Historia e alfabetit, nga patriarkët tek dëshmorët
ALMA MILE
Dokumente, fotografi, shumë syresh të pabotuara më parë. Të gjitha dëshmojnë një rrugë të gjatë, atë të gjuhës shqipe, që si çdo ngjarje e madhe numëroi edhe dëshmorët e vet. Ishin ata mësues të gjuhës shqipe, që morën parasysh çdo gjë, edhe vdekjen, si Papa Kristo Negovani, apo Petro Nini Luarasi, por edhe të rinj, “mëkati” i vetëm i të cilëve ishte se lëçitnin gjuhën e nënës. Këtë rrugëtim shekullor, na e ofron në një ekspozitë tematike Muzeu i Kosovës. “100-vjetori i Kongresit të Manastirit” (14-22 nëntor 1908), quhet ekspozita tematike, e cila u hap dy ditë më parë në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, e ideuar nën kujdesin e historianit kosovar Mehmet Gjoshaj, në bashkëpunim me autorë dhe historianë të tjerë të këtij institucioni. Ekspozita pasqyron në disa stenda fotografi dhe materiale kërkimore të bazuara në literaturën historiografike, publicistike, dokumente arkivi në biblioteka dhe institucione private të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë.
Edhe pse ekspozita ka si kulminacion ngjarjen madhore të Kongresit të Manastirit, ajo mundohet të paraqesë sa më bollshëm ngjarjet kryesore që paraprinë unifikimin e alfabetit të parë të gjuhës shqipe. “Nëpërmjet kësaj ekspozite ne përkujtojmë një nga ngjarjet më të rëndësishme të kulturës, arsimit dhe historisë sonë kombëtare, dijetarët dhe delegatët që krijuan a, b, c, e parë shqipe”,- tha historiani Mehmet Gjoshaj. Në stendat e ekspozuara në këtë muze gjenden fotografi dhe dokumente arkivi, ngjarjet e pasqyruara në rend kronologjik, duke filluar nga shtrirja gjeografike e Ilirëve dhe pasardhësve të tyre shqiptarë, shqiptarët në kohën e pushtimit osman, mënyra jetese, veshje, zejtari, arkitekturë, kuvende burrash, etj. Përmes dokumenteve ofrohen dëshmitë e shqipes së shkruar, qysh në kohën e patriarkëve, Buzuku, Bogdani e Budi, për të vijuar më tej me përpjekjet e rilindësve për të krijuar një alfabet tërësisht tonin, për të shtypur libra, abetare, gramatika e revista. Nuk mungojnë edhe ngjarje të mëdha historike, të cilat krijuan shtigje për zhvillimin e gjuhës shqipe. Një ndër to është edhe Lidhja e Prizrenit. Nuk lihen pa përmendur as veprimtaritë e klubeve e çetave shqiptare të Çerçiz Topullit e Mihal Gramenos. Por, sigurisht, mes tyre spikat ngjarja më e rëndësishme mbajtja e Kongresit të Alfabetit të gjuhës shqipe (Kongresi i Manastirit) iniciativë e 26 klubeve dhe shoqatave atdhetare në shumë qytete dhe krahina, që u pasua me themelimin e shkollave të para në gjuhën shqipe. Kongresi i Manastirit ose Kongresi i Alfabetit u mblodh më 14 nëntor 1908 në qytetin e Manastirit dhe kishte si qëllim, njehsimin e alfabetit të gjuhës shqipe. Në të ishin të pranishëm 150 delegatë, të ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë, por dhe nga komunitetet shqiptare në Rumani, Itali, Greqi, Turqi, Egjipt, Amerikë, etj. Pas diskutimesh, parimisht u pranua nga të gjithë se alfabeti i shqipes duhet të mbështetej në alfabetin latin. Nëpër stenda mund të gjesh përveç dokumenteve që shoqërojnë këto ditë, edhe letërkëmbime të figurave të shquara të historisë dhe gjuhës, mes të cilave letra të Mid’hat Frashërit dërguar Nikolla Naços, apo të Fan S. Nolit, dërguar në 13 tetor, pleqësisë së klubit “Bashkimi” në Manastir, ku tregon arsyen e mos marrjes pjesë në kongres. Por edhe të tjera letra urimi për ngjarjen. Nuk mund t’i mungojë ekspozitës edhe koha e “errët” që pasoi këtë ngjarje, si ekspeditat e xhonturqve, të cilët persekutuan atdhetarë, por edhe njerëz të thjeshtë. Këtë e dëshmon një fotografi që tregon aktin makabër të varjes së dy të rinjve në jug të Shqipërisë.
Ekspozita tematike muzeore do të qëndrojë e hapur në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar për gjatë 10 ditëve.