshjen mbi të cilën është bazuar dhe t’i thotë popullit nëse kjo marrëveshje është apo jo solide. Kufiri me Greqinë është bazuar me një marrëveshje ndërkombëtare. Ne po përcaktojmë kufijtë. Për 45 vjet nuk ka ekzistuar kufiri mes Shqipërisë dhe Greqisë. Kufiri tokësor mes dy vendeve u sanksionua në vitin ’95 me Traktatin e Miqësisë. Tani po përcaktojmë kufirin detar. Një metër i vetëm nuk është lënë bazuar në këtë marrëveshje”, - përfundoi kryeministri.

09.10.2009-Si e shkeli marrëveshja kufirin detar të 1914-ës

Marrëveshja për përcaktimin e kufirit detar mes Shqipërisë dhe Greqisë denoncohet për shkelje të sovranitetit territorial të vendit tonë edhe nga nënkoloneli, Çelik Murati, me një kontribut të njohur e të çmuar në komisionet e Kufirit me Greqinë. Në cilësinë e ekspertit të fushës, Murati deklaroi dje se “marrëveshja është skandaloze” sa i përket distancës kufitare të përcaktuar. Në mënyrë të veçantë ai shpreh shqetësimin e tij lidhur me vijën ku fillon caktimi i kufijve, pikërisht në piramidën kufitare numër 79. Për të argumentuar qëndrimin e tij, nënkolonel Murati vuri në dispozicion të “Gazeta Shqiptare” dokumentin ku pasqyrohen koordinatat gjeografike të kufirit të përcaktuar në vitin 1914. Ai sqaron përshkrimin e vijimit të kufirit detar nga kjo piramidë, të marrë nga origjinali i këtij përshkrimi të bërë në vitin 1914 nga përfaqësues të stafit teknik të Francës, Britanisë së Madhe dhe Italisë. Në firmat e fundit janë dhe dy teknikë, njëri shqiptar dhe tjetri grek. “Përshkrimi i kufirit prej shenjës kufitare Næ% III. 79, deri në kufi me ujërat territoriale. Duke filluar prej shenjës kufitare Næ% III.79, vija e kufirit drejtohet nga J.J.P. (Jug, Jug, Perëndim: shënim i nënkolonelit) zbret shkëmbinjtë shumë skarpate dhe pas rreth 10 metrash takohet me bregun e detit. Pastaj ajo vazhdon deri në kufirin e ujërave territoriale, duke ndjekur në vijë normale, në drejtimin e përgjithshëm të bregut të detit. Ishulli i vogël i Tongos i ngelet Shqipërisë”, - sqaron Murati. Sipas komentit që bën nënkoloneli, “vija në det do të vazhdojë deri sa të ndërpresë bregdetin e Korfuzit në vijë të drejtë. Vetëm pika e mesit është edhe drejtimi që do të marrë kufiri në ecurinë e tij drejt veriut, përgjatë Kanalit të Korfuzit. Nëse largësia nga piramida nr.79 deri në brigjet e Korfuzit është 16.86 Km (9.11 milje detare), atëherë sipas rregullit të vijës së mesme të fillimit kjo pikë i takonte të ishte në largësinë: 8.43 km. Mirëpo nga matjet në hartë në bazë të marrëveshjes së firmosur së fundmi, del se kjo largësi është 4.7 km (e përafërt). Një diferencë e tillë ( 3.73 km) është skandaloze”, - përfundon nënkolonel Murati, i cili zotëron një dokumentacion të pasur dhe një përvojë të gjatë në problematikën e përbashkët të kufijve shtetërorë me të dy vendet, Shqipëri-Greqi.
“Jo ratifikimit”
Koloneli në rezervë i Forcave të Armatosura, profesori Myslim Pashaj, i cili bëri një studim mbi skandalin e marrëveshjes së kufirit ujor mes Shqipërisë dhe Greqisë të denoncuar prej tij si një cenim të sovranitetit territorial të vendit, i ka dërguar një letër të hapur qarqeve akademike në vend dhe në Kosovë për të sensibilizuar këtë çështje në mënyrë që parlamenti të mos ratifikojë marrëveshjen. “Heshtni në heshtjen tragjike albanologjike për prerjen e një gjymtyre gjeohapësinore prej 354 km2, që nga ngushtesa e Otrantos e deri në Kepin e Stillos, kur brenda kësaj gjeohapësire keni po kaq të shpërfillur historinë dhe gjeohistorinë, duke luajtur me gurët e themelit, ku mbështetet edhe shtrati i autoktonisë iliro-shqiptare”, - shprehet profesor Pashaj.

