“Tingujt e Krishtlindjeve” mbledhin shqiptarët në Torino
Këto ditë u zhvillua në Torino koncerti “Tingujt e Krishtlindjeve” i korit polifonik "Prenkë Jakova" të qytetit të Shkodrës. Përreth një orë e gjysmë, qindra artdashës shqiptarë e italianë kanë ndjekur me interes performancën e artistëve shkodranë. Maestro Gjon Shllaku, artistët Rozela Gjylbegu, Aleksander Tuka, Enrik Çela, Ylber Tahiri, Elnaida Dani dhe kori “Prenkë Jakova”, sollën në skenë pjesët më të mira të muzikës polifonike perëndimore, dedikuar temës së Krishtlindjeve, si dhe një repertor të pasur me këngë të traditës popullore shqiptare e ballkanike. “Ky koncert ishte për mua një kënaqësi dhe një emocion i veçantë”, - thotë drejtuesi i korit, maestro Gjon Shllaku. “Performancat e suksesshme përballë publikut perëndimor tregojnë se Shqipëria dhe artistët e saj kanë vlera për të eksportuar.
Falënderoj organizatorët e kësaj veprimtarie, në veçanti shoqatën ‘Vatra’, për mundësinë që na dha që të performonim para publikut torinez”. Koncerti “Tingujt e Krishtlindjeve” u mbështet edhe nga Bashkia e qytetit të Torinos. Për Anna Ferreron, drejtoreshë e Departamentit të Kulturës pranë këtij institucioni, shfaqja e dhënë ishte një dhuratë e bukur që bashkësia shqiptare u bëri qytetarëve të Torinos. “Vendi juaj ka vlera të mrekullueshme kulturore e artistike dhe ne jemi me fat që kemi mundësinë të njihemi e t’i shijojmë ato. Këto veprimtari dëshmojnë gjithashtu se shqiptarët në Torino janë tashmë të integruar mjaft mirë dhe kanë nisur të kontribuojnë seriozisht në pasurimin e jetës kulturore të qytetit tonë”, – shprehet ajo. Ky aktivitet organizohej në bashkëpunim me Konsullatën e Përgjithshme të Shqipërisë në Milano, Zyrën e Përfaqësimit të Dhomës së Tregtisë së Tiranës në Torino dhe organizatën ACLI, të rajonit të Lombardisë. Mbrëmja gala shoqërohej edhe nga një ekspozitë fotografike e titulluar “Shqipëria Turistike 2008”, e cila u realizua nga të rinjtë e talentuar të shoqatës “Vatra” në kuadër të projektit “Të rinjtë e rrugës Egnatia” që synon promovimin e Shqipërisë si një destinacion turistik në Itali e më gjerë.
19 Dhjetor 2008