E Diel, 1 Nëntor 2026

Teferiçi: Ka krijimtari, por nuk ka rregulla loje

 alma mile“Dëshira dhe dëshmi”, ky është filli lidhës i të gjitha punëve që paraqiten në edicionin e 16-të të “Onufri”-t, që hapet ditën e enjte në Galerinë Kombëtare të Arteve. Kuratori Parid Teferiçi zgjodhi të mos u ofronte një temë të përcaktuar artistëve, por t’i lindte ata të lirë. Vetëm kështu ai do të arrinte qëllimin për të paraqitur panoramën 19-vjeçare të artit pamor në Shqipëri. Në një intervistë Teferiçi tregon se cilat janë problemet që shqetësojnë artistët, nëse kanë krijuar një identitet vetjak, apo ende vazhdojnë të eksperimentojnë. Ndryshe nga herët e tjera “Onufri 2009” nuk pati një koncept kuratorial, përse kjo zgjedhje?Thjesht për arsye metodologjike. Qëllimi im ishte të paraqitja një panoramë të artit shqiptar në vitin 2009. çfarë po ndodh me artin, artistët shqiptarë, 19 vjet pas rënies së regjimit komunist. A e ka kaluar artisti shqiptar fazën e tranzicionit me problemet e tij sociologjike, ekonomike dhe a e ka kaluar arti shqiptar izolimin dhe atë fazën e periferisë në të cilin ndodhej? Mendoj se kjo paraqitje që i sjell publikut në 24 dhjetor jep një përgjigje, që ndoshta është pak e zbehtë, por jo shumë larg së vërtetës. Ajo do të japë një hartë aktuale të artit pamor shqiptar. Cilat janë ato probleme që e shqetësojnë artin pamor në Shqipëri?Problematika kryesore përbën dhe titullin e kësaj ekspozite, që është “Dëshira dhe dëshmi”. Tek shumica dërrmuese e punëve që kam parë dhe përzgjedhur për këtë edicion, të bie në sy prania e gjithëpushtetshme e një dikotomie mes dëshirës dhe dëshmisë. Një qasje dialektike, që artisti ka me dëshirën, që e lidh me të ardhmen dhe dëshminë që e projekton ndërgjegjen e artistit me të kaluarën dhe me të tashmen. Duhet thënë se në momentin aktual, arti pamor shqiptar është në një fazë relativisht të mirë, i një gjallërie kreative për t’u pasur zili, mbetet vetëm për t’u parë ana e rezultateve të mirëfillta estetike që nuk janë asnjëherë të shkëputura nga konteksti social, politik dhe ekonomik. Tregu artistik lë shumë për të dëshiruar dhe janë vetë artistët që duhet ta krijojnë atë. Ngjarje si “Onufri” vlejnë për të paraqitur edhe atë që quhet industri kreative. Ka arritur artisti shqiptar të krijojë identitetin e vet?Ajo që bie më shumë në sy realisht është anomia në të cilën ndodhet artisti shqiptar. Dikur, në periudhën e regjimit komunist ai ishte në një gjendje anomie, për shkak se i mungonte liria dhe sepse rregullat dhe ligjet ishin kundër lirisë kreative. Me ndërrimin e sistemeve pësoi një anomi të një lloji tjetër, sepse nuk dinte të rakordohej me oksigjenin e lirisë që sillte kapitalizmi në fazat e tij të para. Tani është në fazat që akoma nuk i kupton rregullat e lojës dhe nuk ka kuptuar që është ai që përpilon dhe vendos këto rregulla. Artisti është ai që krijon tregun, pasi ai krijon tek të tjerët nevojën për të dëshiruar produktet që ai krijon. Nuk duhet ta presë këtë nga një etnitet i jashtë qoftë edhe shteti, apo ndonjë mecenat privat. A kanë marrë fund eksperimentet me rrymat?Kjo i përket fazës së parë dhe ta quajmë pak donkishoteske. Pas një periudhe të zymtë dhe të stresuar dhe të imponuar zhdanoviane të regjimit të kaluar, erdhi një moment lirie për artistët që e patën të pamundur të kishin një gjenealogji të vetën kreative dhe në fare pak vite i eksperimentuan të gjitha rrymat dhe motivet e modernitetit dhe ndoshta ishte e paevitueshme. Ka akoma luhatje, mëdyshje dhe kërkim, por jemi në një moment të mirë. Nuk ekzistojnë më ato deliret e madhështisë, manitë, janë zbehur disi komplekset e inferioritetit të artistit shqiptar. E kupton problematikën e ekzistencës së vet në një ambient me probleme akute ekonomike, sociale dhe politike dhe e kupton që duhet të jetë protagonist i një klime më atraktive për tregun e artit. Ai po e sheh se si po shtohen dyqanet që shesin piktura të shëmtuara me korniza kineze dhe duhet ta marrë seriozisht si një mision të vetin edhe këtë ekskursion tek shijet e publikut. “Onufri” është një konkurs ndërkombëtar, por këtë vit ju keni ftuar vetëm artistë shqiptarë, është ky një kthim në origjinën e këtij aktiviteti?Meqë do ishte një pasqyrë aktuale e jetës krijuese në Shqipëri, e pashë si një interferencë praninë e autorëve të huaj, që ndonjëherë shërbejnë si perde për të mbuluar problemet dhe shqetësimet tona. Doja që këtë herë artistët të shihnin punët e tyre të raportuara me njëri-tjetrin dhe të shihnin si ishte ky pazëlli shqiptar realisht. Nuk është dëshirë për të devijuar kursin drejt provincializmit, përkundrazi, ka synimin e kundërt, që arti shqiptar ta shohë veten në sy dhe të kuptojë problemet e veta. Kështu që paradoksalisht, kjo mosprani e të huajve shërben për të shtyrë artin shqiptar drejt një bashkëkohësie të sinqertë dhe jo të sforcuar.Në këtë edicion marrin pjesë disa breza artistësh, si qëndrojnë punët e tyre pranë njëra-tjetrës?Nga ana sociologjike vëmë re se tek artisti me eksperiencë ka erudicion, është më i kufizuar në orientimin e kërkimit të tij sa i përket kulturës vizive, është më i prirë drejt estetikës, historisë së artit. Ndërsa artisti i ri është më mendjehapur për probleme të aktualitetit, angazhimit, por ndonjë herë ndesh një vizion të dikurshëm romantik, që arti është më spontan kur vjen nga frymëzimi dhe jo prej dijes. Ky është një problem i madh tek artistët e rinj, të cilin duhet të superojnë dhe t’i japin rëndësi përgatitjes së tyre të shumanshme. Arti bashkëkohor është shumë i intelektualizuar tashmë dhe ka nevojë për kontekstualizim dhe erudicion, për të kuptuar citimet e kryqëzuara. Nganjëherë sheh të rinj që mendojnë se duke qenë naivë mund të jenë rebelë dhe është për të ardhur keq, pasi shumë prej tyre janë të talentuar. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›