09.10.2009-Marrëveshja me Greqine, dorehiqet shefi i Hartografise Ushtarake

Shefi i Departamentit të Hartografisë në Insti tutin e Gjeografisë Ushtarake, nënkolonel Behar Malaj, dha dje dorëheqjen e parevokueshme nga kjo detyrë. Vendimi i tij vjen fill pasi “Gazeta Shqiptare” botoi pak ditë më parë procesverbalin e mbledhjes së “fshehtë” të komisionit parlamentar të Ligjeve, ku drejtoresha e IGJU-së, Miranda Zeka pohonte para deputetëve të maxhorancës se harta e kufirit detar mes Shqipërisë dhe Greqisë, e përcaktuar në bazë të marrëveshjes dypalëshe, nuk ekziston. Në prononcimin e tij për “G.SH”, Malaj bëri të ditur se “lajmi i përcjellë nga “Gazeta Shqiptare” ka qenë tronditës. “Dhashë dorëheqjen e parevokueshme në shenjë proteste për mungesën e hartës së ndarjes së kufirit detar. Nuk mund të qëndroj më në një institut që nuk mund të masë pronat e shtetit të tij dhe që nuk e ka hartën përkatëse”, - sqaroi nënkoloneli. Shefi i Departamentit të Hartografisë në Institutin e Gjeografisë Ushtarake bëri mandej të ditur se ka pasur edhe një sërë arsyesh të tjera që e detyruan në marrjen e këtij vendimi. “Publikimin e tyre do ta bëj në një kohë më të vonë, pasi jam në pritje të përgjigjes që do të marr nga eprorët e mi lidhur me dorëheqjen që iu kam paraqitur”, - përfundon ai. Vendimi i nënkolonelit Behar Malaj për të dhënë dorëheqjen e parevokueshme nga detyra është treguesi më i qartë i anashkalimit të ekspertëve nga procesi i negociatave me palën greke për arritjen e marrëveshjes së përcaktimit të kufirit detar mes dy shteteve. Duket se vendimmarrja për këtë çështje është vulosur tjetërkund dhe se gjithë ecuria e procesit është karakterizuar nga një hermetizëm e fshehtësi e plotë. Konstatimin e përforcon fakti se vetë Shefi i Departamentit të Hartografisë në Institutin e Gjeografisë Ushtarake, një nga autoritetet kryesore që duhej të ishte vënë në dijeni, nuk ka pasur asnjë informacion për mungesën e hartës deri ditën që këtë lajm e botoi “Gazeta Shqiptare”. Ndërkohë, burime zyrtare nga IGJU bënë dje të ditur se akti i nënkolonelit Malaj do të shoqërohet nga një valë dorëheqjesh të funksionarëve të lartë të këtij instituti, që gjithashtu nuk kanë qenë në dijeni për mungesën e hartës detare.
Apeli i ushtarakëve
“Mos e ratifikoni marrëveshjen e kufijve detarë me Greqinë”. Ky është apeli publik që iu drejtua krerëve më të lartë të shtetit shqiptar dhe opozitës nga shtatë shoqata, respektivisht Aleanca Kombëtare e Ushtarakëve të Shqipërisë; Komiteti i Veteranëve; Organizata e Familjeve të Dëshmorëve të Atdheut; Shoqata e ish- Ushtarakëve dhe ushtarakëve në rezervë; Shoqata e Invalidëve; Sindikata e Pensionistëve dhe Shoqata Atdhetare Kulturore Përmeti. Të gjitha këto organizata shprehin shqetësimin e thellë lidhur me marrëveshjen e nënshkruar në heshtje të plotë nga qeveria shqiptare me qeverinë e Greqisë, për kufirin detar midis dy vendeve. “I kërkojmë Presidentit të Republikës, Bamir Topi, kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, të njihen thellësisht me këtë marrëveshje për të kuptuar qartë cenimin e rëndë që ajo i bën sovranitetit dhe integritetit territorial të Shqipërisë”, - shprehen ushtarakët në letër.

