Londer 2012 autobus transformer per ekine
Artisti çek, David Çerni, veprat e të cilit kanë ngjallur shpesh shumë diskutime, e ka shndërruar një autobus tipik anglez me dy kate, në një atlet që bën ulje dhe ngritje me krahë. Kjo vepër e pazakontë ka ardhur si një mënyrë për të festuar Lojërat Olimpike “Londër 2012”, ceremonia hapëse e të cilave do të zhvillohet më 27 korrik.
Çerni e bleu autobusin e prodhuar në vitin 1957 në Holandë dhe ai ngjiti dy krahë të mëdhenj, një motor elektrik, shumë lidhje telash dhe paisjesh të tjera, duke e shndërruar atë në një vepër me emrin “London Boosted”. Mekanizmi i lejon autobusit “transformer” që të lëvizë krahët, ndërsa çdo lëvizje shoqërohet me zë dhe video-projektorë në dritaret e mjetit.
Autobusi do të instalohet në Londër, në afërsi të vendit ku është akomoduar ekipi olimpik i Republikës Çeke, ndërsa artisti shpreson që vepra e tij do të jetë funksionale gjatë gjithë periudhës së Olimpiadës.
“Ekziston vetëm një ushtrim i përbashkët për të gjithë sportistët në botë dhe ato janë uljet dhe ngritjet me krahë”, deklaroi Çerni. “Për këtë arsye mendova që një autobus që bën lëvizje do të tilla do të ishte zbavitja perfekte. Veçoria e ulje-ngritjeve është se përveçse si ushtrim sportiv, në ushtri apo në burgje, ato shërbejnë edhe si ndëshkim. Kjo i bën të jenë një ushtrim universal”, shtoi ai.
Punimet e mëparshme të Çernit kanë qenë mjaft kontroverse dhe kanë shkaktuar polemika. Debati më i madh erdhi pas veprës së tij “Entropa”, që u shfaq pranë selisë qëndrore të Këshillit të Bashkimit Europian në Bruksel.
Për veprën ku vendet europiane ishin pozicionuar në mënyrë të parregullt, Bullgaria protestoi se ishte përfaqësuar nga një banjë turke, Franca nga një parullë greve, ndërsa Britania nuk ishte vendosur fare në hartë.