E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pisha “talenti” i ri i grumbulluar nga Kuzhe

 Leonard KarajTrajneri i Kombëtares, Josip Kuzhe, ka zbardhur listën e lojtarëve që do të ketë në dispozicion gjatë zborit të muajit janar në Turqi. Bie në sy grumbullimi i Arian Pishës.Kapiteni i Dinamos është “blerja” më e re e Kombëtares së Kuzhesë. Në listën e shpallur dje nga kroati, Pisha rezulton të jetë i vetmi mbi moshën 30-vjeçare. Madje, pjesa më e madhe e të thirrurve nuk i kanë mbushur ende 25 vjeç, hiq këtu Emilian Veliaj. Zbori do të kryhet në segmentin kohor 3-10 janar 2010. Një praktikë kjo e ndjekur në fakt edhe nga trajnerët paraardhës të Kuzhesë, Brigeli dhe Bariç, prej nga janë fituar edhe lojtarë të vlefshëm për Kombëtaren. Të njëjtin qëllim ka edhe kësaj here trajneri Kuzhe, për të evidentuar dhe afruar pranë ekipit të parë elementët e nevojshëm, ku më problematik mbetet posti i qendërmbrojtësit kuqezi. Pjesa më e madhe e lojtarëve janë nga kampionati shqiptar, shumica pjesë e ekipit Shpresa, por bie në sy edhe prania e Emiliano Vilës, që në fillim të këtij edicioni kaloi nga Teuta te Dinamo e Zagrebit, ku nuk gjeti vend dhe u huazua tek Lokomotiva e Zagrebit. Por edhe në këtë skuadër nuk po gjen dot hapësira, kështu që i ka munguar shumë praktika e lojës. Bie në sy edhe thirrja e talentit Vasil Shkurtaj, që bën pjesë në radhët e Olimpiakosit në Greqi, që në dy ndeshjet e fundit i është bashkuar edhe ekipit Shpresa, por trajneri Bushati nuk preferoi ta aktivizonte shumë. Ndaj trajneri Kuzhe kërkon ta shohë në veprim, në zborin e Turqisë, ku patjetër do të luhen edhe ndeshje miqësore. Kujtojmë se para pak ditësh, trajneri Kuzhe ka qenë me mision në Gjermani, ku bashkë me kapitenin kuqezi, Altin Lala, që luan te Hanoveri, është takuar dhe ka biseduar me kosovarin e Bokumit, Mërgim Mavraj. I ka përsëritur ftesën këtij të fundit për t’iu bashkuar kombëtares kuqezi dhe, mesa merret vesh, kosovari që luan në Bundesligë ka rënë dakord. Ai e ka pasaportën shqiptare, të cilën e ka marrë para pak vitesh, por më pas ndryshoi mendje dhe nuk iu përgjigj pozitivisht ftesave kuqezi, me shpresën se do të luante me Gjermaninë. Por kjo mundësia e fundit ishte veçse një dëshirë, sepse asnjëherë nuk shfaqi interes për te vendi i Balakut me shokë. Ndaj, Mavraj duket se është rikthyer përsëri te “Plani B” i tij, kombëtarja kuqezi.  Lista e të grumbulluarve Portierë:Shpëtim Moçka (Flamurtari), Sulejman Hoxha (Apolonia)Mbrojtës:Andi Lila (Tirana), Maringlen Shoshi (Apolonia), Franc Veliu (Flamurtari), Arjan Pisha (Dinamo), Olsi Gocaj (Kastrioti), Ditmar Bicaj (Tirana), Klodian Semina (Gramozi), Gentian Muça (Dinamo)Mesfushorë:Emilian Veliaj (Laçi), Sabien Lilaj (Tirana), Jetmir Sefa (Tirana), Emilian Vila (Lokomotiva Zagreb), Gjergji Muzaka (Tirana)Sulmues:Elis Bakaj (Dinamo), Vasil Shkurtaj (Olimpiakos), Odise Roshi (Flamurtari), Sokol Cikalleshi (Besa), Bekim Bala (Vllaznia)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›