07:10.2009-Alfred Moisiu: Marreveshja, Berisha servil ndaj Greqise

BERAT -Ish-Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu i apeloi dje institucion eve shtetërore të rishikojnë marrëveshjen e kufirit detar me Greqinë. Në përgjigje të interesimit të medias, Moisiu tha se, “më duket një servilizëm i qeverisë sonë ndaj qeverisë greke. Fakti që ka një reagim në lidhje me këtë çështje, tregon se diçka aty duhet parë”. Deklarata e ish-kreut të shtetit u bë gjatë promovimit në Berat të vëllimit të tij të ri, “Midis Nanos dhe Berishës”, pjesë e “Kujtimet e një Presidenti”. Pyetjes se si e vlerëson bojkotin e opozitës në Kuvend, Moisiu i është përgjigjur se, “nuk dua që të përzihem me palët, por unë them se çështja e manipulimit të zgjedhjeve duhet të marrë fund njëherë e mirë në vendin tonë. Nuk mund të them se është apo jo bojkoti mënyra më e mirë, por gjykoj se kjo është një përpjekje që vërtet kërkon që të përfundojë njëherë e mirë manipulimi i zgjedhjeve në Shqipëri dhe të bëjmë edhe ne zgjedhje siç bëjnë të gjithë të tjerët, pa pasur merak se vota e shqiptarëve nuk do të numërohet ashtu si e ka vendosur zgjedhësi”. Në vijim të përgjigjes së pyetjes për zgjedhjet e fundit parlamentare, ish-kryetari i shtetit ka thënë se hapja e kutive zgjedhore nuk ka se si mos të bëhet (kryhet), pasi hapja e kutive të votimit do t’i japë fund procesit të deformimit të votës dhe do të shërbejë për t’i dhënë fund në proceset e tjera zgjedhore manipulimit të votës.

04.10.2009-Marreveshja me Greqine, keshilltari i Berishes: Kuvendi te mos nxitohet

