NYT: Bush kundërshtoi Izraelin për të sulmuar Iranin me bomba
Sipas një artikulli të gazetës së përditshme amerikane “New York Times”, presidenti amerikan Xhorxh Bush ka kundërshtuar një kërkesë nga Izraeli gjatë vitit të kaluar, për ta ndihmuar atë të bombardonte objektin kryesor bërthamor të Iranit. Në artikull citohen zyrtarë amerikanë dhe të huaj, të cilët janë shprehur se Uashingtoni e njoftoi Izraelin, se presidenti kishte autorizuar një sulm të fshehtë që kishte për qëllim të sabotonte programin bërthamor të armëve për të cilin dyshohet Irani. Gazeta shkruan se Izraeli kishte kërkuar nga Shtetet e Bashkuara bomba speciale antibunker si dhe leje të fluturonte mbi hapësirën ajrore irakiane për të arritur objektivin kryesor bërthamor të Iranit në Natanc. Por sipas deklaratave të zyrtarëve të mbetur anonim, Shtëpia e Bardhë nuk kishte pranuar ta bënte këtë, por në këmbim përshpejtoi shkëmbimin e informacioneve të zbulimit me Izraelin si dhe njoftoi zyrtarët izraelitë mbi sulmet e fshehta amerikane. Sipas burimeve të “New York Times”, përpjekjet për sulmet e fshehta mendohet të kenë nisur një vit më parë dhe përfshijnë plane për t’u futur brenda rrjeteve furnizuese me lëndë bërthamore të Iranit, si dhe ndërhyrjen në sistemet kompjuterike dhe elektrike dhe sisteme të tjera të Iranit.