Divorci me Pirro Çakon, sopranoja Inva Mula i drejtohet Gjykatës
Tiranë – Sopranoja e mirënjohur shqiptare, Inva Mula, i është drejtuar Gjykatës së Rrethit të Tiranës për divorcin nga bashkëshorti i saj, Pirro Çako. Kërkesa, e cila është hedhur në shortin elektronik, kishte si objekt të saj padi zgjidhje martese. Në ditët në vazhdim pritet që Gjykata të caktojë dhe datën e parë e seancës gjyqësore. Nuk dihen ende arsyet përse emri i njohur i muzikës operistike ka kërkuar që të divorcohet nga bashkëshorti i saj. Mësohet se çifti prej disa kohësh nuk jeton bashkë. Në një intervistë dhënë për një të përditshme, Pirro Çako mohon të jetë e vërtetë ndarja. “Dhe po ua them të gjithëve, të jenë të bindur se asgjë nuk ka ndryshuar në jetën time”, - u shpreh atëherë Pirro Çako, ndërsa mendonte se martesa dhe familja janë mirëmbajtje. “Fundjavat në orët e vona i kaloj me shoqërinë në karaoke. Por natyrisht që jam i rebeluar. Më duket sikur kam dhënë pak në jetë. Dhe për mua, të japësh pak është sikur nuk ke dhënë asgjë. Mendoj se kam shumë për të dhënë për muzikën shqiptare. Kam një etje për të dhënë më shumë në jetën time”, - deklaronte kantautori i njohur.
Sopranoja me famë botërore, Inva Mula, u fol se është në njohje e sipër me një ndër 10 biznesmenët më të pasur kosovarë, Hetem Ramadanin. Ky i fundit
ka vite që jeton në Slloveni. Mendohet që lidhja ka nisur rreth marsit të vitit 2008 dhe thuhet se do konkludohet në martesë. U aludua në media se mund të kishte një “divorc” me kantautorin e njohur Pirro Çako.
Pirro Çako dhe Inva Mula gjithmonë kanë qenë në qendër të vëmendjes. Edhe atëherë kur shoqëroheshin bashkë në Liceun Artistik e ku njerëzit sa herë i shikonin bashkë fëmijët e dy emrave të njohur, çuçurisnin me njëri-tjetrin. Inva dhe Pirro u njohën më shumë se 25 vite më parë dhe janë një nga çiftet e maturës ’82 që ka rezistuar më shumë. Që nga viti 1990 Inva jeton në Paris, për ku dhe nga niset për koncertet e saj të shumta kudo në botë. U bë e famshme me pjesëmarrjen te muzika e filmit “Elementi i pestë”, i regjisorit Luc Beson, me aktorët Brus Uillis dhe Milla Miloviç. Ajo ka marrë pjesë në koncerte dhe me tenorin e famshëm Plaçido Domingo.
2 Prill 2009