E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qesëndi e ironi mes prokurorit dhe avokates në seancë

David Braun

Procesi gjyqësor në ngarkim të të pandehurit David Braun ka vijuar dje me qesëndisje mes prokurorit dhe avokates mbrojtëse. Gjithçka ka nisur me mënyrën sesi do vijonte seanca e djeshme, e cila ishte në vazhdimësi të seancës së një dite më parë, kur avokatja nisi predikimet fetare. Në dy listat e paraqitura nga avokatja nuk ishin shënuar adresat e sakta të dëshmitarëve, në mënyrë që këta të fundit të njoftoheshin nga gjykata. Prokurori i ka kërkuar avokates të paraqesë lista me adresa të sakta dëshmitarësh, në mënyrë që sjellja e tyre në seancë të jetë më e lehtë. Avokatja ka këmbëngulur se adresat ishin të sakta. Të gjendur në një situatë të tillë, prokurori i ka sqaruar turpit gjykues se ose lista e paraqitur ishte e falsifikuar, ose avokatja ishte duke parë filxhan dhe shihte se ku ndodheshin dëshmitarët. Kjo e fundit, e cila u qortua disa herë nga gjykata për mosmarrje leje gjatë seancës, ka shpjeguar se dëshmitarët ishin me pushime dhe duhet t’i pyesë nëse do të vinin apo jo për të dëshmuar. Ndërsa gjykata i ka shpjeguar avokates se dëshmitarët nuk pyeten por thirren dhe janë të detyruar të paraqiten. Humori nuk do të ndalej te filxhani i kafesë dhe fallet në listën e dëshmitarëve, por edhe me faktin që i fundit në listë për t’u thirrur për të dëshmuar ishte klinika ABC, pa emra personash konkretë. Madje, në një memo drejtuar gjykatës, avokatja i bënte me dije gjykatës se trupi gjykues kishte paragjykime për seancën gjyqësore pasi i kishte bërë të ditur kësaj të fundit se duhet t’i drejtohej Gjykatës së Apelit për kundërshtimin e vendimeve të marra gjatë procesit gjyqësor. Kjo memo i drejtohej Gjykatës së Apelit. Prokurori ka pyetur avokaten nëse kishte ngatërruar gjykatë, pasi nuk ishin në Gjykatën e Apelit, por në atë të Shkallës së Parë Tiranë. Por, avokatja ka reaguar ndaj ironisë së përfaqësuesit të akuzës, duke u shprehur se nuk ishte ngatërruar aspak. Ndërsa, lidhur me vazhdimin e procesit gjyqësor, gjykata e ka shtyrë atë për në shtator për mosparaqitje të dëshmitarëve në këtë proces, për arsye pushimesh.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›