Izraeli paralajmëron fitoren, ndërsa bombat bien në Egjipt
Autoritetet izraelite kanë njoftuar se janë fare pranë arritjes së qëllimeve në Gaza, ndërsa ofensiva vazhdon duke shtuar numrin e civilëve palestinezë të vrarë. Deri tani numri i viktimave është mbi 880 nga Palestina dhe vetëm 13 nga Izraeli, në sulmet që nuk kanë vetëm disproporcion të vrarësh, por edhe forcash e mjetesh ushtarake. Deklaratën e ‘fitores’ e ka bërë Kryeministri izraelit, Ehud Olmert. “Eshtë koha që t’i konkretizojmë arritjet tona dhe të përmbushim qëllimet. Izraeli është fare pranë arritjes së objektivave, që i vuri vetes gjatë kësaj fushate ushtarake. Por na duhet vendosmëri, durim dhe përpjekje për të përmbushur qëllimet që do ndryshojnë realitetin e sigurisë në jug dhe civilët të ndihen të sigurt në afat të gjatë”, tha Olmert. Ndërsa tanket dhe avionët godisnin qytetin e Gazës, Izraeli ka njoftuar se po shfrytëzon kanale diplomatike për përfundimin e konfliktit. Ministri i Mbrojtjes, Ehud Barak tha se nuk ka kontradikta midis kursit të luftës dhe atij diplomatik. Megjithatë, ai nuk ka bërë të ditura detaje të aktiviteteve diplomatike, që kryesisht po zhvillohen në Kajro, Egjipt. Izraeli ka deklaruar se ofensiva mund të përshkallëzohet, nëse nuk ndalen sulmet me raketa nga ana e Hamasit. Dje ishte dita e 16-të e luftimeve, por nuk ka qenë plotësisht një sukses për Izraelin. Disa bomba të hedhura nga trupat e tij kanë rënë në territorin egjiptian, duke plagosur dy fëmijë dhe dy oficerë egjiptianë të policisë. Fëmijët ishin të moshës dy dhe pesëvjeçare dhe u plagosen nga bomba e hedhur pranë kufirit të Egjiptit me atë të Gazës, në ofensivën që nisi më 26 dhjetor 2008. Nuk ka informacione se sa rëndë janë plagosur viktimat. Incidenti ndodhi ndërsa Izraeli ka intensifikuar sulmet e tij kundër Hamasit në Gaza. Nga Izraeli kanë dalë informacione se militantët përdorin tunele për të marrë armë kontrabandë në Gaza. Një roje kufiri egjiptian ka humbur jetën dhe dy të tjerë janëplagosur gjatë përpjekjeve të palestinezëve për të hyrë në Egjipt që kur nisi ofensiva. Ndërkohë vazhdojnë përpjekjet diplomatike. Ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Valter Shtajnmajer po vazhdon vizitën e tij në Lindjen e Mesme. Në Jeruzalem ai u takua dje me presidentin Shimon Peres. Ndërsa të shtunën Shtajnmajer i premtoi Egjiptit ndihmë konkrete për sigurimin e kufirit me Rripin e Gazës. Ekspertët gjermanë do të ndihmojnë ekspertët egjiptianë në përgatitjen e një strategjie efektive për mbrojtjen e kufirit. Në takimin që u zhvillua dje me ministren e Jashtme izraelite, Zipi Livni, Shtajnmajer mori falënderime për ndihmën gjermane për kontrollin më të mirë të kufirit me Rripin e Gazës. Duke iu referuar rezolutës së KS, Livni tha se vendimin se kur mbaron lufta e merr Izraeli dhe jo bashkësia ndërkombëtare.