E Shtunë, 31 Tetor 2026

Djajte e kuq zbarkojne ne Shangai

Qindra tifozë kinezë janë paraqitur në aeroportin ndërkombëtar të Shangait, për të pritur skuadrën e Mançester Junajtid. “Djajtë e kuq” do të luajnë me Shangai Shenhua, klubin kinez që bëri bujë në botë, pasi me milionat e investuara arriti të bindte dy sulmuesit, Nikolas Anelka dhe Didie Drogba që të luanin në futbollin aziatik.
Miqësorja, që do të luhet në stadiumin e qytetit më të madh kinez të mërkurën më datë 25 korrik, do të jetë ndeshja e tretë e ekipit të drejtuar nga Sër Aleks ferguson në turneun botëtor përpara startit të sezonit.
Pikërisht në këtë sfidë, me Shangai Shenhua do të debutojë edhe Drogba, sulmuesi nga Bregu i Fildishtë i ëndërruar nga shumë klube europiane, e që ishte heroi i Çelsit në triumfin në Champions League.
Mançester Junajtid e nisi sezonin me një fitore minimale 1-0 përballë AmaZulu dhe barazimin 1-1 Ajaks Kejp Taun në Afrikën e Jugut gjatë javës së kaluar. “Djajtë e Kuq” do të luajnë kundër ekipit aziatik të drejtuar nga ish-trajneri i Argjentinës, Serxho Batista, e që aktualisht ndodhen në vendin e 13-të në Superligën kineze me 16 skuadra, pa dy yjet e skuadrës, sulmuesin Uejn Runi dhe mesfushorin Rajan Gigs.
Pas miqësores në Shangai, Mançester Junajtid do të udhëtojë drejt Oslos në Norvegji, për të luajtur me Valerengan më 5 gusht, ndërsa tre ditë më pas ata do të luajnë me Barcelonën në Suedi. Turneu i kubit anglez mbyllet më 11 gusht në Hanover, vetëm 9 ditë parapara ndeshjes së tyre të parë në kampionat kundër Evertonit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›