Mos e ratifikoni marrëveshjen e kufijve detarë me Greqinë”. Ky është apeli publik që iu është drejtuar krerëve më të lartë të shtetit shqiptar dhe opozitës nga shtatë shoqata, respektivisht: Aleanca Kombëtare e Ushtarakëve të Shqipërisë; Komiteti i Veteranëve; Organizata e Familjeve të Dëshmorëve të Atdheut; Shoqata e ish-Ushtarakëve dhe Ushtarakëve në rezervë; Shoqata e Invalidëve; Sindikata e Pensionistëve dhe Shoqata Atdhetare Kulturore Përmeti. Të gjitha këto organizata shprehin shqetësimin e thellë lidhur me marrëveshjen e nënshkruar në heshtje të plotë nga qeveria shqiptare me qeverinë e Greqisë për kufirin detar midis dy vendeve. Në veçanti, ushtarakët shprehen të tronditur nga e vërteta që nxjerr në pah studimi shkencor i publikuar këto ditë në “Gazeta Shqiptare” nga kolonel Myslim Pashaj. Sipas tyre ky studim shkencor me llogaritje të sakta e argumente tregon se Shqipëria ka humbur një sipërfaqe të madhe detare, përfshirë edhe hapësirën ajrore me vlera ekonomike, politike, gjeostrategjike dhe kulturore, duke i krijuar vetvetes një izolim dhe bllokim nëpërmjet ngushtimit të hapësirës dhe të rrugëve të komunikimit. “Sipërfaqja detare që është humbur në ngushticën e Korfuzit, në ujërat e Arkipelagut të Korfuzit, në gjirin e Sarandës e sidomos në ngushticën e Otrantos, llogaritet në 354.4 kilometra katrorë. Është ndërprerë Deti Shtetëror dhe Hapësira e Afërt Vijimore e Shqipërisë. I është privuar Shqipërisë statusi i të drejtës si shtet përballë Italisë. Ujërat e brendshme të gjirit të Sarandës janë konsideruar si ‘Free bay’ (gji i lirë), për t’u ndarë me Greqinë, i cili është gji historik i Shqipërisë. Ushtarakët i kërkojnë Presidentit të Republikës, Bamir Topi, kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, të njihen thellësisht me këtë marrëveshje për të kuptuar qartë cenimin e rëndë që ajo i bën sovranitetit dhe integritetit territorial të Shqipërisë”, - shprehen ushtarakët në letër. Me këtë marrëveshje, arsyetojnë ushtarakët, “duke i dhuruar sipërfaqen ujore ne humbim gjithashtu dhe atë tokësore, ku sipas informacioneve janë bërë studime shpresëdhënëse për rezerva të naftës dhe të gazit”. Nga ana tjetër, 6 shoqatat e tjera shprehin revoltën e tyre për fshehtësinë, shpejtësinë gjatë procedurave të hartimit dhe të miratimit të kësaj marrëveshjeje, që sipas tyre ul dinjitetin dhe krenarinë tonë kombëtare, cenon gjeohistorinë iliro-shqiptare dhe hapat e sotëm të integrimit të vendit. “I bëjmë thirrje lidershipit të opozitës shqiptare të përfshihet në analizën dhe debatin mbi këtë marrëveshje, të deklarojë qartë pozicionin e saj lidhur me të e udhëhequr vetëm nga interesat kombëtare, larg interesave të politikës së ditës, të distancohet qartë dhe të kundërshtojë me çdo mjet nëse një marrëveshje e tillë cenon qoftë edhe minimalisht sovranitetin tonë kombëtar”, përfundon letra e tyre.

