E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri grek i kulturës: Maqedonia nuk do të ekzistojë si subjekt i vetëm

 

Ministri i ri grek i Kulturës, i betuar për detyrën të enjten e javës së kaluar, ka bërë një deklaratë shokuese në televizionin shtetëror grek, ERT, duke provokuar beteja të ashpra diplomatike me fqinjët maqedonas. Andonis Samaras tha në një intervistë televizive, se Maqedonia do të shkatërrohet dhe nuk do të ekzistojë si shtet i vetëm. “Greqia nuk duhet të frikësohet nga Shqipëria e Madhe apo Bullgaria e Madhe, të cilat do të krijohen pas shkatërrimit të Maqedonisë”, ka deklaruar ministri grek. Deklarata e tij bombë vjen në një kohë kur dy fqinjët janë përfshirë në negociata të vështira për zgjidhjen e kontestit të emrit kushtetues të Maqedonisë, të cilin Greqia e kundërshton, tashmë prej 18 vitesh, pasi përkon me emrin e një province të saj. Ministri i ri i Kulturës në Greqi i zgjedhur në kabinetin qeveritar pas riorganizimit të saj nga kryeministri konservator Kostas Karamanlis është i njohur për qëndrimet e tij radikale dhe nacionaliste. Në vitin 1993 Samaras ishte ministër i Jashtëm grek dhe u largua nga qeveria e kryeministrit Mitsotakis për shkak të qëndrimeve të tij të radikale. Tashmë ministër i Kulturës, ai parashikoi formimin e një “Shqipërie të Madhe” dhe një “Bullgarie të Madhe”. Me deklaratën për formimin e një Shqipërie të Madhe ministri grek rrezikon të hapë edhe polemika të forta me fqinjin tjetër në rajon, Serbinë, e cila lufton edhe thjesht me termin “Shqipëri e Madhe”, për shkak të frikës së bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, që pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, edhe pse liderët e dy vendeve e kanë mohuar një mundësi të tillë. “Besoj se shumë shpejt Shkupi nuk do të ekzistojë si subjekt i vetëm. Kjo do të thotë se koha është në anën tonë dhe praktikisht është në anën tonë, për shkak se mendoj se ata nuk do të kenë sukses që të ruajnë unitetin, i cili tani nuk ekziston. Greqia është si forcë në zhvillim dhe me popullsi më të madhe dhe më të fortë dhe nuk ka pse absolutisht të frikësohemi nga ata”, deklaroi ministri Samaras.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›