E Diel, 1 Nëntor 2026

Djajtë me sytë nga Saha

07/01/2005  

Sulmuesi i Mançester Junajtid, Luis Saha, është duke u kthyer në shpëtimtarin e vërtetë, për skuadrën e tij në pjesën e mbetur të këtij sezoni. Duket se, për djajtë e kuq dhembjet e kokës janë shtuar akoma më shumë. Përveç 11 pikëve diferencë larg Çelsit, tashmë listës së të dëmtuarve për skuadrën e Ferguson, i është bashkuar edhe Rajan Gigs, i cili mund të qëndrojë për një kohë të gjatë, jashtë fushave të futbollit. Uellsiani ka pësuar një tërheqje muskulare, gjatë takimit të zhvilluar kundër Totenhemit. Tashmë skuadra e Mançester Junajtid do të kishte më tepër nevojë se kurrë, për të aktivizuar në sulm, një lojtar si francezi Luis Saha. Ndërkohë që, sulmuesi holandez, Rud Van Nistelroi, vazhdon akoma fazën e rekuperimit, pas dëmtimit të pësuar disa javë më parë. Në këtë mënyrë, për të përballuar ndeshjet e radhës, Sir Aleks ka filluar t’i varë shpresat më të mëdha te francezi Saha. Nga ish-sulmuesi i Fulhamit, pritet shumë në kampin e Mançester Junajtid dhe ndoshta, besimin më të madh ndaj tij, e ka padyshim trajneri Ferguson. Pritet që ai të rikthehet sërish me fanelën e djajve të kuq, duke zënë një vend si titullar, për takimin me Liverpulin në datën 15 janar. Djemtë e Ferguson do të ndeshen në “Anfilld Roud”, me skuadrën e Rafa Benitez dhe sigurisht, aktivizimi i Luis Saha do të jetë një zgjidhje e rëndësishme për sulmin e Mançester Junajtid. “Luis është rikthyer në seancat stërvitore tashmë dhe nuk po shkon keq, ka komentuar Ferguson. Ai ka ecur mjaft mirë me përgatitjet e tij, por mendoj se java tjetër do të jetë tepër e rëndësishme për atë. Ajo çfarë ka më shumë rëndësi tani, është se ai gjendet i grumbulluar me grupin kryesor të skuadrës dhe prandaj, le të shpresojmë se do të jetë i gatshëm për takimin me Liverpulin”. Saha ka vuajtur shumë nga tendina e Akilit dhe gjuri gjatë periudhës që është aktivizuar me Mançester Junajtid, ku në këtë sezon, ka luajtur vetëm në tetë ndeshje. Po ashtu, edhe Uejni Runi nuk do të jetë në dispozicionin e Ferguson dhe kështuqë ai e di fare mirë se nuk mund të presë më shumë, prej kësaj skuadre të gjymtuar. “Gjithë këto dëmtime më kanë veshur me një presion të jashtëzakonshëm, sidomos në sulm, ka shtuar Ferguson. Unë jam sforcuar për të aktivizuar pak a shumë lojtarët e njëjtë, gjatë takimeve në javët e fundit. Megjithatë, ndihem krenar për atë çfarë kanë arritur ata”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›