E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në kryeqytet, 7 autorë vjedhjesh të arrestuar në 24 orë



Vjedhjet, brenda një periudhe 1-mujore

Mes autorëve, edhe persona të mitur

Prej kohësh të shpallur në kërkim për një sërë vjedhjesh në zona të ndryshme të kryeqytetit, shtatë persona, mes tyre edhe të mitur, duket se ishin kthyer në tmerrin e pronarëve të parukerive, zyrave të avokatisë, farmacive, zyrave të KESH-it, dyqaneve, kioskave dhe gjithashtu automjeteve. Megjithatë, një hetim intensiv i strukturave të Policisë së Tiranës ka bërë të mundur që vetëm gjatë 24 orëve të fundit, të lokalizojnë vendndodhjen, si dhe më pas arrestimin e 7 prej tyre, ndërsa ka dokumentuar mbi 10 vjedhje. Gjithçka është bërë e ditur dje kur përmes një deklarate për shtyp, policia e kryeqytetit ka bërë me dije se vetëm gjatë së martës, shërbimet e komisariatit të policisë nr. 3 kanë arritur të dokumentojnë vjedhjen e realizuar nga i mituri M.C, 11 vjeç, banues në Tiranë të një kompjuteri tip “Laptop” në mjetin me targë TR 2706 në pronësi të një shtetasi, e ndodhur në rrugën “Sulejman Delvina”. Veç tij, në pranga janë vënë edhe Shezai Mata, 38 vjeç, lindur në Korçë dhe banues në Tiranë si dhe Nazar Mata, 43 vjeç nga Tirana.

Policia tha se kapja e tyre u krye sepse u kapën në flagrancë gjatë momentit të vjedhjes së disa materialeve ndërtimi, në pronësi të një shtetasi.

Ndërkohë që mbrëmjen e së martës, falë një pune intensive të organizuar nga seksioni Kundër Vjedhjeve të Tjera, realizuan ndalimin e 26-vjeçarit Tonet Saraçi, nga Berati.

Sipas hetimeve të komisariatit nr.3, rezulton se i riu është autori i vjedhjes në datë 30 qershor të këtij viti të një parukerie në bulevardin “Gjergj Fishta” në kryeqytet. Po kështu, në datë 1 korrik dyshohet të ketë realizuar vjedhjen e zyrës së avokatisë në pronësi të një shtetasi, në bulevardin “Gjergj Fishta”. Por jo vetëm kaq. Hetimet ndaj tij kanë rezultuar se ai është autor edhe i vjedhjes së zyre të një avokati në bulevardin “Bajram Curri” në Tiranë e kryer në 14 korrik. Për të gjitha këto, materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të tij, i kaluan prokurorisë për veprën penale të “Vjedhjes”.

Ndërkaq, policia ka bërë të ditur se përgjatë orëve të vona të së martës, po nga specialistët e seksionit Kundër Vjedhjeve të Tjera është mundësuar kapja në flagrancë e 13-vjeçarit B.B, lindur dhe banues në Babrru. Kapja e tij është bërë pasi i mituri është kapur në flagrancë duke vjedhur kioskën në pronësi të një shtetasi, i cili në bashkëpunim edhe më dy bashkëmoshatarët e tij me iniciale J.A, dhe Xh.Q, respektivisht 13 vjeç, dyshohet se janë autor të nj sërë vjedhjesh në kryeqytet.

Dokumentimi i provave nga ana e policisë, rezulton se ata janë autor të vjedhjes së kryer në datë 21 korrik të kioskës së një shtetasi, në rrugën “Xhorxh Bush”. Po kështu, më datë 12 korrik ata dyshohet se kanë realizuar më së miri vjedhjen e kioskës së një shtetaseje e ndodhur në rrugën “Lek Dukagjini” në Tiranë; në datë 17 qershor të këtij viti dyshohet se kanë realizuar vjedhjen e një kompjuteri në zyrat farmaceutike, në pronësi të një shtetasi, e ndodhur në “Rrugën e Durrësit”; po në këtë datë dyshohet se kanë realizuar vjedhjen e dyqanit në pronësi të një shtetasi, e ndodhur në rrugën “Margarita Tutulani”, si dhe vjedhjen e një kompjuteri në zyrat e KESH-it, në bulevardin “Bajram Curri”, e ndodhur më datë 12 qershor. Për këto, në bashkëpunim me prokurorinë po punohet më tej për dokumentimin tërësisht të tjera vjedhjeve të ndodhura në kryeqytet.

Ndërkohë, edhe nga shërbimet e komisariatit të Kavajës është arrestuar 16-vjeçari B.M, banues në Xhafzotaj Durrës, në bashkëpunim edhe me Ermir Kariçin, 19 vjeç, dhe 17-vjeçarin R.K, të dy nga Xhafzotaj, u kapën gjatë natës të së martës gjatë momentit të vjedhjes me thyerje të marketit, të ndodhur në Golem. Në cilësinë e provës materiale iu sekuestruan sendet e vjedhura, si cigare të llojeve të ndryshme etj. Po kështu, ndaj tyre është deponuar një tjetër kallnimi penal mbi vjedhjen e një tjetër marketi në Golem, ku dyshohet se kanë marrë rreth 20 karta telefoni dhe shumën e parave prej 1 000 lekësh.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›