E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur privatizohen meritat e një populli



Kolë Ndreka*

Është e disata herë që kryeministri Berisha e lëshon fjalën në publik duke i dhënë krejt meritat vetes dhe qeverisë që kryeson për futjen e Shqipërisë në NATO. Ky privatizim vlerash kombëtare nga një politikan, që i ka shumë borxhe ushtrisë së vendit të tij, është sa i papranueshëm, aq edhe fyes.

Aktualisht, përfshirja e vendit tonë në NATO ka një vlerësim realist dhe të përgjegjshëm nga Presidenti i Republikës, zoti Bamir Topi. Ai e tha prerazi dhe qartë se futja e Shqipërisë në Aleancën e Madhe Euroatlantike është meritë historike e popullit shqiptar. Me këtë deklaratë të denjë për postin që mban kryetari i shtetit, nuk i dha të drejtën e spekulimit asnjë force politike apo udhëheqësi partiak për të marrë autorësinë e këtij përparimi dhe fitoreje madhore të kombit tonë.

Historia ka dëshmuar se i vetmi vend në Ballkan dhe në kontinentin e Europës që nuk i ka rënë kujt në qafë është Shqipëria, populli i së cilës ka sakrifikuar gjenerata të tëra në kërkim të lirisë dhe mbrojtjes së tokës amtare. Ky fakt dëshmon se qenia komb paqësor dhe liridashës i shqiptarëve është më shumë se vërtetësi historike dhe ka marrë tiparet e identitetit me dimensione universale. Ky identitet, i formuar në lashtësi, kur analizohet në tërësinë e përmbajtjes, çon në bindjen se është vlera demokratike e qytetarëve që i duhet çdo populli e kombi sot më shumë se asnjë shekull më parë.

Ngritja e djelmërisë shqiptare në Luftën e Dytë Botërore kundër barbarisë neofashiste ishte vepër madhore e popullit shqiptar dhe rreshtimi në këtë luftë përkrah Aleancës Antifashiste Botërore ishte arritja e parë e të gjitha kohërave. Këtë rreshtim shumë dinjitoz të partizanëve shqiptarë përkrah ushtrive të SHBA-ve, Bashkimit Sovjetik, Britanisë së Madhe dhe vendeve të tjera antifashiste, e kanë vlerësuar edhe vetë forcat aleate. Shqipëria e vogël, në kuadrin e Aleancës Antifashiste angazhoi në tokën e saj disa divizione, luftoi kundër ushtrive nazifashiste, i mundi dhe nuk u ndal vetëm në çlirimin e tokës së saj, por kontribuoi edhe në çlirimin e tre vendeve të tjera të Ballkanit.

Pra, realisht, Shqipëria hyri në Aleancën e fuqive të mëdha çlirimtare të botës 60 vjet më parë. Dhe 66 vjet më vonë po hedh të njëjtin hap madhor në kushte krejtësisht të reja dhe në rrethana krejtësisht të ndryshme. Në hapin e parë, në vitin 1943, drejtonin komunistët shqiptarë, por mbi ata ishte sovrani popull.
Në hapin e dytë, Shqipëria hyri në Traktatin e Varshavës kur bota u nda me dy rreshtime, Lindje dhe Perëndim, dhe Muri i Berlinit u zuri sytë popujve. Por, në këtë rreshtim, shqiptarët kanë meritën më të madhe si popull dhe si komb, sepse ky bllok ushtarak gjigant shkeli rregullat e funksionimit të tij dhe pushtoi Republikën Çeke. Shqipëria e dënoi botërisht dhe doli prej kësaj aleance antidemokratike; pranoi çdo konseguencë, por mbrojti denjësisht identitetin e saj.

Në hapin e tretë, Shqipëria është në NATO. Ky akt madhor e afirmon Shqipërinë e vogël si vendin më të vendosur për të mbrojtur paqen dhe lirinë në rajon dhe më gjerë. Kështu që Shqipëria me NATO-n u takuan si dy miq të mirë që kanë kërkuar gjithë këto vite njëri-tjetrin.

Është për të ardhur keq që në prag të kësaj ngjarjeje kaq të madhe, jemi të detyruar t’i përmendim qeverisë borxhet e mëdha që i ka ushtrisë shqiptare me reformën që bëri; me kritere politike dhe joligjore; me qëndrimin e padrejtë dhe hakmarrës që po mban tani kundër ish-ushtarakëve, duke u mohuar me arrogancë vlerat dhe të drejtat e shpërblimit suplementar, si në të gjitha vendet e NATO-s dhe të Europës. Ajo sfidoi vendet e NATO-s e të Europës. Ajo sfidoi Gjykatën Kushtetuese duke hedhur poshtë vendimin e saj që u njeh disa të drejta ish-ushtarakëve.

Qeveria i ka borxh nderin e dinjitetin ushtrisë për paaftësinë dhe korrupsionin në zhvatjen e pasurisë ushtarake, ku rasti më i fundit u shënua në Gërdec. Po ashtu, për faj të qeverisë aktuale, po hyjmë në NATO me ish-Ministrinë e Mbrojtjes dhe një sërë zyrtarësh të lartë të ushtrisë shqiptare, të vënë përballë akuzës për korrupsion dhe shpërdorim detyre. Ky fakt tronditës ndodh për herë të parë në vendin tonë. Dhe megjithëse ishte një ngjarje e rëndë, kjo nuk i pengoi drejtuesit e Aleancës për të vlerësuar meritat dhe kulturën e popullit shqiptar. Ky akt njëherësh është zhvlerësim i madh për drejtuesit e kësaj qeverie.

-----------
*Autori i shkrimit është ish-ushtarak, i dalë në pension

Gazeta është e hapur dhe mirëpret komentet dhe opnionet e lexuesve rreth kësaj çështje, apo problemeve të tjera që shqetësojnë shoqërinë shqiptare dhe proceset integruese të vendit tonë

2 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›