E Shtunë, 31 Tetor 2026

Doli nga botimi vëllimi i parë me kujtimet e ish-prefektit të Beratit në vitin 1943

 

Iu deshën gati 1 vit për të seleksionuar materialin e lënë nëpër fletë të verdha të daktilografuara, pa ndonjë rend të rregullt kronologjik. Në vazhdën e kërkimeve të tij studimore, por edhe botimit të kolanës së kujtimeve, historiani Marenglen Verli sjell për lexuesin librin “Shqipëria e viteve 1912-1964 në kujtimet e Spiro Kosovës”. Spiro Kosova është një nga ata njerëz, me të cilët fati nuk u tregua shumë dorëlëshuar. I persekutuar gjatë viteve të diktaturës, u harrua se kishte qenë një nga patriotët e Kongresit të Lushnjës, Luftës së Vlorës, prefekt i Beratit, etj., etj. Kujtimet e tij përmbajnë një volum të madh ngjarjesh, të cilat historiani Verli i ka grupuar në dy vëllime. Në të parin ai trajton ngjarjet e paraçlirimit, ku Kosovën e kemi vazhdimisht në kontakt me njerëz të shquar të kohës, apo në qendër të ngjarjeve më të mëdha. Përmes kujtimeve të tij, mund të kuptosh më mirë kontekstin e ngjarjeve, mënyrën e të jetuarit në Shqipëri, mentalitetin e shqiptarëve (jugorë, apo veriorë), situata sociale dhe ekonomike. Ai na jep të dhëna për jetën e diasporës shqiptare, tregon për ngritjen e flamurit, Kongresin e Lushnjës, Kongresin e Përmetit, qeverinë e Nolit, mbrojtjen e kufijve në krah të Bajram Currit, etj. Në vëllimin e dytë, i cili ende nuk ka dalë nga botimi, përfshihen më së shumti kujtimet e Kosovës, si një i persekutuar, i cili përpiqet të mbijetojë në atë kontekst të dhënë. Vetë historiani Verli, thekson se lexuesi duhet të dallojë qartë subjektivizmin dhe ka momente të cilat duhen marrë me rezerva. Megjithatë, libri ofron një material të ngjeshur me fakte, të cilat i shërbejnë historisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›