E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zamira Kita: “Monodrama, pesha ime e mundimit”

Aktorja e njohur e humorit korçar tregon emocionet e një roli dramatik. Shfaqja u ngjit dy ditë me radhë në skenën e Teatrit Kombëtar në Tiranë

Petrika GROSI
Një nënë që prostituon vetëm e vetëm për të mbajtur gjallë shpirtin e fëmijës së saj që kërkon përditë ushqim... por që kapet nga policia dhe burgoset... Tension i lartë dramatik, dhimbje, viktimë e rrethanave, filozofi jete, pendim e më pas vetëgjykim për të arritur në një fund të pashmangshëm fatalist.
Kjo është panorama që ofron monodrama “Velloja e bardhë”, e ngjitur në skenën e Teatrit Kombëtar në Tiranë dje dhe pardje, me interpretimin e aktores së njohur korçare Zamira Kita dhe me regjinë e Marko Bitrakut. E gjithë historia tregohet nga prostituta, e cila pasi është kapur nga policia mediton, rrëfen, reflekton e vetëgjykohet me dënimin kapital, vdekjen. Kjo shfaqje është realizuar më parë në qytetin e Korçës, në teatrin “A. Z. Çajupi”, mbështetur nga bashkia e qytetit dhe tani vjen në Tiranë në bazë të marrëveshjes së nënshkruar mes TK-së dhe teatrit “Çajupi”. Autori i monodramës është Odise Plaku, ndërsa skenografia i është besuar Roland Karanxhës. “Gjithnjë ju kam ftuar të qeshni dhe kënaqeni me krijimet e mia... Kësaj here ju drejtoj një ftesë për të më ndjekur në dhimbjen e personazhit tim...”, – citohet aktorja Zamira Kita në ftesën e kësaj shfaqjeje. E takuam pas shfaqjes Zamirën dhe biseduam me të mbi këtë paraqitje të re, jashtë kornizave të zakonshme të repertorit të aktores korçare. Realizimi i një monodrame është mjaft i vështirë dhe kërkon energji e impenjim të jashtëzakonshëm. Për këtë arsye, Zamira Kita thotë se nuk do të marrë kurrë më guximin që të ngjisë në skenë një tjetër monodramë: “Për mua ka qenë shumë e vështirë të mbaja peshën e kësaj monodrame, pasi duke qenë një aktore humori jam mësuar me tjetër natyrë. Në fillim më dukej e pamundur që t’ia dilja mbanë, ndërsa tani them se ishte një përvojë shumë e bukur. Megjithatë, vështirë se do të realizoj prapë një monodramë. Është peshë dhe përgjegjësi e madhe që duhet ta mbajë vetë një aktor. Nuk kam për të bërë kurrë më një gjë të tillë”. Gjithashtu, Zamira shton: “Thuhet që publiku qëndron larg monodramave pasi parapëlqen komedinë, por kam konstatuar se kjo nuk është e vërtetë. Qoftë në Korçë, apo edhe këto dy ditë në Tiranë, salla ka qenë e mbushur dhe publiku e ka pritur me interes shfaqjen, gjë që e shton përgjegjësinë time për ta mbajtur këtë rol në repertor”. Në fakt, Zamira, siç tregon vetë, kishte kohë që mendonte për një monodramë dhe shfletonte vepra të ndryshme për të gjetur një pjesë të mirë. Në momentin që ajo u njoh me skenarin e Odise Plakut nuk hezitoi për ta pranuar impenjimin sepse iu duk rol interesant, tepër dramatik dhe shumë i afërt me realitetin shqiptar.

19 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›