Keshilltari i Berishes: Kuvendi mos te nxitohet

Këshilltari i kryeministrit Berisha, historiani Neritan Ceka apeloi gjatë një prononcimi të djeshëm për “Gazeta Shqiptare” se, marrëveshja shqiptaro-greke për përcaktimin e kufirit detar “nuk duhet të ratifikohet me urgjencë nga parlamenti”. Zbulimi i fakteve tronditëse lidhur me shkeljen e sovranitetit territorial të Republikës së Shqipërisë nga kjo marrëveshje, nxjerr si domosdoshmëri sipas Cekës, nevojën e kërkimit të një ekspertize ndërkombëtare për zgjidhjen e çështjes. “Parlamenti është i detyruar të kërkojë një ekspertizë ndërkombëtare për këtë marrëveshje, për shkak se në thelb të saj qëndron e drejta ndërkombëtare. Kjo nuk duhet konsideruar si një marrëveshje e thjeshtë midis dy shteteve, Shqipërisë dhe Greqisë, duke marrë në konsideratë faktin se prej saj preket edhe një shtet i tretë, sikundër është Italia. Ndaj parlamenti nuk duhet të nxitohet me ratifikimin e saj, pasi duhet pritur ekspertiza ndërkombëtare para se të thuhet fjala e fundit në Kuvend, aq më tepër tani që studimi i kolonel Pashës ka nxjerr në pah fakte tronditëse”, - arsyeton këshilltari i kryeministrit. Brenda të njëjtit argument, Ceka i ka apeluar maxhorancës të mos e miratojë e vetme marrëveshjen me Greqinë për përcaktimin e kufirit detar. Sipas tij përderisa kemi të bëjmë me një çështje kombëtare kërkohet si domosdoshmëri edhe konsensusi i opozitës. Ndaj ai i ka sugjeruar maxhorancës që të mos ta miratojë e vetme në Kuvend këtë marrëveshje, pa votat e Partisë Socialiste. “Marrja e një ekspertize ndërkombëtare nuk duhet t’i mjaftojë maxhorancës për ta miratuar e vetme këtë marrëveshje. Parlamenti është i detyruar që pasi të ketë siguruar ekspertizën ta votojë këtë dokument, por natyrisht jo pa votat e opozitës, për shkak se kemi të bëjmë me një çështje kombëtare”, - përfundon Ceka.
Puto dhe Xhufi
Historiani dhe eksperti i së drejtës ndërkombëtare, Arben Puto, gjatë një interviste ekskluzive për “Gazeta Shqiptare” denoncoi hapur marrëveshjen shqiptaro-greke, për përcaktimin e kufirit detar mes dy vendeve, që sipas tij shkel sovranitetin territorial të Republikës së Shqipërisë. Akademiku Puto i bëri thirrje Parlamentit për të mos e ratifikuar këtë marrëveshje. Reagimi i tij erdhi fill pasi GSH botoi studimin e kolonel, Myslim Pashës sipas të cilit nga kjo marrëveshje ujërat kombëtare të shtetit shqiptar në detin Jon janë cenuar me rreth 354.4 km2, të cilat i janë “dhuruar” Greqisë. “Sipas studimit rezulton se kjo marrëveshje është në dëm të sovranitetit territorial të Republikës së Shqipërisë, ndaj ajo nuk duhet të ratifikohet nga Parlamenti”, u shpreh ai. Gjithashtu edhe historiani dhe ish-deputeti i LSI-së, Pëllumb Xhufi apeloi nëpërmjet një interviste të dhënë për “Gazeta Shqiptare”, nevojën e mos ratifikimit në Parlament të marrëveshjes shqiptaro-greke për përcaktimin e kufirit detar mes dy shteteve. Sipas tij, kjo marrëveshje cenon rëndë sovranitetin territorial të Shqipërisë. Xhufi, në këtë intervistë nuk lë pa thumbuar edhe ministrin e Jashtëm, Ilir Meta i cili sipas tij, ka në dorë rastin për t’iu treguar shqiptarëve se “vërtet iu bashkua qeverisë Berisha për arsye kryekëput atdhetare”.

