E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edhe Siria ne Londer 2012

Vendi i tyre është në luftë, delegacioni nuk është më i madh sesa ai i Shqipërisë, ndërsa tradita flet më shumë sesa ajo e kuqezinjve. Këto janë fjalët për skuadrën olimpike siriane, e përbërë nga 11 sportistë, gjysma e të cilëve ka mbërritur në Londër, kryeqytetin britanik ku do të zhvillohen Lojrat Olimpike Verore, ndërsa sipas komitetit organizator gjysma tjetër ndodhet që më parë në Fshatin Olimpik.
Ndërsa në kryeqytetin Damask dhe qytetin tjetër Alepo po zhvillohen luftime të ashpra dhe pikat kufitare po ndërrojnë duar përditë, këta sportistë mendojnë t’i bëjnë një shërbim tjetër Sirisë së tyre, të luftojnë për lavdinë olimpike, sportive.
Tradita nuk është aq e keqe pasi sirianët kanë fituar 3 medalje olimpike, përfshi edhe medaljen e artë të fituar nga Gada Shua në shtatëgarëshin e atletikës në Lojërat e zhvilluara në Atlanta më 1996.
Medalja e fundit u fitua më 2004 në Athinë, një bronz i arritur në kategorinë e rëndë të boksit. Sasia prej 17 sportistësh përfaqëson një rritje të numrit të atletëve në krahasim me Pekinin, 4 vjet më parë, ku Siria u prezantua me 7 të tillë.
Natyrisht, do të jetë e vështirë që sirianët të ndjekin garat olimpike apo ta kenë mendjen ndopak në këtë aktivitet madhor sportiv, tani që gjaku po derdhet lumë prej 17 muajsh dhe thuhet se asnjë fëmijë në Siri nuk e ka jetën të sigurt.
Ngjan pak si ndeshjet e kombëtares shqiptare të vitit 1997 kur golat kuqezinj festoheshin në Shqipëri me breshëri kallashnikovi. Sportistët olimpistë sirianë do të garojnë, gjithsesi, me vendosmëri më të madhe në mënyrë që të japin sado pak gëzim për popullin e tyre.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›