Divorci, vetëvaret në banesë shoferi i Ministrisë së Mbrojtjes
Hetimi, ngjarja, për shkaqe depresioni
Familjarët kanë lajmëruar policinë
Edhe një ditë e ndante nga divorci me bashkëshorten e tij, por duket se një gjë e tillë nuk është përjetuar mirë nga babai i dy vajzave, i cili i ka dhënë fund jetës duke u vetëvarur në mjediset e shtëpisë së tij. Luan Xhaxha, 53 vjeç, i punësuar si shofer në parkun e automjeteve në Ministrinë e Mbrojtjes, është gjendur pa jetë rreth orës 01:55 të ditës së djeshme nga familjarët e tij, të cilët më pas kanë lajmëruar policinë. Kjo e fundit ka shkuar në vendngjarje dhe ka filluar hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aktit vetëflijues të kryefamiljarit.
Ndërkohë, burime nga policia kanë pohuar se dyshimet e tyre janë për shkaqe depresioni, pasi ditën e djeshme, Xhaxha kishte seancën e parë të gjyqit të divorcit me bashkëshorten, e cila punonte si parukiere.
Megjithatë, nga grupi i posaçëm hetimor i formuar që po kryen veprimet hetimore dhe procedurale, po punohet për të saktësuar tërësisht motivet e kësaj ngjarjeje. Njëherazi, materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Askush nga kolegët e tij në dikasterin e Mbrojtjes nuk e ka besuar se shoferi i Thimi Hudhrës do të merrte një vendim fatal për jetën. E kishin parë në punë gjatë paradites, ndërsa tashmë, vetëm një ditë më pas, kolegë të shumtë ndodheshin për ngushëllim në familjen e tij. Luan Xhaxha, ish-shoferi i drejtorit të përgjithshëm të doganave shtatë vjet më parë, ishte vetëvarur ngaqë duket se nuk i ka përjetuar mirë momentet e fundit të ndarjes nga bashkëshortja me të cilën kishte kaluar 22 vjet të jetës.
Një natë më parë aty nga ora 02:00, babai i dy vajzave nuk i është përgjigjur thirrjeve të familjarëve të tjerë të cilët në të tillë situatë nuk kanë pritur për të hapur derën e dhomës së tij. Thirrjet për ndihmë kanë mbledhur dhe komshinjtë më të afërt, ndërkohë që policia nuk ka vonuar të vijë pas lajmërimit.
Sipas të dhënave të saj një ditë më parë, kanë qenë shërbimet e Kontroll-Territorit të Komisariatit të Policisë Nr. 3 Tiranë që morën njoftim përmes një telefonate, se në mjediset e një banese është gjendur i vetëvarur një shtetas.
Menjëherë, në vendin e ngjarjes shkoi grupi hetimor i formuar për të sqaruar rrethanat dhe motivet e kësaj vetëvarjeje.
Sipas policisë, pas identifikimit u konkludua se viktima ishte 53-vjeçari Luan Xhaxha, me arsim të mesëm, punonjës (shofer) pranë Ministrisë së Mbrojtjes. Policia tha se viktima ishte gjetur nga familjarët, pasi ka ndërmarrë aktin fatal për jetën, i vetëvarur në mjediset e banesës së tij në rrugën “Sulejman Pasha” në Tiranë.
Ndërkohë, familja e tij ka pritur ngushëllimet gjatë ditës së djeshme, ndërsa në orën 18:00 është bërë ceremonia për në banesën e fundit.