E Shtunë, 31 Tetor 2026

Panagiotopulos: Domosdoshmëri, ngritja e Gjykatës Administrative

Gjykata e Lartë

Kryetari i Këshillit të Shtetit të Republikës së Greqisë, Georgios Panagiotopoulos, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në vendin tonë, është pritur paraditen e djeshme nga anëtarët e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë. Gjatë këtij takimi, anëtarët e Gjykatës së Lartë shprehën jo vetëm interesimin e tyre mbi situatën e gjyqësorit në Greqi, por deklaruan se gjyqësori shqiptar do të jetë gjithmonë i gatshëm për të bashkëpunuar me kolegët e tyre. Kjo, sipas tyre, pasi vendet fqinje, në kuadër të përmirësimit të mëtejshëm të legjislacionit dhe dhënies së drejtësisë, kanë më tepër privilegjin e të punuarit së bashku. Gjithashtu, anëtarët e shkallës më të lartë të gjyqësorit kanë bërë një përshkrim të detajuar të sistemit gjyqësor në vendin tonë, si dhe e kanë njohur z. Panagiotopoulos me situatën aktuale në Gjykatën e Lartë, pas përfundimit të mandatit të gjyqtarëve të larguar. Sipas anëtarëve të kësaj gjykate, shkëmbimi i eksperiencave me vende anëtare të Bashkimit Evropian do t'i jepte drejtësisë dhe gjyqësorit shqiptar një ndihmë konkrete për të arritur nivelet e kërkuara ndërkombëtare. Gjatë takimit, anëtarët e Gjykatës së Lartë theksuan rëndësinë e shkëmbimit të vizitave të tilla, të cilat nuk duhet të jenë vetëm të nivelit zyrtar, por dhe mbajtjen e kontakteve të vazhdueshme në shërbim të rritjes së bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Greqisë në fushën e drejtësisë dhe veçanërisht gjyqësorit. Z. Panagiotopoulos theksoi rëndësinë dhe nevojën e ngritjes së Gjykatave Administrative në Shqipëri, si dhe kujdesin që duhet të ketë gjyqësori në kuadër të uljes ndjeshëm të fenomenit të përbashkët të zvarritjeve në dhënien e drejtësisë dhe respektimit të të drejtave të njeriut.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›