E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Protestuesi me karamele, është mashtrues”

28/04/2010 Reagon një ditë pas ngjarjes kryekomunari i Bërdicës, Qamil Xhurreta

Sipas Xhurretës, protestuesit nuk i është përmbytur shtëpia, përdoret politikisht

SHKODER- Reagimi i një dite më parë të banorit të fshatit Trush, Lush Ndoci, ndaj masës së vogël të dëmshpërblimeve për përmbytjet e janarit të këtij viti, ka sjellë dhe kundër reagimin e drejtuesve të komunës Bërdicë dhe Këshillit të Qarkut Shkodër. Sipas tyre, shtetasi Lush Ndoci është përdorur për qëllime politike, pasi nuk ka pasur dëmtime të tjera përveç dy qengjave, për të cilët ka marrë dhe masën e dëmshpërblimit prej 5 mijë lekësh. Ky shtetas, shprehen drejtuesit e Këshillit të Qarkut Shkodër dhe të komunës Bërdicë, nuk ka shfaqur më përpara pretendime për dëme të tjera dhe ka firmosur vetë formularin e dëmshpërblimit në masën që edhe ka marrë. “Sa u përket pretendimeve të çobanit Lush Ndoci sqaroj opinionin publik, që nuk e njeh, se ky person, ndonëse ka pamjen e një njeriu të përvuajtur, është supermashtrues. Nuk është hera e parë që ky njeri kryen veprime të tilla. Ky njeri ka bërë skena të ngjashme edhe nga fundi i janarit 2010, vetëm e vetëm për të mashtruar ndonjë person fizik apo juridik për të tërhequr para, duke shfrytëzuar në mënyrën më të turpshme fatkeqësinë e përmbytjes. Ai ka mashtruar, kur ka thënë se i është përmbytur shtëpia, ndërkohë që banesa e tij ndodhet disa kilometër larg zonës së përmbytur. Dua t’u them atyre që fshihen pas Lush Ndocit se as trushianët dhe asnjë nga banorët e tjerë të komunës Bërdicë nuk i ka ngrënë dhe nuk i ha “karamelet” e tyre”, është shprehur në deklaratën e djeshme për shtyp kreu i komunës Bërdicë, Qamil Xhurreta. Këto reagime erdhën një ditë pasi shtetasi Lush Ndoci, me paratë e dëmshpërblimit bleu dhe shpërndau karamele për fëmijët e shkollës së fshatit Trush, në shenjë proteste ndaj kompensimit shumë të ulët që iu bë dëmeve që iu shkaktuan atij gjatë përmbytjes së janarit të këtij viti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›