E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndryshimet në qeveri, aleatët ndihen të “paprekshëm”

Aleatët në qeveri nuk tremben nga analiza e liderit Berisha. Bindja e aleatëve: Shpata e kryeministrit do të presë të vetët

Erald Kapri

Ndonëse kryeministri Sali Berisha ka dhënë sinjale të qarta për ndryshime të thella në qeveri, mes aleatëve ka një qetësi të çuditshme. Mes tyre ka një bindje të palëkundshme, ndonëse lideri Berisha ka premtuar analizë në të gjithë qeverisjen. Ministri kryesore kryesohen nga aleatët, të cilët kanë qenë pjesë e kritikave të ashpra për qeverinë “Berisha”. Brenda Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike ka pasur kritika të ashpra për aleatët dhe mënyrës së tyre të të qeverisurit. Gjithsesi, aleatët po ruajnë qetësinë dhe janë në pritje të verdiktit të kryeministrit. Numrat e tyre në Parlament shihen si garancia kryesore e ekzistencës në kabinetin qeveritar. Burime pranë disa partive të vogla, pjesëmarrëse në kabinetin qeveritar me portofol ministri, shprehen për gazetën se pjesëmarrja e tyre nuk do të preket. Sipas tyre, kryeministri Berisha ka probleme me menaxhimin e përfaqësimit brenda PD-së në qeveri, ndërsa aleatët janë në pozicionin e duhur. Burimet shprehet se nuk kanë marrë sinjale të qarta nga kryeministri për lëvizjen e partive të vogla nga qeveria. Gjithsesi, partitë e vogla shprehen se janë për ndryshime në qeveri, por pa prekur nivelin e përfaqësimit të tyre politik duke e lënë topin në duart e ministrave të PD-së për ndryshime. Disa nga partitë aleate në qeveri janë të gatshme që të marrin një portofol tjetër nga ai aktuali, me kushtin e vetëm që në qeveri të përfaqësohen në nivel ministri. Nga ana tjetër, disa aleatë shprehin hapur xhelozi për aleatë të tjerë, që sipas tyre kanë përfituar më shumë sesa u takon. Për të tjerët kjo varet nga numrat konkretë në Parlament.
Diskutimet
Republikanët e Fatmir Mediut kanë shprehur hapur rezervat e tyre për parti aleate jashtë dimensionit politik që maxhoranca fitoi me zgjedhjet e 3 korrikut. Me largimin nga qeveria të Fatmir Mediut, republikanët ndihen më të papërfaqësuar, megjithëse burime pranë tyre shprehen se kryeministri Berisha u ka premtuar një post tjetër në qeveri në momentin kur ata ndihen gati të qeverisin. Republikanët kanë mbajtur një qëndrim, që nuk do të hyjnë në qeveri me përfaqësim ministri deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes së Gërdecit. Gjithsesi, ata do të renditin numrat e tyre parlamentarë së bashku me numrat e tjerë të maxhorancës, duke premtuar mbështetje të plotë për kryeministrin Berisha. Rezervat drejtohen nga ministri i Mjedisit, Lufter Xhuveli, kreu u Agrarëve, i cili konsiderohet si pjesë e së majtës. Gjatë viteve të qeverisjes së djathtë, Partia Agrare Ambientaliste ka humbur dy deputetë dhe po mbështet maxhorancën vetëm me dy të mbetur. Kjo interpretohet si mundësi që Xhuveli të largohet nga qeveria dhe vendi të ruhet për të djathtët, të cilët kanë shtuar zërat për mungesë përfaqësimi në qeveri. Aleatët e tjerë që kanë ngritur zërin janë edhe deputetët e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. Kryetari i tyre, Vangjel Dule, është shprehur hapur për ndryshime në qeveri si dhe për ridimensionim të kabinetit. Gjithsesi, Dule nuk është shprehur nëse është e gatshme PBDNJ-ja që të qëndrojë në maxhorancë pa një post ministri. “Ne mendojmë se një ridimensionim i kabinetit qeveritar është i domosdoshëm”, - shprehet Dule. Pozitat më të palëkundura duken për demokristianët dhe për demokratët e reformuar. Demokristianët mbështeten fort në numrat e tyre në Parlament, ku grupi i tyre përbëhet nga 8 deputetë. Sipas tyre, kryetari Nard Ndoka ka arritur ta menaxhojë mirë këtë grup deputetësh, duke bërë që maxhoranca të ketë numra shtesë në Kuvend, tepër të domosdoshëm. Ndërsa aleati nga PDR-ja, Genc Pollo, duket se mbahet fort pas idesë se në Ministrinë e Arsimit po punohet mirë dhe për këtë Berisha ka vlerësime.
Ndryshimet
Burime pranë Partisë Demokratike shprehen se mund të ketë edhe ndryshime brenda aleatëve. Sipas tyre, ata nuk janë të “paprekshëm”. Deputetët e PD-së shprehen se koha e mbetur prej një viti e gjysmë deri në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, duhet të synohet që të ketë një qeveri punëtore dhe e përfaqësuar mirë. Tashmë është hedhur ideja në Grupin Parlamentar të PD-së se mund të hiqet nga kabineti ndonjë aleat. Gishti i tyre drejtohet rëndom nga ministri i Mjedisit Xhuveli, duke kërkuar largimin e tij nga qeveria. Një ide tjetër është edhe futja në qeveri të Partisë Aleanca Demokratike. Sipas disa deputetëve të PD-së, kjo parti i ka ftohur marrëdhëniet me Partinë Socialiste dhe mundet që dy deputetët e saj të bashkëngjitin votat e tyre përkrah maxhorancës. Gjithsesi, diskutimet për ndryshimet në qeveri pritet të marrin fund me ardhjen e kryeministri Berisha nga Samiti i NATO-s.

2 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›