E Diel, 1 Nëntor 2026

I del motori para, autobusi bie në kanal

LEZHE - Një i vdekur dhe gjashtë të plagosur është bilanci i një aksidenti të rëndë, që ndodhi në orët e para të mëngjesit të djeshëm në fshatin Mabe të Lezhës. 

Policia bëri të ditur se aksidenti ndodhi rreth orës 08:30. Autobusi i linjës Shkodër-Tiranë me targë TR 6408 J është përmbysur në një kanal, duke rrezikuar jetën e pasagjerëve që ndodheshin në të. Nga dëshmitarët që janë ndodhur në vendngjarje, rezultoi se drejtuesi i autobusit përfundoi në kanal në tentativë për të shmangur përplasjen me një motoçikletë, që në mënyrë të papritur dhe pa sinjal i preu rrugën mjetit. Për pasojë ka gjetur vdekjen e menjëhershme drejtuesi i motoçikletës, Dashamir Medja 40 vjeç, dhe janë plagosur edhe gjashtë pasagjerë që udhëtonin me autobusin. Ndër të plagosurit është edhe djali 13-vjeçar i viktimës, D.Meja, i cili udhëtonte bashkë me të atin. Policia e Lezhës njoftoi pas ngjarjes se "motoçikleta i ka ndërprerë rrugën autobusit. Me gjithë përpjekjet për të frenuar dhe shmangur përplasen, ka devijuar autobusin nga rruga, duke rënë në një kanal". Pak minuta pas ngjarjes, policia e Lezhës mbërriti në vendngjarje duke iu dhënë ndihmën e parë të plagosurve, të cilët më pas u nisën për në spitalin e këtij qyteti. Mësohet se autobusi ishte nisur që në orët e para të mëngjesit nga Shkodra dhe destinacion kishte kryeqytetin. Nga 20 pasagjerë që ndodheshin në të, pesë prej tyre kanë marrë plagë më të rënda, ndërsa pjesa tjetër ka pësuar vetëm disa gërvishtje të vogla. Disa prej tyre pohuan se kanë parë tmerr me sy, kur autobusi devijoi rrugën dhe përfunduan në kanal. Me gjithë tentativën e drejtuesit të mjetit për t'i shpëtuar rënies, gjithçka rezultoi e kotë, pasi shpejtësia dhe dalja e motoçikletës në mënyrë të befasishme, nuk i kanë lënë mundësinë drejtuesit të mjetit që të manovronte. As drejtuesi i motoçikletës nuk ka mundur të manovrojë në kohë. Ai është përplasur nga autobusi duke vdekur në vend, ndërkohë që është rrezikuar jeta e të birit, i cili ishte ulur pas të atit. Policia tha se po e heton këtë ngjarje për të përcaktuar shkaqet. Pasagjerët që nuk e kanë pasur të nevojshme ndihmën e bluzave të bardha pohuan për ekspertët e grupit hetimor se, gjithçka ka ndodhur në mënyrë të befasishme. Për fat të mirë në mjetin që udhëtonte nga Shkodra nuk kishte asnjë fëmijë. Policia e Lezhës bëri të ditur se të gjithë të plagosurit i dërgoi në spitalin e këtij qyteti, dhe jeta e tyre tashmë është jashtë rrezikut për jetën. Pasi ata kanë marrë mjekimet e duhura, kanë lënë spitalin, duke u larguar në shtëpitë e tyre. Autostrada që lidh Tiranën me Lezhën është kthyer në problematikë për qarkullimin, pasi deri më tani janë regjistruar disa aksidente të rënda.                   r.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›