30.09.2009-Marrëveshja me Greqinë, si u tkurr gjiri i Sarandës

Në bisedimet me palën greke për përcaktimin e kufirit detar mes dy shteteve, duket se as që nuk është argumentuar dhe nuk është trajtuar veçoria historike, gjeostrategjike dhe ekonomike e Gjirit të Sarandës. Vijat bazore janë marrë deri në portin e qytetit dhe ish-bazën detare, Limion. Kjo ka sjellë humbje në Detin Shtetëror të Shqipërisë”. Ky është një nga konkluzionet më tragjike që del nga studimi prej 117 faqesh, që profesori Myslim Pashaj, ish-drejtori i Institutit Gjeografik të Shqipërisë, nxjerr lidhur me këtë marrëveshje. “Gazeta Shqiptare” boton sot ekskluzivisht kapitullin e këtij studimi, që flet në mënyrë specifike për Gjirin e Sarandës. Sipërfaqja që përfiton Republika e Greqisë përballë Gjirit të Sarandës është rreth 15 km2, thuhet në këtë studim, ku sqarohen në mënyrë teknike që nga shkeljet e Konventës së OKB-së për detin, deri tek injorimi që iu është bërë titujve historikë në përcaktimin e kufirit detar. “Prirja për të mos e parë problemin ndarës në gjithë përmasat e tij dhe mos mbrojtja nga njëra palë (pala jonë), e cila për qëllime që ende nuk dihen as që i shtron interesat ekonomike dhe historike që janë ‘evidentuar qartë prej një përdorimi të gjatë’, lë shteg për shqetësim të vetëdijshëm, jo thjesht në vështrimin kombëtar, po edhe të dinjitetit shtetëror shqiptar, aktual”, - apelon profesor Pashaj. * * * Gjiri i Sarandës i përket vetëm shtetit shqiptar. Ai është një shkallëzim i dukshëm dhe i identifikuar, me prirje në drejtim të Dheut Kontinental që përkon me drejtimin gjeografik lindor në një kënd prej 45 gradë e matur nga këndi i drejtë që përmbyll drejtimin veri/jug. Forma e gjirit është trekëndore, me thyerje të shumta sapo fillon prej kepit të Qefalit, deri në Sarandë. Penetrimi në thellësi nismon dukshëm që në pikën e fillimit të kësaj thyerjeje, në Kepin e Qefalit, ku ndodhet edhe fanari bregor orientues detar. Lashtësia na kumton se Onkezmi, Saranda, e sotme qysh nga Mijëvjeçari i dytë para Kr. ka qenë një gji për të pritur dhe ruajtur anijet nisur prej vendit të përshtatshëm dhe kushte të tjera të rrethinës. Onkezmi është vijim i gjeohapësirës epirote që zë fill prej maleve Keraune dhe kepit të Gjuhëzës, ku janë ndërtuar vendbanime si Dhërmi, Himarë (Cimera) Vuno, Qeparo, Borsh, Sarandë e deri në fushën e Vrinës ku është dhe Buthroti i famshëm. Kjo ishte Kaonia. Në drejtim të dheut e në drejtim të vargoit kodrinor dhe bregdetit janë qendra të tjera të mëdha të lashtësisë si Foinike dhe më në jug, Buthroti. Logjika e ujërave të brendshme, sipas një përvoje të gjatë, është përfshirë dukshëm në trajtimin e gjireve, dhe prej zhvillimit të tyre ato ruajnë rëndësinë shumëspektrore e të gjithësishme, për të qenë pjesë e ngrohtë dhe aktive e vetvedit e Dheut dhe e njeriut që aty rron. Hartat tregojnë qartas se Marrëveshja e fundit, në indiferencën, cinizmin teknik, shpërfilljen gjeohistorike, ka shmangur Gjirin e Sarandës, duke e trajtuar atë si një bregdet të thjeshtë, pa penetrim, pa dukje, në një harrim gjeografik të pafalshëm. Gjiri i Sarandës ka ngelur “jetim”. Vija bazë ku ka filluar Deti Shtetëror, është marrë në Portin e saj të kahershëm. Aty është vendosur për matje edhe “kompasi proverbial”.
UNCLOS
Si mund të jemi të barasvlershëm në një tavolinë bisedimesh, në një gjeomatje dhe llogaritje, kur vet baza e saj, sa ta shohësh të befason. UNCLOS, (Konventa e Kombeve të Bashkuara mbi të Drejtën e Detit) ka dhënë versionin për GJIRIN dhe përcaktueshmërinë e pranimit vetëm për qëllimet e kësaj Konvente, një kusht i cili do të trajtohet më poshtë: “Parashikimet e mësipërme nuk zbatohen për të ashtuquajturat gjir “historik” ose në çdo rast kur është zbatuar sistemi i vijave bazë të drejta të parashikuara në nenin 7". Dhe ja një paragraf tjetër që lidhet me zbatimin e nenit 7 të Konventës (për Vijëdrejtat bazore.): “...Kur metoda e vijës së drejtë bazë është e zbatueshme sipas paragrafit 1, në përcaktimin e vijave bazë të veçanta, mbi bazën e interesave ekonomike të rajonit në fjalë, mund të merret në konsideratë realiteti dhe rëndësia të cilat janë të evidentuara qartë prej përdorimit të gjatë...”