E Shtunë, 31 Tetor 2026

Duro: Asnjë hakmarrje ndaj Skelës, e kam mik

 

Jetmir Halilaj

Me Ervin Skelën ka një raport të mirë, madje përveçse në Kombëtare, kanë qenë bashkë shokë skuadre edhe te Arminia e Bielefeldit disa vjet më parë. Klodian Duro dhe mesfushori vlonjat kanë karakteristika të ngjashme, por futbollistit të Omonia Nikosias i është dashur të sakrifikojë më shumë në radhët e përfaqësueses shqiptare. Më 14 janar skuadrat e tyre, Energi Kotbusi dhe Omonia Nikosia do të përballen mes njëra tjetrën dhe Duro mezi pret një sfidë, qoftë edhe miqësore me Skelën. “Nuk kam luajtur asnjëherë kundër tij. Me Ervinin kam raporte të shkëlqyera, por më duket emocionuese një përballje me të, edhe pse bëhet fjalë për një miqësore”, ka thënë Duro për “Panorama Sport”. Mesfushori rrëfen edhe periudhën e shkëlqyer që po kalon në kampionatin qipriot.
E keni nisur mjaft mirë vitin 2009, sepse fituat me Atromitosin bindshëm, por edhe në aspektin personal arritët të jepnit tre asiste në pesë golat që shënoi Omonia...
Po, është e vërtetë. Jam në një formë të shkëlqyer dhe e kemi nisur siç duhet vitin e ri. Personalisht ndihem mjaft mirë këtu dhe ishte një kënaqësi e jashtëzakonshme që të dëgjoja tifozët në fund të ndeshjes të thërrisnin shumë herë në kor emrin tim. Kam fituar zemrat e tyre dhe përveç kësaj, kam arritur të shprehem mjaft mirë në fushë. Nuk mund të prisja më shumë se kaq.
Kjo do të thotë se çështja e merkatos është e mbyllur për ju dhe do të qëndroni përfundimisht te Omonia?
Nuk i dihet asnjëherë, por unë jam shumë i kënaqur që jam pjesë e kësaj skuadre. Jemi në vend të parë dhe jemi pretendentë për titull. Kam siguruar një vend titullari dhe kam shënuar disa gola. Kam fituar gjithashtu edhe respektin e tifozëve. Mendoj se edhe për moshën që kam, ky është momenti dhe klubi ideal për mua.
Më 14 janar është projektuar një miqësore me Kotbusin e Skelës dhe Omonias. Ju do të jeni në fushë për të sfiduar Ervinin?
Ne kemi shumë impenjime këtë javë. Të martën do të luajmë një ndeshje të vlefshme për Kupën e Qipros, ndërsa në fundjavë do të luajmë derbin me Apoel Nikosian. Parimisht është rënë dakord që Omonia të luajë me skuadrën e dytë kundër Kotbusit, por nuk përjashtohet mundësia që të luaj disa minuta në këtë ndeshje. Nuk kam luajtur asnjëherë përballë Ervinit, përkundrazi në pjesën më të madhe kemi qenë shokë skuadre si në Kombëtare, ashtu edhe te Arminia. Mendoj se do të ishte emocionuese.
Në kombëtare, megjithëse keni karakteristika të ngjashme, keni sakrifikuar më shumë ju se Skela. Shpesh keni luajtur edhe si mesfushor krahu apo edhe mbrojtës krahu, ndonëse vetë keni pohuar se jeni një numër 10 i mirëfilltë. A është ky rasti për një “hakmarrje” të vogël ndaj Skelës?
Jo, kurrsesi. Nuk ka fare hakmarrje në këtë mes. Është e vërtetë që kam sakrifikuar shumë në Kombëtare, por me Ervinin kam raporte të shkëlqyera. Ai është një djalë dhe një futbollist shumë i mirë, ndaj nuk ka arsye pse të kem mllef apo kunjë me të. Thjesht do të doja të isha në këtë takim, sepse përballë do të kem një mik timin, asgjë më shumë.
Si i shikoni dy ndeshjet e radhës të Kombëtares, ato kundër Maltës në shkurt dhe Hungarisë në mars?
Janë dy ndeshje të vështira dhe duhet t’i përgatisim me kujdes. Malta duhet vlerësuar maksimalisht sepse një fitore në transfertë ndaj tyre jo vetëm do të na ngjiste në krye të tabelës, por do të na lejonte të jemi në valle për kualifikimin dhe gjithashtu do të luanim me shumë qetësi edhe ndaj Hungarisë, ku patjetër synojmë tre pikët. Personalisht shpresoj të jem në formë dhe nëse i bëjmë gjërat siç duhet, jam i bindur se mund të marrim maksimumin e pikëve. Tifozët e Kombëtares e meritojnë këtë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›