E Shtunë, 31 Tetor 2026

Divorci, hidhet nga kati i pestë nëna e dy fëmijëve

Vetëvritet në shtëpinë e nënës së saj, gruaja 29-vjeçare. 

Dashamir Biçaku

Ngjarja ndodhi në afërsi të kthesës së Kamzës në Tiranë dhe dyshohet se, ka pasur si shkak mosmarrëveshjet e vazhdueshme të viktimës me të shoqin, çka kishte çuar çiftin drejt një divorci pa kthim. Anila Duka, 29 vjeçe, banuese në Sauk, i ka dhënë fund jetës mbrëmjen e të enjtes, duke u hedhur nga kati i pestë i pallatit, nga apartamenti i nënës së saj në afërsi të kthesës së Kamzës. Gruaja 29-vjeçare nënë e dy fëmijëve, është hedhur nga ballkoni i shtëpisë në bllokun e pallateve malajziane, ose siç quhen ndryshe blloku “Garden Siti”. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e të enjtes rreth orës 22:00, kur 29-vjeçarja ka ruajtur momentin që e ëma kishte zbritur bashkë me vajzën e saj, 3-vjeçare për të blerë diçka në një dyqan në katin e parë. Shkak për ngjarjen sipas burimeve të policisë dhe sipas banorëve të pallatit, mendohet se mund të kenë qenë marrëdhëniet jo të mira, që kishte pasur viktima me të shoqin kohët e fundit. Burime të policisë por edhe banorë të pallatit, thonë se për shkak të marrëdhënieve jo të mira, çifti po shkonte drejt divorcit çka përshkruhet t’i ketë shkaktuar jo pak shqetësime 29-vjeçares. Sipas burimeve nga grupi hetimor i çështjes, mësohet se viktima e vetëvrasjes, prej disa muajsh ka qenë në gjendje jo të mirë emocionale, çka sipas tyre ka rënduar edhe gjendjen e saj psikologjike. Për këtë shkak, sipas hetuesve gruaja ka marrë mjekime të vazhdueshme, por që për fatin e saj nuk mundën të bënin shumë në ndryshimin e gjendjes emocionale të viktimës. Të enjten në mesditë Anila Duka, kishte mbërritur në shtëpinë e nënës, e cila jetonte e vetme aty pasi i biri ishte emigrant në Itali. Ende nuk dihet se çfarë ka biseduar gruaja me nënën e saj, por një fqinje, që banon pranë tyre tregon se i njihte fare pak, por se Anilën nuk e kishte parë të gëzuar në fytyrë. “E ëma kishte zbritur, poshtë kur dëgjuam zhurmat,- pohon gruaja që banon një kat mbi banesën nga ku u hodh Anila Duka. Ky moment është ruajtur nga 29-vjeçarja, e cila ka dalë në ballkon dhe është hedhur nga një lartësi e konsiderueshme në drejtim të trotuarit ngjitur me pallatin. Në pak sekonda aty janë mbledhur një grumbull i madh njerëzish për t’i ardhur në ndihmë gruas, ndërsa e kanë nisur për në spital. Viktima ka ndërruar jetë rrugës për në spital, ndërsa policia pas hetimit ka konkluduar se kishin të bënin me një rast vetëvrasjeje në kushte depresioni.

Infermierja: Anila dukej që s‘ishte mirë

TIRANE - Një banore e pallatit, që punon si infermiere, tregoi se kishte kërkuar ndihmë, ndërsa kishte dëgjuar disa gra që të thërrisnin se Anila kishte vrarë veten. “Menjëherë shkova për ta ndihmuar dhe u ngjita në katin e pestë ku banojnë ata, por e gjeta derën të mbyllur.
Si e mësuat ngjarjen?
Isha në shtëpi. Dëgjova ca të trokitura në derë dhe dola. Ishin ca gra dhe më thanë se Anila është sëmurë, nuk është mirë po vdes. Në pak sekonda dola dhe trokita te dera e nënës së Anilës por pashë që dera ishte e mbyllur. S’po e kuptoja që aty s’kishte njeri dhe mendova se kanë marrë tim shoq për taksi. Më pas zbrita poshtë dhe mësova se Anila ishte hedhur nga ballkoni i shtëpisë së të ëmës. U munduam ta fusnim në një makinë, sepse ishte ende gjallë dhe mund të kishte shpresë për jetë. Ishte e kotë në fakt sepse ajo kishte marrë dëmtime të rënda në kokë dhe në trup. Dukej që ishte hedhur qëllimisht me kokë, për të mos shpëtuar.
A e kishit takuar dhe a ju pati lënë përshtypjen se mund të kryente një veprim të tillë?
Të them të drejtën unë e pata parë këto ditë dhe nuk më dukej në gjendje të mirë shpirtërore. Ndoshta edhe për shkak se kohë më parë i kishte vdekur i ati. Në fakt kisha vënë re se që pas lindjes së fëmijës së dytë ajo nuk qe mirë. Por pavarësisht kësaj nuk di të them ndonjë shkak të saktë. Policia erdhi dje në darkë këtu dhe pyetën dëshmitarë e njerëz, por s’di ç’të them për ndonjë shkak të mundshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›