Heroina e Mamurrasit, pranga Emiljano Doçit
TIRANE - Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë identifikoi pronarin e 23.5 kilogramëve heroinë e cila u bllokua disa muaj më parë në Mamurras. Burime zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme thanë se Emiljano Doçi, është arrestuar me urdhër të prokurorisë së krimeve të rënda, me akuzën e trafikimit të heroinës e cila është bllokuar në banesën e shtetasit 65-vjeçar Hamit Doçi. Ky i fundit u arrestua nga policia më 22 nëntor 2009 pasi heroina u gjet në banesën e tij. I moshuari deklaroi në gjykatë se nuk kishte asnjë dijeni për drogën ndërsa Prokuroria konfirmoi se mungonin provat për implikimin e tij në trafik. Për këtë shkak gjykata vendosi lirimin e 65-vjeçarit ndërsa Prokuroria vazhdoi hetimin për të zbuluar pronarët e heroinës. Pas mëse një muaj hetimi, Prokuroria ka urdhëruar arrestimin e Emiljano Doçit, i cili sipas akuzës është një nga pronarët dhe trafikantët e heroinës. I dyshuari mësohet se është djali i të moshuarit që u arrestua fillimisht për lëndën narkotike. Sipas hetimeve të policisë, droga rezulton të ketë hyrë në Shqipëri nga Maqedonia. Destinacioni i saj final ka qenë kalimi në Itali por policia në bazë të informacioneve operative bëri kontroll dhe më pas bllokoi drogën në banesën e shtetasit Hamit Doçi. Në vijim të hetimeve prokuroria ka identifikuar edhe katër persona të tjerë të implikuar në këtë çështje të cilët janë shpallur në kërkim. Këta persona, sipas akuzës, në bashkëpunim me të arrestuarin Emiljano Doçi, kanë porositur e më pas transportuar ngarkesën e heroinës nga Maqedonia. Droga është lënë në Mamurras ndërsa të dyshuarit po merrnin masat për transportimin e saj në drejtim të Italisë. Në këtë kohë ka ndodhur ndërhyrja e policisë e cila bllokoi lëndën narkotike. Sipas burimeve të policisë i arrestuari Emiljano Doçi është person me precedentë të mëparshëm penalë. Në vitin 2007 ai është arrestuar pasi mbante me vete disa armë dhe municion. Më parë ai ishte dënuar edhe për akuzën e vjedhjes. Hetuesit thanë se i arrestuari është djali i Hamit Doçit, shtetasit 65-vjeçar në banesën e të cilit u bllokua heroina. tr.so