“Djajtë e kuq” dhunojnë Çelsin e Skolarit
“Djajtë e kuq” tregohen të pamëshirshëm ndaj Çelsit të Liuiz Felipe Skolari duke thelluar edhe më tepër krizën e rezultateve që londinezët po kalojnë. Golat e Nemanja Vidiç, Uejn Runi dhe Dimitar Berbatov i japin fund ëndrrës së “bluve” për të arritur rekord në rezultatet në transfertë. Rrugën e golit kampionët e gjetën me anë të mbrotjësit serb Vidiç në minutën e fundit të pjesës së parë, pas një ekzekutimi të saktë të një gjuajtjeje nga këndi nga Rajan Gigs. Në të 63-ën, sulmuesi Uejn Runi, shfrytëzoi me zgjuarsi dhe shkathtësi krosimin e Patris Evra dhe gjunjëzoi për herë të dytë portierin mik, Piter Çeh. “Trion” e mrekullueshëm e firmosi Dimitar Berbatov që u ndodh në vendin dhe kohën e duhur për të pritur një asist të dhënë nga Kristiano Ronaldo nga jashtë zone. Në krahun tjetër, Çelsi i Skolarit, megjithëse kishte avantazhin e moskativizmit të kapitenit kundërshtar Rio Ferdinand nuk ndërtoi ndonjë aksion të rrezikshëm qoftë për të shënuar edhe golin e nderit. Me këtë fitore shpresat e Mançester Junajtid për fitimin e titullit për herë të tretë radhazi shtohen akoma më tepër pasi nëse fiton në dy ndeshjet e prapambetura që ka me Fulhamin dhe Uiganin, atëherë autmatikisht, merr kryesimin e Premier Ligës me një pikë më shumë se Liverpuli.