. Rasti i Gjirit të Sarandës, që po e trajtojmë në këtë studim, është tipik, për kufizimin e Detit Shtetëror ndërmjet Republikës së Greqisë dhe Republikës së Shqipërisë, që ndodhen kundruall. “Kur brigjet e dy shteteve janë ballë për ballë ose në afërsi me njëri-tjetrin, asnjë nga dy shtetet nuk do të ketë të drejtën, përveç kur është bërë një marrëveshje ndërmjet tyre, për të zgjeruar detin territorial përtej vijave të mesme, pikat e së cilës janë të barazlarguara nga pikat më të afërta të vijave bazë nga të cilat matet gjerësia e detit territorial të dy shteteve....”. Afëria e brigjeve dhe të qënit kundruall, e bën këtë të Drejtë, edhe më komplekse, për shumë shkaqe, ndër të cilët janë ata natyrore, ekonomikë dhe historikë. Prirja për të mos e parë problemin ndarës, në gjithë përmasat e tij dhe mos mbrojtja nga njëra palë (pala jonë) e cila për qëllime që ende nuk dihen, as që i shtron interesat ekonomike dhe historike, që janë “evidentuar qartë prej një përdorimi të gjatë” lë shteg për shqetësim të vetëdijshëm, jo thjesht në vështrimin kombëtar, po edhe të dinjitetit shtetëror shqiptar, aktual. Dhe më poshtë UNCLOS sqaron: “...Parashikimi i mësipërm nuk zbatohet, megjithatë, kur është e nevojshme në rastet e ndonjë titulli historik ose rrethana të tjera të veçanta për kufizimin e detit territorial ndërmjet të dy shteteve sipas mënyrave të mësipërme.
” TITUJT HISTORIKE
Faktorët që vlerësojnë dhe japin peshën e duhur të titullit historik në përcaktim të kufijve detarë janë: (i) Ushtrim i autoritetit shtetëror për një periudhë të gjatë në përkim me titullin detar, (ii) Emri dhe njohja në vijimësi e këtij autoriteti. (iii) Reagimi, ndikimi, si mosnjohje nga ana e shtetit tjetër. (iv) Ato mund të jenë të drejta historike, në pasurinë dhe trashëgiminë kulturore, në peshkim, në kalim, ekonomike, gjeostrategjike. (v) Një titullim historik do të thotë, se asnjë shtet tjetër nuk mund të ketë forcë për të ushtruar të drejta ndaj kësaj gjeohapësire detare që i referohet këtij titullimi. (vi)Titujt historikë, shmangin qenësinë e ndonjë titulli tjetër. Para se të shkohej në bisedime, duhej që të qartësoheshin dritëhijet, format, kuptimet dhe nënkuptimet e objektit, vetëm duke thirrur dhe konsultuar me specialistët e fushave të ndryshme që kanë lidhje me të. Puna e parë që do të ngrihej, si një pikë vrojtimi, apo si një tregues i rëndësishëm orientues, do të ishte gjeohapësira e shtetit përballë dhe përballë tij veçoritë e gjeohapësirës tënde. Menjëherë do të shkonte mendja tek gjiri i Sarandës. Një shtet me denjësi dhe histori shumëshekullore të njohur, në dëshmi që nuk ka se çfarë t’u bëj dot asnjë lloj erozioni, konsultohet, sendërton në një ligj të tij, bën një deklarim, që nga Parlamenti e Qeveria e tij, për Gjirin e Sarandës. Ai duhej të shpallej si një gji historik. DET I FALUR Fig.X.c. Shëmbëllimi i detit shtetëror të Shqipërisë, “i dhuruar” përballë gjirit Historik të Sarandës. Në këtë hartë janë pasqyruar koordinatat gjeografike të tri pikave ( 90, 80, 70). Siç mund të vihet re, kemi një zhvendosje larg fundgjirit të Sarandës që në versionin ndarës sipas marrëveshjes, ishte fillim i trupit ujor që do të ndahej. Po kështu në këtë vizatim janë paraqitur edhe pikat e vijës mesore ndarëse, me numrat 100, 90, 80 , 70 të hedhura në bazë të koordinatave gjeografike që jepen në Marrëveshje. Vihet re se ndryshimi është shumë i madh. Vetëm pika nr 90 e cila ndodhet përballë Kepit të Qefalit përkon me vijën mesore të paraqitur. Për këtë hapësirë ujore vija mesore është paraqitur midis shkëmbit Barketa dhe kepit të Vrojtimit ashtu sikundër është marrë edhe në marrëveshjen e cituar. Sipërfaqja që përfiton Republika e Greqisë, përballë Gjirit të Sarandës është rreth 15 km2. ��

