Dixhitalizohen hartat me pronat e fermerëve
28/04/2010 FIER- Tashmë pas shumë vitesh investimi i Bankës Botërore bën të mundur hyrjen në sistem të gati 20 mijë pronave të fermerëve të qarkut Fier. Në një deklaratë për median drejtuesi i zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Fier, Tomor Allkushi, tashmë ka theksuar se është bërë i mundur marrja e certifikatës së pronësisë dhe bërja e aplikimeve on-line duke iu dhënë fund kështu sorollatjeve të qytetarëve, sorollatje të mëparshme që u kanë kushtuar ditë të tëra edhe drejt Tiranës. Ky proces identifikon me saktësi pronat e qytetarëve dhe i bën ata të sigurt për pronën e tyre. “E veçanta është se bashkë me qytetin e Patosit, ka thënë Tomorr Allkushi, futet edhe zona rurale që u krijon një avantazh të madh qytetarëve. Ky proces bëhej në Tiranë. Pra, fermeri merrte rrugën në Tiranë për regjistrimin e pronës së tyre. U bëj thirrje qytetarëve dhe sidomos fermerëve që të rrisin vëmendjen ndaj pronave të veta, të mos bëjnë regjistrimin në momentin e fundit se krijohet konfuzion dhe sidomos mbivendosje pronash”. Nga 118 zona kadastrale të rrethit Fier kanë mbetur vetëm 4 zona pa u futur në sistem on-line, Cakran, Kuqar, Darzezë dhe Sheq Marinëz.