E Hënë, 2 Nëntor 2026

Inflacioni 2005, sërish në nivelet 2-4 për qind

06/01/2005  Shqipëria do të vazhdojë të ruajë një inflacion në nivelet 2-4 për qind. Banka e Shqipërisë në parashikimin e saj monetar për këtë vit, thekson se inflacioni në nivele të ulëta do të reduktojë efektet në ekonomi të zhvillimeve jo të këndshme. Raporti i 2005-ës do të jetë një vazhdim rigoroz i politikës monetare afatmesme të përcaktuar që më parë. Në nivele të mëparshme pritet të zhvillohet edhe kursi i këmbimit. Sipas bankës, ajo do të vazhdojë të lejojë një kurs të lirë këmbimi dhe do të ndërhyjë vetëm në raste të veçanta.

“Banka e Shqipërisë ka përcaktuar në strategjinë e saj trevjeçare ‘Plani i zhvillimit afatmesëm të Bankës së Shqipërisë (2003-2005)’, objektivin e inflacionit për këtë periudhë. Objektivi strategjik afatmesëm i politikës monetare është mbajtja e inflacionit në nivele të ulëta positive, të cilat sigurojnë qëndrueshmëri në tregje dhe mbështesin rritjen ekonomike. Për të konkretizuar këtë angazhim, Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të ruajë objektivin e inflacionit në formën e një bande, në intervalin 2-4 për qind për vitin 2005. Si objektiv i inflacionit vlerësohet rritja vjetore e indeksit të çmimeve të konsumit, matur dhe publikuar nga INSTAT”, thuhet në Raportin e Bankës.

Nga ana tjetër, gjatë vitit në vazhdim, banka do të synojë rritjen e ofertës monetare në masën 9 për qind. “Duke u nisur nga parashikimi i rritjes ekonomike për vitin 2005, nga objektivi i Bankës së Shqipërisë për nivelin e inflacionit, si dhe nga trendet e zhvillimeve monetare, Banka e Shqipërisë do të synojë

të kontrollojë rritjen e ofertës monetare në nivelin 9.4 për qind për vitin 2005. Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të ruajë një regjim të lirë të kursit të këmbimit. Vlera e lekut kundrejt valutave të huaja do të përcaktohet lirisht në tregun e këmbimit, në përgjigje të ligjeve të kërkesës dhe ofertës. Banka e Shqipërisë do të jetë e pranishme me ndërhyrje të veçanta në tregun valutor, duke synuar zbutjen e lëvizjeve afatshkurtra të kursit të këmbimit të lekut, të cilat janë në kundërshtim me prirjet afatgjata dhe respektimin e objektivit të rezervës ndërkombëtare neto”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›