29.09.2008-Arben Puto: Marrëveshja shkel sovranitetin tonë

Historiani dhe eksperti i së drejtës ndërkombëtare, Arben Puto, gjatë një interviste ekskluzive për “Gazeta Shqiptare” denoncon hapur marrëveshjen shqiptaro-greke, për përcaktimin e kufirit detar mes dy vendeve, që sipas tij shkel sovranitetin territorial të Republikës së Shqipërisë. Akademiku Puto i bën thirrje Parlamentit për të mos e ratifikuar këtë marrëveshje.
“Gazeta Shqiptare” publikoi një ditë më parë një studim prej 117 faqesh të ish-drejtorit të Institutit Gjeografik të Shqipërisë, kolonelit Myslim Pashaj. Ky studim analizonte marrëveshjen shqiptaro-greke për përcaktimin e kufirit detar mes dy vendeve dhe arrinte në konkluzionin se kjo marrëveshje “shkel hapur sovranitetin kombëtar të Republikës së Shqipërisë, ndaj ajo nuk duhet ratifikuar nga Parlamenti”. Cili është komenti juaj për këtë studim?
Nuk është hera e parë që unë përballem me këtë problem. Sepse “Gazeta Shqiptare” e ka shtruar këtë çështje disa muaj para, menjëherë sapo u firmos marrëveshja. Para se gjithash dua të theksoj se arritja e një marrëveshjeje të natyrës së ngjashme nuk ka asgjë të jashtëzakonshme apo të paligjshme. Për rastin konkret duhet të kemi parasysh se kufijtë e Shqipërisë me Greqinë janë përcaktuar me Protokollin e Firences të vitit 1926 dhe ato janë përcaktuar në një kohë kur çështjet e detit nuk ishin zgjidhur definitivisht. Neni 10 i këtij protokolli, thotë, citoj se “Çështje të ndryshme që do të dalin për përcaktimin e vijës së kufirit, të cilat nuk janë parashikuar nga ky protokoll do të jenë objekt i marrëveshjeve të drejtpërdrejta midis qeverive”. Pra në parim, një çështje që nuk ka qenë trajtuar në kohën e vet mua më duket normale të trajtohet në këtë kohë. Por studimi i kolonel Pashaj më shtie në mendime. Dua ta them qysh në fillim që unë nuk e quaj veten të aftë të trajtoj problemet që ka shtruar koloneli në mënyrë kaq të hollësishme. Është një studim teknik.
Nga ky studim nxjerr dy konkluzione. Së pari që vijësia e ujërave territoriale është matur në mënyrë krejt të padrejtë. Unë do të marr në mënyrë të veçantë Gjirin e Sarandës. Në rastin konkret kemi të bëjmë me një shkelje të hapur, pasi gjiret janë ujëra të brendshme dhe kufiri i ujërave territoriale fillon nga kufiri i brendshëm. Së dyti më duket krejt e padrejtë që gjerësia e ujrave territoriale të matet nga disa ishuj, që në fakt nuk jan

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›