E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përfshihet nga flakët makina e administratores së “Albania Interlines”



Pistat e policisë, akt i qëllimshëm ose masë në automjet

Administratorja Preka, dyshime për ish-administratorin Filiopulos

I vihet zjarri makinës së administratores së kompanisë greke “Albania Interlines” sh.p.k., Diela Ana Preka. Makina ka qenë e parkuar para vilës së administratores, e cila ndodhej përballë shkollës së mesme “Qemal Stafa”. Zjarri është shuar brenda një kohë të shkurtër nga zjarrfikësit të cilët janë lajmëruar nga banorët e zonës, ndërkohë që policia ia ka behur në vendngjarje brenda pak minutash. Zjarri është konstatuar rreth orës 03:30 të mëngjesit dhe brenda një kohe të shkurtër, zjarri u lokalizua dhe u fik nga punonjësit e zjarrfikëseve. Në vendngjarje kanë mbërritur edhe dy ekspertë, të cilët kanë bërë këqyrjen e automjetit të përfshirë nga flakët, ndërkohë që kanë marrë në pyetje edhe pronaren e automjetit. Sipas burimeve policore, administratorja Preka ka bërë një kallëzim para oficerit të policisë që mbërriti menjëherë në vendin ku ndodhi ngjarja, ndërkohë që dyshohet si një akt i qëllimshëm. Policia është duke vijuar hetimet rreth kësaj ngjarjeje, ndërkohë që pistat e hetimit janë dy: një akt i qëllimshëm ose një masë e shkaktuar në automjet.

Dyshimet

E kontaktuar pas ngjarjes, administratorja e kompanisë “Albania Interlines” është shprehur se “nuk kam armiqësi me askënd dhe nuk mund të akuzoj ndonjë person konkret për ngjarjen. Dyshimet e mia ja kam bërë të ditura policisë dhe pres që ajo të japë versionin zyrtar sesi ka ndodhur ngjarja”. Ndërkohë që, sipas burimeve policore, administratorja Preka ka hedhur dyshime tek një shtetas grek, Kristodoulos Filipoulos, ish-administrator i kësaj kompanie para se ajo të merrte detyrën. E pyetur rreth këtij fakti, administratorja aktuale e kësaj kompanie të transportit ndërkombëtar, e cila e drejton prej një viti, është shprehur se ka dyshime të arsyeshme pse ky shtetas mund të ketë futur njerëz për ta ndërmarrë një akt të tillë. “Shpesh kam marrë kërcënime në telefon, të cilave nuk ua kam vënë veshin dhe kam vazhduar të shoh punën time. Por, ngjarja e sotme më lidh me ato telefonata kërcënuese. Dyshoj tek ish-administratori i mëparshëm, pasi me të jemi në gjyq, pasi akuzohet prej nesh për shitjen e pronave të kompanisë, ndërkohë që prokura e tij ishte revokuar shumë kohë para shitjeve të kryera, ndërkohë që shuma e parave nuk është derdhur në arkën e kompanisë. Kjo na detyroi ta hidhnim në gjyq, madje duke depozituar edhe një kallëzim penal pranë Prokurorisë së Tiranës për vjedhje me anë të mashtrimit për këtë shtetas, i cila ka shitur 18.945 m2 sipërfaqe toke, pronë e kompanisë”, - rrëfen administratorja Preka, duke shtuar se “zbardhjen e ngjarjes ia ka lënë në dorë policisë dhe në çdo kohë do jetë në dispozicion për të dhënë ndihmën e saj në zhvillimin e hetimeve”. Lidhur me këtë ngjarje të orëve të para të mëngjesit të djeshëm, policia është duke vijuar hetimet në dy pistat e mësipërme, ndërkohë që është në pritje edhe të rezultatit zyrtar të ekspertëve, të cilët do të përcaktojnë edhe shkakun e zjarrvënies. Vetë administratorja Preka rrëzon pistën e ndonjë mase të mundshme në automjet, duke argumentuar se makina kishte mbi katër orë e fikur dhe e parkuar në atë vend, ndërkohë që nuk kishte lëvizur gjatë me të, as 5 minuta nga puna në shtëpi, ndërkohë që edhe koha gjatë natës ka qenë e freskët. Tashmë i mbetet policisë dhe ekspertëve për të thënë fjalën e fundit rreth kësaj ngjarjeje.

Konflikti

Policia dhe administratorja Preka hodhën dyshimet se nëse bëhet fjalë për një zjarrvënie të qëllimshme, atëherë ka një të dyshuar, Kristodoulos Filipoulos. Shtetasi grek i dyshuar ka qenë deri një vit më parë administrator i kompanisë së transportit ndërkombëtar “Albania Interlines”, e cila aktualisht drejtohet nga Diela Ana Preka, e cila është vendosur nga ortaku i vetëm i kompanisë pas revokimit të prokurës së Filipoulos. Konflikti nisi pas shitjes së një sipërfaqeje të konsiderueshme të pronës së pronarit të kompanisë nga administratori, të cilit në kohën e aktit të shitjes i ishte revokuar prokura me vendim gjykate dhe kompania kishte një administratore të re. Bëhet fjalë për shitjen e 18.945 m2 sipërfaqe toke, për të cilën ndodhen në proces gjyqësor dhe që Filipoulos nuk ka pasur atributet për ta shitur. Jo vetëm prej revokimit të prokurës, sqaron administratorja Preka, por edhe sepse për të shitur një pronë të patundshme duhet patjetër prania e ortakëve ose ortakut të vetëm kur ka një themelues kompanie. Ndërkohë që, shton Preka, shitja është realizuar pa praninë e një përkthyesi te noterja, çka përbën një element më tepër të nulitetit të kësaj shitjeje. “Për këto arsye jemi në proces gjyqësor civil, ndërkohë që ka edhe një kallëzim penal të depozituar në prokurori”, - përfundon znj. Preka.

Detaj

18.945 m2 është sipërfaqja e shitur nga ish-administratori grek, që solli konfliktin mes tij dhe kompanisë

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›